A e njihni poeteshën e parë shqiptare?

A e njihni poeteshën e parë shqiptare?

Sa herë që flasim apo dëgjojmë për Letërsinë shqipe, thuajse pa e kuptuar, mendja na shkon vetëm tek shkrimtarët burra. Edhe në tekstet shkollore të letërsisë, të pakta janë shkrimtaret gra të cilat i kemi studiuar. Ndaj, i vura vetes një qëllim: të gjeja shkrimtaren e parë shqiptare! Sfidë apo jo? Megjithatë, e nxitur edhe nga shumë ndjekës në faqe të cilët kërkonin të dinin më shumë mbi shkrimtaret gra të letërsisë shqipe vendosa të kërkoj më shumë mbi krijueset e para në penën shqipe.

Nga një studim i Prof. Nasho Jorgaqit, vetëm nga fundi i Rilindjes u dukën emrat e dy intelektualeve të para në jetën shqiptare të cilat ishin motrat Qiriazi. Ato ngritën shkolla shqipe, hartuan tekste shkollore, nxorën revistën “Ylli i mëngjezit” në SHBA. Prej tyre kemi vargjet e para, siç është teksti i himnit të Kongresit të Manastirit, hartuar nga Parashqevi Qiriazi, apo tekstet e këngëve shkollore, të shkruara nga Sevasti Qiriazi. Megjithatë, letërsia e mirëfilltë në këto vite nuk ka qenë e shkruar.

Ashtu si shkrimtarja Jane Austen shkruante në fshehtësi, ashtu edhe gratë në vendin tonë, për shkak të fanatizmit e analfabetizmit dhe të prapambetjes sociale, preferonin të mbeteshin anonime. Gruaja shqiptare mund të thurte vargje në moshën e dashurisë, të këndonte këngë djepi si nënë, të vajtonte me ligje, e të rrëfente përralla si gjyshe, por nuk mund të ishte një individualitet letrar. Shoqëria shqiptare, sidomos në dy dekadat e para të mëkëmbjes së shtetit shqiptar, me prapambetjen, padijen dhe varfërinë, nuk tregonte asnjë lloj interesi për botën kreative të gruas shqiptare, sidomos të letërsisë.

Megjithatë, nga kërkimet e bëra rishtazi në qarqet letrare të diasporës arbëreshe rezulton se në Kalabri është botuar në vitin 1917 një përmbledhje modeste me vjersha arbërisht nën titullin “Canti” me autore Maria Antonia Braile, e lindur në San Demetrio Corone, në Kalabri. Ky vëllim përbëhet nga gjashtë pjesë, lirika intime. Ndër veprat e tjera të saj vlen për tu përmendur elegjia kushtuar të birit tek “E kuqja e sëmunit”. Ajo gjithashtu ngre zërin si grua kundër luftërave të padrejta në poezinë “Për luftën”. Edhe pse u nda në moshë të re nga jeta, Maria do të mbahet mend si poetesha e parë shqiptare. Ajo konsiderohet si zë i rrallë që guxoi të shfaqë nevojën e brendshme për të shprehur hapur ndjenjat nëpërmjet fjalës artistike.