“Amelia, vajza që nuk duhet të ekzistonte”, historia e Gjermanisë nën rrëfimin e një gjermani

“Amelia, vajza që nuk duhet të ekzistonte”, historia e Gjermanisë nën rrëfimin e një gjermani

Nga Flogerta Krypi

Jemi mësuar gjithmonë që kur flasim për Luftën e Dytë Botërore apo lexojmë romane rreth tij, kryesisht rrëfyesit janë hebrenjtë apo njerëz të tjerë që tregojnë tmerret e kësaj lufte, por të paktë janë ato romane ku rrëfimtarët janë vetë gjermanët dhe shpalosen vuajtjet e tyre. Këtë roman e kam lexuar pikërisht rrugës për në Gjermani dhe jam përlotur për atë çfarë ishte shkruar. I kujtova vetes që çdo histori duhet parë në të dyja krahët e monedhës. Pasi në këtë roman tregohet sesi vetë njeriu i thjeshtë gjerman, u përpoq shpesh t’i shpëtonte jetën hebrejve apo njerëzve që ishin kundër diktaturës hitleriane.

Amelia është një vajzë e vogël, por fakti që ajo është e shurdhër bëhet shkak për zbulimin e një të vërtetë të madhe, të asaj që dhe vetë gjermanët nuk e dinin. Krijimi i një kombi perfekt, me racë ariane, nënkuptonte shumë më shumë se thjesht zhdukjen e hebrejve. Të gjithë njerëzit të lindur me difekte në trup, duheshin zhdukur, pa patur rëndësi se nga vinin ata. Vetëm në këtë lloj forme, raca ariane nuk do të kishte asnjë njollë në gjakun e tyre perfekt.

Amelia ishte vajza e një oficeri të SS – ve, por as ajo nuk do të kursehet në spastrimin e popullsisë. E gjendur në një situatë monstruoze, ku vetë prindërit i dorëzonin fëmijët e tyre, Kristina zgjedh t’i shpëtoj jetën të bijës, duke i kërkuar ndihmë mikes së saj Rakelës, e cila sapo ka ardhur nga Amerika me të atin, një mjek. Rakela bëhet pjesë e kësaj vorbulle, pa e ditur që jeta e saj është e lidhur ngushtë me atë të Amelës, pasi dhe vetë ajo, që në lindje, ka qenë produkt i një eksperimenti nga ushtria naziste.

E gjendur në një situatë të frikshme identiteti Rakela gjen ndihmë tek një gazetar amerikan dhe këtu fillojnë përpjekjet e jashtëzakonshme, jo vetëm për të shpëtuar jetën e një fëmije, por mbi të gjitha për të zbuluar të vërtetat e identitetit të saj. Një roman që duhet lexuar, nga të gjithë të apasionuarit e letërsisë, asaj letërsie që të bën të shohësh të vërtetën në të gjitha këndvështrimet, të humbësit e të fituesit. Botimet Living kanë bërë një punë të shkëlqyer me sjelljen e romaneve të kësaj natyre.