“1984” nga George Orwell, një paralajmërim drithërues për racën njerëzore

“1984” nga George Orwell, një paralajmërim drithërues për racën njerëzore

“1984” nga George Orwell ishte një mustread për mua, edhe pse nuk e dija në të vërtetë se çfarë fshihej pas këtij romani, megjithatë tashmë që e kam përfunduar them e bindur se është një nga ato romane që të lë mbresa për një kohë të gjatë, sa të frikshme e aq të pazakonta. Orwell është padyshim një nga shkrimtarët më të jashtëzakonshëm të shekullit XX.

“Lufta është paqe. Liria është skllavëri. Injoranca është pushtet”.

Janë këto fjalët që të mbeten në mendje që në fillim të librit e të shoqërojnë deri në fund të tij. Ngjarjet zhvillohen në një shtet totalitar ku “Vëllai i madh” është lideri i një partie të vetme e të pushtetshme i cili sheh, dëgjon dhe kontrollon gjithçka. Në çdo vend ka telekamera dhe përgjues të cilët fiksojnë çdo gjë, lëvizjet e dyshimta, mendimet kundër sistemit apo dashuritë të cilat janë të ndaluara. Atëherë, kur bindemi se si Uinstoni, personazhi kryesor, ka edhe plot të tjerë ndaj duhet të ketë një rrugëdalje, pikërisht në atë moment romani merr një kthesë të pabesueshme për lexuesin.

Ankthi dhe emocionet që kjo vepër përcjell janë të papërsëritshme. Ai të përfshin në një gjendje që vështirë të dalësh pa u ndikuar fjalët e Orwell. Nëpërmjet rrëfëmit, shkrimtari na dëshmon një tjëtër aspekt të jetës, atë të kontrollit të qeverisë, diktaturës, massmedias dhe manipulimit të mendimeve, ndjenjave deri tek tjetërisimi si qenie individuale. Romani të lind dëshirën e menjëhershme për rebelim dhe më pas, të fut në skuta të errëta ku rebelimi do të ishte mendimi i fundit. Kontrolli i plotë i një kombi të tërë nëpërmjet politikave totalitare qenka në të vërtetë e mundur, dhe është kjo ndjesia më e tmerrshme gjatë leximit të këtij libri. Madje, edhe “2+2=5” është barazim që ky Orwell do jua ngulisë gjatë në mendje.

Në vitin 1949, kur ky roman u botua revista “Times” shkroi se “1984” është vepra më aktuale e më e frikshme, e karakterizuar nga një humor të zi e aspak i këndshëm. Edhe sot, 68 vjet pas botimit të tij, “1984” mbetet po aq i frikshëm, po aq universal dhe Uinstoni një personazh që do i rezistojë çdo kohe. Kryevepra distopike e George Orwell është një paralajmërim për racën njerëzore, simbol i një jetë pa identitet.

Fragment nga romani

“Për herë të parë kuptoi se të ruash një sekret së pari duhet t’ia fshehësh vetes. Ta dish që ndodhet brenda teje, por në qoftë se nuk është e nevojshme, të mos e lesh të mbërrijë në vetëdijen tënde në një formë që kërkon emër. Këtej e tutje i duhej jo vetëm të mendonte, por edhe të ndiente dhe të ëndërronte ashtu siç duhej. Duhej që ta fshinte urrejtjen gjatë gjithë kohës, ta mbyllte si një send që ishte pjesë e tij dhe njëkohësisht i palidhur me të tërën, një lloj lunge.”

“Nuk do të ketë të qeshura veç të qeshurës së triumfit mbi armikun. Në doni një imazh të së ardhmes, përfytyroni një çizme ngjeshur në fytyrën e dikujt…përjetësisht.”

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *