“Enigma e një fundi”, një libër për të mos harruar se kush jemi

“Enigma e një fundi”, një libër për të mos harruar se kush jemi

Nga Flogerta Krypi

“Sa shpesh e tregojmë historinë e jetës sonë? Sa shpesh e rregullojmë, e zbukurojmë, i heqim ndonjë copëz të padëshiruar aty-këtu? Dhe sa më shumë rrojmë, aq më të paktë bëhen ata që mund të na e kundërshtojnë historinë, të na kujtojnë se jeta jonë nuk është jeta jonë, nuk është historia që ne kemi treguar për jetën tonë. Që u tregojmë të tjerëve, por kryesisht edhe vetes”.

E nisa në këtë formë komentin tim për romanin “Enigma e një fundi” shkruar nga Julian Barnes, sjellë nga Botimet Pegi, nën shqipërimin e Ilir Baçit. Ky roman do të jetë gjithmonë tek të preferuarit e mi, për sa i përket letërsisë bashkëkohore, për një arsye të thjeshtë. Vërtetësia e këtij romani i tejkalon pritshmëritë e mia sa herë që i rikthehem për t’a lexuar.

E kam zakon që sa herë të përfundoj një libër, kam në kokë një listë me pyetje në lidhje me librin, përgjigjet e të cilit gjenden thuajse gjithmonë në përditshmërinë tonë, sepse letërsia është një lloj kombinimi i socioliogjisë dhe psikologjisë, ku çdokush mund të bëjë “një studim” të sjelljes njerëzore për të krijuar atë që quajmë, filozofia e jetës.

Ky roman tregon historinë e disa miqve jeta e të cilëve, merr kthesa të frikshme kur njëri prej tyre vetvritet dhe shkaqet për këtë vetvrasje shfaqen shumë vite më vonë, për shkak të një ditari të lënë trashëgimi.

Vazhdimisht Toni, në të njëjtën kohë ai që rrëfen dhe zbulon ngjarjen për lexuesin, sjell në mendje kujtime nga jeta e tij, një tradhti, copëza jete të lënë në një qoshk të kujtesës, që me vitet e kaluara, janë shndërruar në një histori shumë ndryshe nga ç’ka qenë. Tonit i kujtohet dhe mënyra se si Adriani e përcaktonte jetën dhe kuptoi me kalimin e viteve që ai kishte të drejtë.

“Jeta jonë nuk është jeta jonë, por vetëm historia që i kemi rrëfyer vetes”. Udhëtimi në të shkuarën, në zonat e errëta të jetës, me dhembjet e sekretet e veta të pashpëna gjer në fund, kthehet në një reflektim mbi aspektin iluzor të historisë, “ajo siguri që bëhet e rëndësishme atje ku boshllëqet e kujtesës ndeshen me papërshtatshmërinë e dokumentimit”.

Një roman që duhet lexuar si nevojë për reflektim dhe mbi të gjitha për të mësuar të ndajmë atë çfarë ndodh realisht në jetën tonë, në krahasim me atë që ne mendojmë se ndodh. Një libër që duhet të jetë patjetër në bibliotekën tuaj. Më poshtë do të gjeni dhe disa fragmente nga libri.

Fragmente nga libri

 -Kjo qe një tjetër frikë e jona, se jeta nuk do të na dilte si nëpër libra.

– Padyshim që besoj se të gjithë ne kemi pësuar dëm, në një mënyrë ose një tjetër. E si të mos dëmtohesh, në një botë ku nuk është i përsosur asnjë prind, asnjë vëlla a motër, fqinj apo shok? Pastaj, është edhe çështja, prej së cilës varet gjithçka, se si reagojmë ne ndaj dëmit: nëse e pranojmë apo e ndrydhim, dhe si i cënon kjo marrëdhëniet tona me të tjerët. Po kaq paqesisht arrij të mendoj vetëm në çastet kur jam krejt i qetë. Ndërkaq kur jam i fyer, më kthehen përsëri në mendje të gjitha fyerjet që më ka bere, kur ndihem fajtor, më kthehen ndjenjat e dikurshme torturuese të fajit, dhe më kap një mall i madh për kohën të cilën kemi kaluar bashkë.

-Etapat e jetës sonë janë aq afër njëra tjetrës, saqë shpesh ato që mendojmë që i kemi mbyllur përgjithmonë, i gjejmë në realitetin e përditshëm e nuk na duken si gjera pa vlerë dhe të vdekura. Në të vërtetë ato janë aktuale dhe të gjalla. Këtë e kuptoj, por shpesh e kam të veshtirë ta pranoj. Mbase unë e shkrova historinë tonë ngaqë doja të shkëputesha prej saj, edhe pse e kisha të qartë që nuk do të mundesha.

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *