“Dhoma” nga Emma Donoghue, të përpiqesh të sfidosh botën pa u njohur kurrë me të

“Dhoma” nga Emma Donoghue, të përpiqesh të sfidosh botën pa u njohur kurrë me të

Nga Armando Qosja

Shpeshherë më ndodh që pasi kam lexuar një libër, të vizitoj faqen Goodreads për të lënë përshtypjet dhe vlerësimin tim, e më pas të vendos për librin e radhës. Pasi kisha lexuar “E dashura ime Sputnik” (lexo më shumë këtu), rastësisht lexoj në këtë faqe më shumë mbi romanin “Room” (Dhoma) nga Emma Donoghue, i shpallur libri i vitit në kategorinë Fiksion në 2010 nga Goodreads, me vlerësime të mira nga lexuesit, dhe së fundmi edhe një film i arrirë, sipas kritikëve. Vendosa të lexoj librin duke mposhtur kështu tundimit për të parë më parë filmin (ashtu siç kam bërë në disa raste për të qenë për të evituar së lexuari një libër që më dukej i lodhshëm)

Xheku ka lindur në dhomë, dhe ato pak metra katrorë janë për të i gjithë argëtimi, këndvështrimi i tij për botën dhe realitetin. Maja, e rrëmbyer dhe e mbajtur peng prej 7 vitesh, ngrys ditët e saj në dhomë mes lojrave me Xhekun, mirëbajtjen e dhomës dhe përdhunimeve të përsëritura nga rrëmbyesi i saj. Ajo përpiqet me të gjitha mënyrat për të dalë por pa rezultat. Tashmë, misionin e vështirë për të shpëtuar veten dhe të ëmën do ta ndërmarrë heroi i vogël, Xheku.


Libri ka nje stil të thjeshtë por të detajuar i cili përshkron mjaft mirë ndjenjat dhe ngjarjet. Fillimist njihemi me rutinën e përditshme të personazheve në dhomë, dhe në mënyrë të shpenguar romani hedh dritë mbi zanafillën e historisë. “Dhoma” është nga ata libra të cilët vështirë t’i lësh pas dore. Atë do ta lexoni kudo dhe kurdo, herët në mëngjes, natën vonë, në autobus, në kafene gjatë pritjes së një miku, vetëm për të mos lënë asnjë çast pas dore historinë e Xhekut dhe mamasë së tij në atë birucë të quajtur dhomë.

Në këtë libër, do të veçoja raportin e krijuar mes Xhekut dhe mamasë së tij. Edhe pse të marrë peng e të mbyllur në një dhomë, Maja bën gjithçka që fëmijës së saj mos t’i mungojë asgjë, duke krijuar një mini bote ku Xheku dhe ajo janë të vetmit banorë. Maja kujdeset që Xheku të mësojë rutinën e duhur të larjes së dhëmbëve, mos të konsumojë shumë sheqer, t’i tregojë përralla e të bëjë mjaftueshëm ushtrime fizike për të vënë në lëvizje muskujt.

“Dhoma” është një himn mbi dashurinë, mbi shpresën dhe këmbënguljen, mbajtjen e një fije shprese gjallë, një libër i cili të ndryshon pasi e ke lexuar, e të bën t’i shohësh gjërat në një këndvështrim tjetër.

Para disa ditësh fillova të shoh versionin e librit të përshtatur si film. Titrat e fillimit kalonin e në mendjen time risillja pjesë të librit e përgatisja pritshmëritë e mia. 8 minuta! Po po, 8 minuta nga filmi pashë dhe nuk munda ta vazhdoja më tej. Nuk mund të them se ishte realizuar keq, por në mendjen time kisha një tjetër Xhek dhe një tjetër Ma. Ishte e pamundur të lejoja filmin të më tjetërsonte ato ndjesi e përshkrime sa të bukura aq edhe plot ankth të dhomës së Donoghue, në një orë e gjysmë në errësirën e dhomës time.

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *