5 librat të klasifikuar në të gjithë botën si romanet që do ju ndryshojnë jetën

5 librat të klasifikuar në të gjithë botën si romanet që do ju ndryshojnë jetën

Të gjithë lexuesit mund të dëshmojë se një libër i bukur ka fuqinë të na lërë aq shumë mbresa e të na ndikojë aq shumë sa kurrë mos të jemi më i njëjti njeri – të mos i shohim gjërat njësoj, të mos mendojmë si më parë. Libra të tillë i kanë rezistuar shekujve dhe vijnë sot si kryevepra të letërsisë botërore. Secili prej nesh ka një listë të tijën me romanet e preferuara por cilat janë librat që gjenden në pjesën më të madhe të listave “Libra që të ndryshojnë jetën”?
Libratqedua ju sjellin një përmbledhje të librave më të lakuar mbi ndikimin e tyre në mbarë botën. Lajmi i mirë është se këto libra mund t’i gjeni edhe në shqip!


1. “Alkimisti” – Paolo Coelho
Do të gjenden pafund lista mbi librat që do ju ndryshojnë jeten, por në asnjë prej tyre nuk do mungojë ky roman. Rrëfimi magjepsës i Paulo Coelho-s ka frymëzuar miliona lexues kudo nëpër botë. Në të përshkruhet një histori e shkëlqyer në thjeshtësinë dhe urtësinë e vet, historia e një bariu të ri andaluzian, me emrin Santiago, i cili guxoi të udhëtonte nga vendlindja e tij, Spanja, për në Afrikën e Veriut në kërkim të një thesari të fshehur te Piramidat.


2. “Ditar” – Ana Frank
Ndoshta “Ditari” i Ana Frank është ditari më i famshëm dhe më emocionues në letërsi. Në rreshtat e tij do të përjetoni tmerr dhe ankth ndërkohë që nuk do të doni të besoni se të gjitha kanë ndodhur realisht. Lufta e Dytë Botërore mishërohet në emrin, fytyrën dhe jetën e një vajze 13 vjeçare e cila do të mbahet mend përjetësisht për atë që shkroi. Në përfundim të këtij rrëfimi do të kujtoni gjithmonë fjalët e Anës – “Pavarësisht të gjithave, ende besoj se ka njerëz me zemër të madhe”.


3. “Të vrasësh zogun përqeshës” – Harper Lee
Të gjithë ata që e kanë lexuar këtë roman e kuptojnë pse ndodhet në çdo listë të romaneve aq frymëzues sa mbeten përjetë në kujtesë. “Të vrasësh zogun përqeshës” ka fituar çmimin Pulitzer dhe është përkthyer në më shumë se dyzet vende të botës duke u shitur më shumë se 30 milionë kopje.


4. “Ne jemi pafundësi” – Stephen Chbosky
Romani i kthyer në kult – “Ne jemi pafundësi” ka qëndruar mbi një vit në listën e librave më të shitur të New York Times – it dhe është përkthyer në 31 gjuhë të botës. Historia e Çarlit duhet lexuar nga çdo adoleshent si një reflektim ngacmues mbi jetën, dashurinë dhe miqësinë.


5. “Sekreti” – Rhonda Byrne
Tek lexoni faqe pas faqe, në këtë libër do të zbuloni forcën që gjendet brenda jush. Ai përmban mençurinë e mësuesve të ditëve moderne – burra e gra që e kanë përdorur për të pasur shëndet të mirë, pasuri dhe lumturi. Duke përdorur njohjet e Sekretit, ata sjellin në dritë histori mahnitëse, ku zhduken sëmundje, fitohen pasuri të mëdha, kalohen pengesa dhe arrihen gjëra që shumëkush i cilëson si të pamundura.
Askush prej nesh nuk lexon të njëjtin libër, atë që përjeton dikush nuk mund ta përjetojë dikush tjetër. As një listë prej 100 librash nuk do të mjaftonte për të numëruar ata më frymëzuesit e më ndikuesit në jetën tonë. Me siguri, edhe ju keni një listë tuajën personale ndaj ju ftojmë të shkruani disa tituj në koment.

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *