“Çdo ditë nga dhjetë minuta”, guxoni të bëni diçka krejtësisht të re!

“Çdo ditë nga dhjetë minuta”, guxoni të bëni diçka krejtësisht të re!

Nisa të lexoj “Çdo ditë nga dhjetë minuta” nga Chiare Gamberale krejt rastësisht. E mora nga libraria këtë libër për t’ja dhuruar një mikes time e cila po kalon një periudhë të vështirë. Nga promovimi i këtij libri dhe “Dritat në shtëpinë e të tjerëve”, të dy nga shkrimtarja Gamberale, thuajse një vit më parë, ajo që më mbeti në mendje ishte historia e bukur e romanit “Çdo ditë nga dhjetë minuta” dhe e Kiarës, personazhit të saj, e cila zgjodhi një mënyrë aspak të zakontë për të kaluar të papriturat që jeta i solli.


Libri, një auto-fiction i vet shkrimtares, na tregon historinë e Kiarës, e cila e gjen vetën përballë tre vështirësive të mëdha: bashkëshorti e ka braktisur, rubrika e saj në gazetë është zëvendësuar me një tjetër dhe shtëpia e re në një qytet të madh i duket e tmerrshme. Megjithatë, ajo vendos, jo vetëm t’i bëjë ballës jetës, por edhe të zbulojë çdo gjë të bukur që fshihet në të. Sa herë na ndodh në rutinën tonë të bëjmë diçka të re, ndryshe nga e përditshmja? Kiara na fton ta bëjmë këtë çdo ditë për vetëm dhjetë minuta. Të ecësh mbrapsht në rrugë, të shkosh në një kurs hip-hopi, të gatuash petulla, të përgjosh të panjohurit…janë këto disa nga dhjetë minutat e këtij eksperimenti kaq të pazakontë.

“Çdo ditë nga dhjetë minuta” është një roman i cili do ju sjellë shumë buzëqeshje e do ju argëtojë pamasë dhe, pikërisht në ato momente, me një gjuhë të thjeshtë e të bukur, do ju përcjellë mesazhe frymëzuese. Është e pamundur të lexosh këtë libër e mos të mos mendosh: “Po sikur Kiara të jem unë? A do të guxoja çdo ditë nga dhjetë minuta të ndryshoja jetën time?

Romani është shumë i këndshëm dhe i thjeshtë. Fundi i tij është ai që më pëlqeu më shumë, e do të zhgënjehesha nëse do të ishte “aq i sheqerosur” sa çdo roman tjetër romantik. Jua sugjeroj të gjithëve, dhe mos u çudisni, tek lexoni rreshtat e fundit, papritur t’ju lindë dëshira t’i shkruani dikujt “A mbjellim një pemë këtë të shtunë?”

Shkrimtarja Chiara Gamberale gjatë promovimit në Tiranë

Fragment nga romani ” Çdo ditë nga dhjetë minuta”
“Në fund të fundit, jemi të ndryshëm. Shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Lexojmë të shtyrë nga mërzia, kureshtja, për tu arratisur nga jeta që bëjmë, për ta parë atë në fytyrë, për të ditur, harruar, për të qetësuar përbindëshat mes kokës dhe zemrës, për t’i çliruar ata.
Nuk ngjajmë fare me njëri-tjetrin, edhe pse mbajmë në duar, e duam, e urrejmë, apo ia dhurojmë atij që kemi për zemër në Krishtlindje, të njëjtin libër.
As që ngjajmë fare. Ndaj dhe pikërisht ky fakt dëshmon, pa asnjë lloj dyshimi faktin se: ekzistojmë.”

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *