Edhe një herë për Perucët, Duçen dhe Italinë që nuk e njihnim

Edhe një herë për Perucët, Duçen dhe Italinë që nuk e njihnim

Nga Eni Myrtollari

Teksa Kanali Musolini 2 po del në librari, është çasti të kujtojmë suksesin e romanit të parë me të njëjtin titull të Antonio Pennacchit. Aty nis odiseja e familjes Peruci, të dëbuar nga Italia e Veriut “prej kontëve të mallkuar Xorxi Vila dhe kuotës 90”, që u morën çdo gjë, tokat dhe kafshët, e i nxorën në rrugë të madhe. Do t’u duhej të shkonin në Kënetat Pontine, në jug të Romës, bashkë me 30 mijë fshatarë italianë, për të ndërtuar Kanalin Musolini, zemrën e kësaj toke të re, e cila u hap si për të përmbushur ambicien e madhe të Duçes (bonifikimi i atyre tokave pat qenë shqetësim i madh për të gjithë, ama vetëm diktatori Musolini arriti t’i thante e t’i kthente kënetat në toka buke, duke zhdukur kësisoj malarien e shumë sëmundje të tjera).

Zhvendosja epike me laçkë e me plaçkë e këtyre familjeve jepet nëpërmjet rrëfimit të shkëlqyer të Pennachit, i cili, që në hyrje të romanit, thotë: “I bukur a i shëmtuar qoftë, ky është libri për të cilin kam ardhur në botë”. Me anë të tij, autori do të tregojë, me humor, por shumë seriozisht, historinë e familjes Peruci, që është historia e të gjithë venetëve, frulanëve, ferrarezëve dhe e tija, tekefundit.

Historia zë fill më 1929. Prezantohemi me këtë familje krejt të veçantë. 17 fëmijë. Një galeri e tërë personazhesh, gjithsesi një roman pa personazh kryesor, sepse secili prej tyre i jep ngjyrat e veta librit. Izeoja, Perikliu – gjaknxehtë dhe jo aq orator sa mund të mendoni prej emrit që mban – Turati, Trevesi, Themistokliu, Adeki – që më shumë rri dhe lyen flokët me brilantinë, se sa punon – Izeoja dhe gjyshi zemërbutë janë meshkujt e derës Peruci, ama ligjin në shtëpi e bën gjyshja, një bukuroshe e vërtetë në kohë të vet. Ajo është matriarkia që drejton punët në bashtinën Peruci, këshillon nuset dhe mban nën fre bijat e saj kokëforta: Bisolata, emri i saj do të thotë “gjarpër”, dhe ashtu është vërtet. Ndërsa Modiljana e mirë dhe e dashur, më e dëgjueshme. Kuptohet që emrat e tyre janë zgjedhur me kujdes, se plaku Peruci kish vendosur që fëmijët t’i quante si drejtuesit e lartë të partisë, ca syresh i pat takuar në rini. Edhe Musolinin, madje.

Pas vendosjes në Kënetat Pontine, nis jeta për Perucët me punët e fushës, fatkeqësitë, mundimet, gëzimet dhe luftërat, në të cilat meshkujt Peruci duhej të shkonin sido që të bëhej, më shumë të detyruar, se prej dëshirës. Ata jepen si njerëz shumë punëtorë, por edhe krenarë e kryelartë. Meshkuj e femra nuk u ikin dot besëtytnive, e shijojnë jetën dhe i duan kafshët, përveç Adelkit që nuk bënte për punët e fushës.

Shpesh rrëfimi i drejtë thyhet e Pennachi u kthehet ngjarjeve dhe situatave që personazhet e tij kanë përjetuar: takimet me Musolinin, që asokohe nuk ishte ende Duçja i madh e që fliste në dialekt, madje shkonte për drekë te Perucët, kur gjyshja gatuante fasule, kohët e burgut që gjyshi pat bërë me Rosonin, sulmin e anglezëve, fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe rënien e fashizmit. Kjo, pra, është Italia që nuk e njihnim e ajo që nuk na e mësojnë dot librat e historisë. Historia është ajo që dihet, dhe faktet po ato, por tanimë e parë me sytë e njerëzve të thjeshtë.

I gjithë rrëfimi është në formën e filósë, mbledhje pranë vatrës për të biseduar, për t’u argëtuar e për të pirë. Ndaj autori ka “kërkuar ndihmën e një personazhi”, sepse ai që e tregon është njëri prej pinjollëve, i riu Perikli Peruci, djali i Armidës dhe Perikliut. (Apo i Paridit?! Armida dhe bletët betohen e gumëzhijnë që është biri i Perikliut se!) Rrëfimi gojor do ta bëjë lexuesin pjesë të librit, sikur edhe ai ndodhet në filó e po bisedon me dom Perikliun (“Si, nuk më besoni?” “Po unë ç’t’ju them?” “E kuptoj, po ne ç’të bënim? ”). Identiteti misterioz i këtij rrëfimtari do ta ngacmojë lexuesin deri në faqen e fundit, kur premton se “do të shihemi së shpejti, nëse Zoti na e mban shëndetin”.

Fundi. Por edhe fillimi i një historie të re po kaq mbresëlënëse, e përkthyer sërish nga Diana Kastrati.