Anabela, një roman mbi ëndrrat e bëra realitet

Anabela, një roman mbi ëndrrat e bëra realitet

“Anabela” është romani i parë i shkrimtares Adela Çaushllari por ngjarjet e këtij romani janë larg mjedisit shqiptar. Ngjarjet zhvillohen në SHBA mes ëndrrave për Hollywood-in, shkëlqimeve të modës së fundit dhe botës magjike të spektaklit dhe kinemasë. Megjithatë, jo çdo gjë ka kaq shumë shkëlqim. Pas përpjekjeve të vazhdueshme të Anabeles, personazhit kryesor, për sukses, fshihet historia e saj sa e dhimbshme aq edhe frymëzuese.

Anabela jeton me gjyshen e saj në fermë ndërkohë që vazhdon studimet për aktrim. Dikur kishte një familje të madhe dhe të bukur ku 4 motrat e saj të tjera ishin gjithçka për të. Papritur, një ditë, dy prindërit e vajzave zhduken pa lënë asnjë gjurmë. E dëshpëruar dhe e gjendur larg të motrave, Anabela i përkushtohet ëndrrës së saj për tu bërë një aktore e madhe, ashtu si mamaja e saj kishte qenë dikur. Shtysa më e madhe është i dashuri Kris, bashkë me të cilin Anabela nis rrugën e gjatë të karrierës.

Megjithatë, romani merr një kthesë të papritur kur Anabela mëson të vërtetën mbi historinë e prindërve të saj. A janë ata ende gjallë? Nga ana tjetër, a do të vazhdojë Kris të jetë një mbështetje e madhe për Anabelën apo duhet ta vazhdojë e vetme ëndrrën e saj drejt botës së kinematografisë?

“Anabela” fsheh një histori të dhimbshme familjare por gjithashtu është pasqyrë e një vajze të fortë që lufton për të bërë realitet ëndrrën e saj pavarësisht vështirësive. Romani na sjell një sërë personazhesh të cilët do t’ju kujtojnë patjetër dikë që njihni e do t’ju shtyjnë të zbuloni më shumë. Ky është një libër për të gjithë ata që dikur kanë ëndërruar apo ende ëndërrojnë mbi botën e kinemasë dhe modës, për të gjithë vajzat adoleshente që duan t’i bëjnë një dhuratë mikes së tyre të zemrës dhe sigurisht për të gjithë ata që punojnë fort që një ditë të jenë të famshme e të suksesshme.