Historia e vërtetë e hebrenjve në Hoguorts

Historia e vërtetë e hebrenjve në Hoguorts

 

Nga Nathaniel Stein
Përktheu E. M.

Isha tejet i vetëdijshëm për hebraizmin tim, kur hyra në Hoguorts në vjeshtën e largët të 1949-s. Për të qenë të drejtë, shumë prej kurtheve të hapura antisemite tani kishin kohë që ishin venitur: ndalimi për ngrënien e mishit të derrit ishte zbutur, Briri Hebraik ishte riemëruar Kuidiç, simbolet zyrtare të shkollës ndryshuan nga kryqi i thyer në heraldikën e mëparshme (ndjeshëm, edhe pse pak me vonesë, më 1938).
Sidoqoftë, antisemitizmi i kohës sime, ndonëse jo shumë i fortë, qe jo pak i përhapur. Ky ishte antisemitizëm me pikët minimale të kalueshmërisë – një profesor mirëdashës që vuri re se e mbaja shkopin në “stilin semit” ose që ndonjë magji imja ishte “tinëzare”. Ishte antisemitizëm i hamendësuar – asnjë profesori nuk i shkoi në kokë se unë doja të bëhesha Auror, ose që mëtoja për një post në Ministrinë e Magjisë, edhe pse hebrenjtë kishin zënë vend në të dyja për dekada me radhë. Në vend të kësaj, ata vetëm sa hamendësuan se do të zgjidhja një prej industrive tradicionale hebraike, si tregtar mantelesh padukshmërie ose shitës me shumicë i shkopinjve magjikë.
Dhe ishte antisemitizmi i përjashtimit. Si të gjithë studentët hebrenj në ato vite, e dija se nuk kisha mundësi për t’u pranuar në një prej katër shtëpive të mëdha. Përkundrazi, u përballa me zgjedhjet aspak ndjellëse që t’i bashkohesha shtëpisë hebraike Hileliaria, ose të mos bëja pjesë askund. Asnjë hebre nuk është futur në një prej katër shtëpive të mëdha (përveç xhuxhëve shtëpiakë, hebrenj safi, të shtëpisë së Gjarpërblertëve) deri në vitin tim të fundit të shkollës, kur Baldoskuqtë pranuan yllin e Kuidiçit, lojtarin MejerLevinson. Isha mik me Mejerin, që ishte gati-gati hero për shokët e tij hebrenj në shkollë, dhe më tha në mirëbesim se te Baldoskuqtë, edhe pse i adhuruar, madje ishte idhull për talentin e tij në atletikë, edhe ai qe ndeshur me shikime përbuzëse të atypëratyshme. Do të kalonin njëzet vite të tjera para se Korbzinjtë të bëheshin shtëpia e parë që pranonte hebrenj në numër të madh, dhe mbeti shtëpia e vetme për hebrenj, magjistarë me ngjyrë dhe homoseksualë, deri në çastin kur integrimi u bë i detyrueshëm me një akt në Parlament, më 1992. Po, 1992.
Këto fakte do të habisin studentët e Hoguortsit sot, sidomos ata që e njohin mirë historinë e judaizmit në shkollën e tyre. Hebrenjtë u pranuan qysh herët, më 1878, kur drejtori Eupraksia Mol, pasi mori një shkresë zyrtare nga rabini polonez, dha miratimin e vet. Magjistarët me paraardhës hebrenj që u asimiluan, filluan të linin gjurmët e tyre në shkollë – para kësaj, më i njohuri ishte vëllai magjistar i Disraelit, Najxhëlli, (Gjarpërblertët, 1829) – e ndikimi i hebrenjve në Hoguorts u rrit goxha. Rabini Maimonides u prit ngrohtë më 1191; paçka se ftesa për Spinozën për të mbajtur një seri leksionesh, më 1652, u shoqërua me protesta, organizatorët u treguan të kujdesshëm të theksonin se ata kundërshtuan qëndrimin e fortë kundërmagjistar, dhe jo rrënjët e tij hebraike.
Një pikë kthese në historinë e antisemitizmit në Hoguorts u bë në vitin 1920, kur pjesëmarrja e hebrenjve, nxitur nga rezultatet e shkëlqyera në Testin e Pranimit të Magjistarëve, kapi shifrën 30 për qind. Filluan të qarkullonin ankesa se si po ndryshonte “karakteri i vendit”. Ishin komente të vagullta, por askush nuk e keqkuptoi thelbin e tyre. Bordi konservator i Guvernatorëve (i cili, sa për dijeni, nuk pranoi asnjë hebre derisa Robert Rubini u bë pjesë, më 1995) ushtroi presion të jashtëzakonshëm mbi drejtorin FineasNigelusBlek, që “të bënte diç”, dhe studentët e 1926-s ishin të parët që u bënë subjekt i kuotave, të cilat do të vazhdonin për gati 50 vjet. Nuk kishte shifra të sakta, kuptohet – vetëm direktiva për komisionin e pranimit, që t’i kushtonte më pak rëndësi pikëve të testit dhe më shumë peshë disa kategorive të përcaktuara turbull, si: “karakter”, “përshtatshmëri” dhe “mënyrë e të folurit”. Por kaq mjaftonte.
Sigurisht, situata në Hoguorts nuk kishte qenë ndonjëherë aq e mjerë sa në universitetet në Europën Lindore dhe Qendrore, ku magjistarë të shquar hebrenj si Frojdi dhe Ajnshtajni, në pamundësi për të siguruar detyra në mësimdhënie, u shtrënguan ta përqendronin përdorimin e magjisë së tyre në shërbim të formulimit të teorive të çuditshme mbi babanecët. Hoguortsi nuk ishte aspak vendi i dhunës antisemite, shumë e dukshme kjo në shkollat e magjisë gjatë viteve të trazuara të pas Luftës së Parë Botërore. Aty, “demonstrimet” e studentëve shpesh përfshinin përdorimin e të ashtuquajturave magji çifute, yshtje mizore që shkaktonin nxehjen e syve, helmeta të shtrënguara rreth kokës së mbajtësit – dhe, patjetër, zhurmëmadhja “taktika flutur”.
Jo, Hoguortsi nuk ka qenë kurrë skenë e ndonjë fanatizmi kaq brutal sa ky, dhe nëse vazhdoj t’i kujtoj padrejtësitë e vockla, është për hir të mbrojtjes në të ardhmen nga antisemitizmi në çdo formë të dukshme të tij. E teksa shkruaj, derdh një lot trishtimi, por edhe shprese, për ato shtriga dhe ata magjistarë hebrenj që kanë kaluar përmes Sallës së Madhe për vite, dhe për të gjithë ata që do të vijnë.

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *