Biribijat e Xhojsit

Biribijat e Xhojsit

Nga Krenar Zejno

Ej, sot është Bloomsday!
16 Qershor. Dita e Blumëve të Xhojsit, edhe këtu në vendin të cilin ai, kushedi si a kushedi pse, e quajti Dalbania. Në atë pasazh të çuditshëm në shqip në një nga faqet e veprës së fundit të pafundme të tij, ku plëngun e shqiptuesve të kësi gjuhe e thërret së toku: biribija.

“Uliksi – njëdita e një jete, por mund të ishte edhe jeta e një sekonde. Natyrisht koha matet, fund e krye” – i thotë Joyce në bisedën e rrallë, nga të paktat që na ka lënë, poetit çek dhe përkthyesit të tij, Hoffmeister. Dhe ky e pason: kritiku Brion, në një artikull brilant për konceptin e kohës në veprën tuaj, ka shfaqur hipotezën se diferenca mes Zotit dhe njeriut qenka veçse një çështje kohe.

“Po, më ka krahasuar me Proustin. Për Proustin koha është qendra e të përgjithës. Ky z. Brion na ka zbuluar në veprën time parimin e relativitetit. E për të, vepra ime është poaq e pakuptueshme sa ajo e Ajnshtainit”.
Tani që e shpallëm festën e çikërrimave, le të ndërhyjmë një thashethem në thashethem, jemi që jemi në festë:
Ciorani në ‘Mbresa takimi me Beckettin’ thotë se sipas këtij “Xhojsi nuk revoltohej kurrë, ishte i shkëputur, i pranonte të gjitha. Për të nuk kishte pikë ndryshimi mes rënies së një gjetheje dhe rënies së Satanait… dhe se Joyce nuk na kallëzon gjëra, ai na shërben vetë gjënë.”

Askush si ai nuk pat mbërritur të shkruajë belbëzimin dyfish, të njëmendtë dhe të njëkohshëm, magjinë e të folurit dhe monologut të brendshëm njëherësisht me të menduarit diç tjetër ndërkohë. Që, fatlumnisht, bashkëkohësit nuk pritën ta kuptonin fije për pe, gjë që mbase s’mbaron kurrë, por patën prirjen për ta ndjerë si librin të cilit, e thënë nga një tjetër shkrues bashkëkohës i Xhojsit dhe në po atë lartësi të kohës: “i përkasim të gjithë dhe askush prej nesh nuk mund t’i shpëtojë”.

Pak histori! Thjesht sa për datën e sotme… fare pak, e kam parasysh, vetë Uliksi i Joyce-it është demarsh demontimi mitesh dhe çhistorizimi. Siç dhe Uliksin e Homerit, sidoqë e adhuronte si model të njerëzimit, na e nxorri edhe belik modern, meqë sipas tij Uliksi antik ishte, në fakt, edhe shpikësi i parë i tankut qysh në bark të… kalit!
Data 16 qershor, kohëdita e shtrirjes së një modeli njerëzor- njohja dhe takimi i parë me Norën, pastaj vendimi i beftë për të ikur tutje bashkë me të , vendosja në Trieste deri më 1920. Me Nora Bernacle, e cila mbeti një grua mjaft e respektuar prej Joyce-it, ngase diti t’i shkonte gjeniut për shtat e sipas avazit xhojsian, duke qenë veçse një shtëpiake e zonja në menage familjare, me gjithë, sipas saj, “nevojën e këtij për të shkruar ato libra që kurkush s’i kupton”

E kështu, na e përdori datën e historisë personale për të ndërtuar një histori që mandej adhuruesit nëpër botë do ta festonin si sot e gjithë ditën. Ashtu siç përdori, veç të tjerëve, edhe vetë Norën tek i dërgonte letra dashurie pervertuar me merak sikur prej tjeterkujt, për të parë reagimin që më tej do t’i duhej poetikës së tij, diku edhe të prapë edhe sëprapthi.

Kësisoj, nis odisea e Uliksit. Dhe Jeta e Xhojsit ndahet në 3 herë nga 2 dekada:
20 vitet e para në Dublin, 20 të dytat mes Trieste e Zvicër dhe 20 të tjerat në Paris, duke krijuar rrotull tij atë vorbull të plejadës pariziane dhe mërgatës së letrave, me Heminguej, Ezra Pound, Gertrude Stein, Fitzgerald, Henry Miller, Beckett… e me rradhë.

