Getsbi i madh, një roman për humnerat e shpirtit të njeriut

Getsbi i madh, një roman për humnerat e shpirtit të njeriut

Nga Flogerta Krypi

Në vitet më delikate të rinisë, babai im më dha një këshillë që nuk më ka dalë kurrë nga mendja: “Kur ke dëshirë të kritikosh ndokënd, më tha, ki parasysh se në këtë botë, nuk kanë pasur të gjithë mirësitë që ke pasur ti.”

Kështu mori jetë romani i Fitzgeraldit, që do të bëhej i famshëm vetëm pas vdekjes së tij, duke u kthyer një himn për kohës e xhazit dhe dashurisë. Kur vdiq në vitin 1940, në moshën 44-vjeçare, në funeralin e tij morën pjesë vetëm 30 vetë. F. Scott Fitzgerald iku nga kjo botë duke menduar se ishte një dështim i plotë në letërsi. Në fakt, nuk ishte as i pari dhe as i fundit artist që bëhet i njohur pas vdekjes.

Kur Fitzgerald vdiq, botuesit e tij kishin stok kopjet e para të printuara të atij që më vonë u kthye në klasik të letërsisë amerikane dhe botërore, “Getsbi i madh”. Rreth 20 vjet më vonë, kur më në fund bota vendosi të hapë sytë, Fitzgerald nisi të vlerësohej si një nga personalitet më të mëdha të shekullit dhe “Gatsbi” si një nga romanet më të mirë të kohës. Po pse u konsiderua ai tillë?

Ky roman, i shkruar rrjedhshëm dhe pa gunga letrare, e dërgon lexuesin drejt një porte madhështie, duke zgjuar tek ai nevojën për të ditur se çfarë fshihet pas maskës së madhështisë në jetën e këtij njeriu misterioz për të cilin të gjithë flasin, por askush nuk e ka takuar. Një lloj Godoje, mund të thuash, ku të gjithë vrapojnë për të shijuar festat, ku shumica janë pa ftesa, gjersa në një moment të caktuar Godoja kthehet në njerëzor dhe shëndërrohet në një njeri me emër, mbiemër dhe portret fizik. E megjithatë nuk është kjo ajo çfarë Fitzgerald i mëshon.

Bëhet fjalë për Xhej Getsbin, një i ri ambicioz, që nxitet nga dëshira për t’u pasuruar, futet në kontrabandën e pijeve alkoolike, vë pasuri, shtron dreka, darka e ballo madhështore dhe synon që me statusin e tij të ri të pasanikut (nga një i varfër i dikurshëm), të bashkohet me ish-të dashurën e tij Dejzi, tashmë e martuar. Përpjekjet e tij në këtë synim janë dramatike dhe të ethshme dhe në rrjedhën e ngjarjeve, të treguara nga Nik Karrauej.

Shkrimtari krijon një personazh rrëfyes, që në fakt nuk është se ka ndonjëherë ndonjë rol përcaktues për ngjarjet. Ai thjesht i rrëfen ata, duke përsëritur ndonjëherë dhe fjalët e personazheve të tjerë rreth këtij njeriu madhështor. Tek kalon nga situata prekëse në realitete të tjera paralele, shpesh rrëfimtari nuk di të dallojë se kush është versioni i plotë i së vërtetës. E megjithatë në gjithë atë jetë “aristokrate të kamufluar”, Nik arrin të zbulojë detaje dhe deri diku ai gjen një justifikim për gjithçka në jetën e Getsbit.

Tek Nik rrëfen ngjarjen, Getsbi dora-dorës zbulohet si një njeri i rëndomtë, pa aureolën e madhështisë me të cilën i paraqitet lexuesit në fillim të romanit, dhe përfundon tragjikisht. Po nga buron gjithë kjo nevojë për të veshur maskat dhe për t’i treguar botës, një jetë që nuk është realisht e jotja?

Getsbi është një djalë që ka dashuruar gjer në fiksim dhe gjithçka ka bërë e ka kther në funksion të nevojës së tij për të rikthyer të dashurën e tij Dejzin në krahët e tij. Nëse ky detaj do të hiqej nga libri, a do të kishte vërtetë Getsbi nevojë për tu shndërruar në një qenie ku të gjithë shtiren sikur e duan, por në varrimin e tij shfaqet vetëm Nik?

Unë mendoj se jo. Ai do të kishte përfunduar sërish një burrë i pasur, sepse ambiciet e tij nuk ishin ato të një njeriu, që pretendon të vdesë në mjerim, por me diferencën që nuk do të jetonte për t’u pasuruar në një kohë rekord, që të hynte në sytë e të dashurës së zemrës. Dejzi është mali që ai do të ngjitet dhe gjithçka që ka bërë, e ka vënë pikërisht në funksionin e saj. Janë disa elementë që e shfaqin qartë se si disa njerëz shndërrohen të fiksuar pas gjërave apo njerëzve që humbin dhe kjo i çon gjer në degradimin e shpirtit të tyre. Do të veçoja këto:

Si fillim Nik, ndryshe nga të gjithë njerëzit që shfaqen në shtëpinë madhështore të Getsbit pa asnjë ftesë apo qoftë dhe të njohur, merr një ftesë nga vetë ai për të qenë prezent në festën e ardhshme dhe kjo për një arsye të vetme, ai është kurshëriri i Dejzit. Krijon një lloj intrige të tillë, që është e pamundur të shmanget, duke qenë se Getsbi ka kurajo për gjithçka, përveçse të përballet me Dejzin. Ai mund të mashtrojë dhe veten dhe të jetojë gënjeshtrën e tij si jetë, pa e dyshuar asnjë çast se e tillëështë jeta e tij, gjer në momentin që haset me Dejzin. Ajo është mallkimi. Mos e pasja e saj i kujton dështimin e tij, ndaj thirrja e Nikut është e planifikuar gjer në detaj.

Së dyti i mëshon faktit që ka nevojë të rrëmbejë këtë qënie që pretendon se e dashuron, ndaj dhe shtëpia e tij gjendet në krahun tjetër të detit, thjesht që Dejzi nga larg ta shikojë dhe admirojë këtë njeri, pa e ditur se ai është një burrë që dikur e ka dashuruar marrëzisht. Ai ndez fenerin si një lloj sinjali që gjendet aty dhe do jetë gjithmonë i pranishëm.

Së treti fakti që herë pas here ai sfidon bashkëshortin e Dejzit dhe do t’ia bëjë të ditur romancën e tyre, vendos Nikun në momente shumë delikate dhe shënjeshtruese. Sikur e ka zgjedhur mburojën e tij personale për gabimet që bën.

Personalisht më kanë lënë shumë mbresa disa tipare të librit, si struktura, gjuha e zgjedhur, stilistika, personazhet dhe skena ku vendoset ngjarja. Epikja në gjithë këtë libër për mua arrihet në ditët e varrimit të Getbsit të madh ku të gjitha maskat dhe miqtë fallco janë zhdukur, madhe dhe e dashura e tij Dejzi, por ka mbetur vetëm një njeri Nik. Kur të gjithë skena e teatrit që quhet jetë, bie, e vetmja gjë që mund të mbijetojë është humanizmi. Nik si rrëfimtar i paanshëm, e rrëfen qartë një gjë të tillë.

Të gjithë këto intriga të shtjelluara bukur dhe metaforikisht nga autori, sjellin në krijimin e një romani klasik. Në një farë forme ky roman është stigmatizim i ambicies së atyre të rinjve amerikanë që duan të bëhen pjesë e ëndrrës amerikane me çdo mjet e mënyrë, pa përfillur djersën dhe mundin, mbrapshtia e veprimeve të të cilëve një ditë merr haraçin e vet. Vepra është poetike, me stil të ngjeshur, plot metafora të bukura, zhbirime psikologjike, personazhe të vizatuar me mjeshtëri e me skena të larmishme të Amerikës së “viteve të xhazit”.