5 libra praktikë mbi një shtatzëni të shëndetshme

5 libra praktikë mbi një shtatzëni të shëndetshme

Ardhja në jetë e një fëmije është një bekim në jetën e çdo kujt. Krijesa që do të vijë në jetë do të sjellë emocione të mrekullueshme dhe një eksperiencë unike. Gjithkush bën të pamundurën për një shtatzëni të shëndetshme dhe një fillim të mrekullueshëm për jetën e fëmijës që do të lindë.

Në këtë përmbledhje do ju sjellim botimet më të mira në shqip në lidhje me lindjen e një fëmije dhe kujdesin gjatë viteve të para të jetës.

Udhëzues për një shtatzëni të shëndetshme nga Klinika Mayo

“Udhërrëfyesi për një shtatzëni të shëndetshme” është një guidë e pasur me informacione, ku mund të mbështeteni tërësisht. Ky libër përfaqëson punën e një ekipi ekspertësh për shtatzëninë, për të cilët nuk ka asgjë më emocionuese në fushën e mjekësisë, sesa zhvillimi dhe sjellja në jetë e një fëmije. Ky libër është një burim i besueshëm ku do të gjeni këshilla mjekësore për nënat dhe baballarët e ardhshëm, informacione për planifikimin e shtatzënisë dhe problemet e fertilitetit, informacione javore për rritjen dhe zhvillimin e fetusit, këshilla për ushqyerjen, ushtrimet gjimnastikore dhe shtimin në peshë etj.

Shtazania me konsulencën e Dr. Halim Kosova

Një udhëzues mbi kujdesin shëndetësor gjatë 9 muajve. Ky libër ju udhëheq në procesin e të gjitha ndryshimeve fizike dhe emocionale, si dhe ju sjell këshilla për kujdesin që ju duhet të tregoni ndaj vetes dhe për kujdesin që të tjerët duhet të tregojnë ndaj jush. Ai është si një orë me zile, i cili do t’ju informojë hap pas hapi, si dhe do t’ju drejtojë ashtu siç duhet për të kapur dhe parandaluar në kohë problemet gjatë shtatzënisë.

Çfarë të presësh kur pret një fëmijë nga Heidi Murkoff dhe Sharon Mazel

Në këtë libër, do të gjeni të rejat më të fundit rreth ekzaminimeve të shtatzënisë, cilat nga barnat janë të sigurta për t’u përdorur dhe mënyrat më aktuale të lindjes së foshnjës: që nga lindja në ujë deri te cezarianët e butë. Gjithashtu, e njëjta vëmendje i kushtohet edhe mënyrës suaj të jetesës gjatë shtatzënisë: që nga ushqyerja (përfshirë edhe tendencat e fundit të ushqimeve) deri te pirja e kafesë; që nga stërvitja (dhe puna) deri te seksi, udhëtimet, regjimi i bukurisë, kujdesi për lëkurën e shumë të tjera.

Libri i plotë i kujdesit për nënën dhe fëmijën nga Elizabeth Fenwick

Ky libër do ju vijë në ndihmë jo vetëm gjatë shtatzënisë, por edhe gjatë viteve të para të prindërimit. I pasur me këshilla praktike, ky është libri i plotë i përkujdesit të nënës dhe fëmijës deri në moshën 3 vjeçare.

Rritja e fëmijës në vitet e para në bashkëpunim me Practical Parenting

Ky libër do ju shoqërojë gjatë rritjes së fëmijës tuaj hap pas hapi. Këtu do të gjeni përgjigje të qindra pyetjeve, duke filluar nga shëndeti, të nxënët, zhvillimi dhe sjellja, si dhe do të mësoni zgjidhje të suksesshme të problemeve të zakonshme si përgjumja e foshnjës, mësimi me oturakun dhe kalimi i krizave të inatit.