10 Botimet e reja të muajit Mars!

10 Botimet e reja të muajit Mars!

10 botime të reja erdhën për lexuesin shqiptar gjatë muajit Mars. Ne ju rikujtojmë këto tituj dhe nëse jeni ende në dyshim për të zgjedhur një libër të ri, mund ti konsideroni këto sugjerime. Të gjithë zhanret në një muaj!

 

Përse francezet nuk shëndoshen- Mireille Guiliano
Përktheu: Gerta Jazaj
Nr. i faqeve: 338
Çmimi: 1000 L
Libri më i mirë pa dieta, që mund t’ju ndryshojë krejtësisht mënyrën si mendoni dhe jetoni! Francezet nuk shëndoshen, edhe pse shijojnë bukën, ëmbëlsirat, verën dhe vaktet me tre pjata. Duke zbuluar sekretet e thjeshta të këtij “Paradoksi Francez”, si e shijojnë ushqimin duke qëndruar elegante dhe të shëndetshme, Mireille Guiliano na paraqet një vështrim të këndshëm e frymëzues mbi shëndetin dhe të ngrënit për kohën kur jetojmë.

E vetmja dashuri- Laurence Plazenet
Përktheu: Afrim Koçi
Nr. i faqeve: 146
Çmimi: 600 L
Zonjusha d’Albreht humbet nënën në moshë fare të re dhe i ati e rrit në një mjedis të rreptë, pa shfaqur kurrë haptas ngrohtësinë ndaj saj, ndërkohë që fshehtas e llaston me dhurata. Ajo është vetëm 15 vjeçe kur njihet me zotin Ramon, mësuesin e saj privat, një burrë i mistershëm që i zgjon vajzës drithërimat e para shpirtërore dhe fizike. Ajo bie dëshpërimisht në dashuri me të dhe ëndërron një përjetësi që nuk i përket kësaj bote.

Kështjella Blu, Ëndrra e një gruaje- L. M. Montogomery
Përktheu: Viola Robo
Nr. i faqeve: 260
Çmimi: 800 L
Valencia Stirling është njëzet e nëntë vjeç, e pamartuar, dhe ka jetuar tërë jetën me familjen e saj në një rrugë të qetë të vogël në një shtëpi të vogël dhe kurrë nuk guxonte të kundërshtonte nënën e saj autoritare, gjithashtu edhe hallën që jetonte me to.Papritmas ajo merr një letër dhe vendos se shumë gjëra duhet të ndryshojnë. Për herë të parë në jetën e saj, ajo bën pikërisht atë që dëshiron dhe thotë pikërisht atë që mendon.

Rastet- Eugenio Montale
Përktheu: Mimoza Hysa
Nr. i faqeve: 180
Çmimi: 600 L
“Rastet”, përmbledhje poezish e botuar për herë të parë më 1939, shpërfaqet si një ditar europian udhëtimesh, një këngëtore e thurur për pritjet, ruajtjet dhe meditimet e brendshme. Ky është rrëfimi i një arratisjeje të pamundur, kërkimi i një takimi që shndërrohet menjëherë në ndarje. Rasti është gjetja e një çasti plot jetë, një copëz realiteti i parëndësishëm në vetvete, por mbartës i një mundësie të jashtëzakonshme për të shpëtuar.

Ana Bolena- Hilary Mantel
Përktheu: Ledia Dushi
Nr. i faqeve: 464
Çmimi: 1400 L
Pas “Sallës së ujqërve”, një roman që tregon origjinën e Anglisë moderne përmes syve të Tomas Kromuellit, kësaj figure kaq të diskutuar, kjo pjesë e dytë e veprës që u kushtohet Tudorëve, nis më 1535, kur Sekretari i Shtetit i Henrit VIII është në kulmin e pushtetit. Fati i tij ka shkuar përkrah atij të Ana Bolenës, bashkëshortes së dytë të mbretit. Ana Bolena, një çështje familjare është një afresk i fuqishëm historik, emocionues dhe aventuresk dhe një dëshmi shumë e lartë letrare që na rikthen në të kaluarën në ngjyrat e saj më të gjalla dhe e bën atë vitale.

 

Dje, sot, nesër, jeta ime- Sophia Loren
Përktheu: Albana Nexhipi
Nr. i faqeve: 386
Çmimi: 1000 L
Historia e Loren–it i ngjan më shumë një përralle, bashkë me ballot, sprovat e rëndësishme dhe princat e kaltër. E megjithatë, pas divës së kinemasë, buzëqesh një grua e ndrojtur dhe e vendosur, që ka vuajtur shumë, ka punuar edhe më shumë, ka dashuruar me pasion të vërtetë e me doza të lehta ironie.

Virgjëresha holandeze- Marente De Moor
Përktheu: Albana Shala
Nr. i faqeve: 284
Çmimi 800 L
Një histori për dashurinë dhe humbjen e pafajësisë? Virgjëresha holandeze është shumë më tepër se sa kaq. Rinia e të atit, e vërteta e marrëdhënies së tij me Egonin në një kohë të largët, gjatë Luftës së Parë Botërore, rrugëtimi i Janës drejt rritjes janë përvoja kontradiktore dhe çoroditëse. Kodi aristokrat i nderit, me nocionin e vet të kurajës dhe heroizmit, nuk ka më vlerë. Nazistët janë te porta: bota po ndryshon: një periudhë barbarie nis. De Moor risjell atmosferën e trazuar të një epoke si një pikë kyç në histori, duke përshkruar me nota të gjalla pasiguritë dhe tensionet që i paraprinë Luftës së Dytë Botërore.

Armik, mik, i dashur- Alice Munro
Përktheu: Pranvera Xhelo
Nr. i faqeve: 364
Çmimi: 1000 L
Tregimet e Munro me shpërfaqje të plotë të sjellin në mendje tregimet dhe novelat e Henri Xhejmsit dhe Tolstojit. Njëlloj si tek ata, tregimi i saj është madhështor, i mprehtë dhe nuk e kursen detajin e brendshëm dhe të kontekstualizuar. Fabulat e shtrira dhe shtjellimi i personazheve në shtresëzime të shumta afirmojnë kompleksitetin e pathjeshtëzueshëm të natyrës njerëzore.

 

O Fortuna! – Silvi Bakiri

Nr. i faqeve: 92
Çmimi: 800 L
Ky është libri i parë nga Silvi Bakiri në poezi dhe prozë. Sipas hyrjes, shkruar nga poetja Rita Petro, është një botë e tëra poetike e autores që ka nisur të zgjerojë përmasat.

Kush e sundon botën- Noam Chomsky
Përktheu: Bora Miçi
Nr. i faqeve: 340
Çmimi: 1000 L
Nëpërmjet një analize tërësore dhe të mprehtë të situatës aktuale ndërkombëtare, Noam Chomsky ekzaminon mënyrën me anë të së cilës Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht fuqizimit të Europës dhe Azisë, vazhdojnë të përcaktojnë ende në një mase të madhe termat e diskurseve globale.