“Është një tip egocentripet, i ftohtë, që endet në një hapësirë ndërspaciale yjesh, dhe që i thëthin tërë energjitë përreth vetes brenda gropës së zezë të gjenisë së tij të padiskutueshme”, dëshmoi Robert Spoo.
Janë mbi 500 (duket krejt e pabesueshme!) adresat e shpërguljeve dhe nomades reale të tij, numëruar saktë prej dëshmive e letërkëmbimeve, dhënë e marrë gjatë një odiseje të vërtetë vendodhjesh e pikëvështrimesh të shumanëshme.

Uliksi shpërfaq veprën më të gjerë e humane të shkruar në Evropë qysh prej Rabelais – tha vetë i zoti i saj, Joyce. Silvia Beach, libraria e Shakespeare and company, do ta merrte të mirëqenë këtë pa hezituar gjatë, edhe mu në mes të egërsisë së censorëve gati inkuizitorë. E kështu, ajo i dha fund odisesë së botimit, duke nxjerë në dritë atë peripeci gjuhësore revolucionare Uliksin – librin, mallkuar qoftë, më të mrekullueshëm, siç anatemoi Heminguej duke e ngritur njëherit në qiell. Refuzimit nga ana e botuesit – të cilit Joyce i ishte drejtuar diss herë për botimin e veprës, deri në çastin e takimit me Silvian-, ai i ishte përgjigjur me një siguri shprehjeje të parevokueshme: “ Si të doni zotëri, por lypset ta dini, ama, se duke mos e pranuar botimin e këtij libri Ju do të mbeteni përgjegjës për vonesën e civilizmit në vendin tuaj”.

Do të farkoj në kudhrën time vetëdijen e papjekur të sojit njeri- pat bërë premtimin qysh herët Xhojsi me Stiven Dedalusin te Portreti i artistit në rini. Dedalusi mitik e pat pajuar birin Ikarus me krahë dylli për të flatruar kah dritës së diellit, në hapësira në të cilat njësh me dritën flatrat mbesin pa voli dhe, kësisoj, pa kuptim. Pikërisht në këtë hapësirë, e mbase dhe në këtë të pavolitshme e të pakuptimë ndehet vetë kuptimi i Uliksit të sorollatjes në sokakët e mëhallat e një qyteti dosido. Mendohet se sikur Dublini të rrënohet i tëri do të mund të rindërtohej tullë pas tulle falë Uliksit të urbanistit Joyce. Mbase dhe stratosfera dhe eteri prej një Xhojsi astronom!.
Vetë Xhojsit i pëlqente metafora që përkthyesi frëng Valery Larbaud ngrehu për pjellën e tij, ajo e “ një qielli plot yje, që po ta vështrosh gjatë dhe këqyrësh me kujdes, vjen e bëhet më i bukur, siqë shfaqen yje të rinj e të paklasifikuar kurrë më parë”.

Ndoshta pyetja me të cilën çelet punumi i Umberto Ecos Portokolle të rreme, fill pas Xhojsit iu rivjen në mend jo pak shkruesve, prej të cilëve jo pak janë përvëluar pa nxjerrë gjë të hajrit në dritë: “Nëse në botët e rrëfimeve u ndejtka kaq rehat, përse atëherë të mos tentojmë ta lexojmë edhe vetë botën reale sikur të ishte një roman? Ose, e thënë ndryshe, meqë botët e sajesës së rrëfimeve janë kaq të imta e vogëlimta dhe djallëzisht të rehatshme, pse të mos kërkojmë të konstruktojmë botë narrative që të jenë komplekse, kontradiktore e provokatore si bota reale?. Më lejoni t’i përgjigjem menjëherë pyetjes së dytë. Dante, Rabelais, Shakespeare, Joyce kanë bërë pikërisht këtë”. E ky i fundit mund të klasifikohet pa frikë si një timekiller i pafajshëm, një serialkiller i kohëve të shkrimit të qindra aspiarantëve shkrimtarë të mbetur në tentativë. Vetë Eco mezi ia doli tërthorazi t’i shpëtojë kësaj, në një farë mënyre.

Ende, Xhojsianët e studimeve të thelluara vijojnë të enden në ujërat dhe lëndën e Uliksit, të gjejnë (sikur të ishte material rezatimi radioaktiv!) e të na kallzojnë mbi atë ç’ka thurr polisemia verbale, liria e asocimit mendor si mekanizëm i të menduarit, memories e gjuhëzimit te Joyce. Të tjerë janë marrë e marrosur me korpusin xhojsian si një Gjithçka e determinuar, paracaktuar. Pra, bashkësia e të gjithës, të përgjithës me detajet; me rimat e çikërrimat ku asgjë nuk shpërfaq ndonjë ide të qartë për ngrehinë ose, më saktë, asgjëja bëhet projekt, konstrukt, qiellgërvishës.
***
Dhe tani, për ju, biribija, kjo pjesë e zgjedhur nga polifonia e Xhojsit, hedhur drejpërsëdrejti në gjuhën shqipe në një pasazh të shënimeve të Finegan’s Wake:
Tjetër shtresë ndaj rërës origjinale […]
… gjallimi duke belbëzuar mbi një karrig’, një voe halli nga Dalbania me një sy en’ ku bëhet darka, cdo gotsasi me raki, një portokall e ca buk të shtruara në sofër, të kujtohet ai lloj i tbutë sheqiri që motra na tregonte kur të gjithë ishim biribijat apo nipa e mesat… ka a’ rritur lëndjën tokësore ndërsa ngarriteshim në të shkuarën.

E pas kësaj performance shqip, e sjellë nga gjeniu si prej supës primordiale, a si për një vakt të vetëm thelbësor, po e përmbyllim me festivitet nën një hare aforistike ndër copëra frazash Uliksi:

Sot është Bloomsday! Dita pra, që mund të ishte edhe sa një jetë e gjithaq sa një sekondë; edhe sa metri, kuti, apo perimetri i tërë galaktikës xhojsiane në të cilën sa herë të hyjmë përmes festave të leximit do ta gjejmë gjithëherë ndryshe. Dhe do të vendosemi të shohim nga pika vështrimi që pasurojnë me pikvështrime në atë soj historie pa rrëfim historie; mitologji pa zulmë dhe antikitet pa lavdi; boshin pa zbrazësi; rastësinë mbret me dhe pa mbretin rast.

Rrallë mund të ngjasë që një vepër të jetë aq elitare saqë rasti i saj të jetë emblematik dhe njëherit të bëhet gjithaq popullor, e mandej të bartë e të mbetet edhe pas një shekulli nën këtë cilësi të dyfishtë. E nën të cilën vijojmë ritualin e mbrëmjes së përvitshme, që s’mund të mos e festojmë, meqë sipas tij:
“Domosdoshmëria është ajo gjë sajë virtytit të së cilës është e pamundur që diçka të jetë ndryshe”
Më shumë se ditë letrare kjo vjen e sillet, ndoshta, si një ngjarje e natyrës; dhe ne po e mbushim pse “Natyra e urren dhe nuk e duron zbrazësinë”. Dhe ngase “ngjarjet e ardhme na e hedhin hijen si paralajmërim për të tashmen”. Me gjithë hijen e biribijave tek ‘ngarriteshim në të shkuarën’.

Është dita botërore e Uliksit, kur ende “Paqja dhe lufta varen nga tretja në stomakun e dikujt”.
Ajo festohet edhe me konjak, birra, rum e pallë kudo ku “Zoti ka bërë ushqimin, djalli guzhinjerët”. Festohet nën tundimin dhe këshillën “Mos e hani mishin e viçit se sytë e lopës do t’ju ndjekin gjer në përjetësi”. Ende sot e kësaj dite “Nuk mund ta hash sheqerparen dhe ta kesh, prapseprapë, në pjatë”.
Dhe, kujdes: “kur të kafshon ujku bëj durim, llahtarë është kur të kafshon delja”.
Ishte Bloomsday, sot e gjithë ditën, kur “Çdo e premte varros të enjten që ka përpara”
Dhe, sërish “asgjë e re nën këtë diell”.

Porse pa leximet do vijojë të mos dihet açik që “Gjithkush një asgjë është”. Ndoshta edhe pas kësi mbrëmjesh e panairesh kotësie nuk se ka për të ndryshuar gjë, ama të paktën mbetet një farë shijeje nga një amë libri dhe feste… diç për të rrëfyer e për t’u rrëfyer diku si dikur, si tani kur “të gjithë buzëqeshin buzëqeshjet përkatëse”…

16 Qershor, Zenit, Tirane