“Indeksi mesatar i lumturisë”, një roman që ju mëson të vlerësoni gjithçka keni në jetën tuaj

“Indeksi mesatar i lumturisë”, një roman që ju mëson të vlerësoni gjithçka keni në jetën tuaj

Nga  1 në 10, sa të lumtur ndiheni? – është kjo pyetja qëndrore e romanit “Indeksi mesatar i lumturisë” nga shkrimtari portugez David Mochado. Teksa lexoni këtë roman, këtë pyetje do t’ja drejtoni shpesh vetes e kur të mbyllni kapitujt me radhë, do të pyesni njerëzit që ju rrethojnë. Përgjigjen e tyre, sigurisht, do ta mendoni me kujdes duke e parë gjithçka me sytë dhe analizën e Danielit, personazhit kryesor të romanit.

I gjendur pa punë, larg gruas dhe fëmijëve të tij, Danieli do të shpresojë për një ardhme më të mirë, do të peshojë të gjithë gjërat që ka në jetë e do të luftojë për lumturinë e tij. I gjithë rrëfimi i drejtohet mikut të tij të ngushtë i gjendur në burg, Almadovarit i cili shpesh gjatë romanit njësohet me zërin e lexuesve. Ai i kthen përgjigje Danielit, e kundërshton ashpër e nga ana tjetër e nxit të kuptojë më mirë botën që e rrethon. Zhavieri, një tjetër mik i të dyve, i mbyllur prej vitesh në shtëpi për shkak të depresionit, është një personazh, i cili edhe pse në pamje të parë duket sikur nuk bën asgjë, është ai që i jep ngjarjeve një tjetër drejtim, duke i bërë lexuesit të mendohen, të përjetojnë një pështjellim ndjenjash e të përloten.

Si e masim lumturinë tonë? Nga suksesi, paraja, pushteti, respekti i të tjerëve për ne apo lumturia qëndron përtej këtyre? Është ajo në një buzëqeshje, në një fjalë të ngrohtë, në një përkujdesje të veçantë? Lumturia është çështja kryesore e të këtij romani, e vjetër po aq sa jeta mbi tokë. Ky koncept vjen në roman i parë nga këndvështrime të ndryshme, nga fëmijët e deri tek më të moshuarit, i njësuar madje edhe sipas shteteve, i matur me vlera. Por a mund t’i vëmë lumturisë një shifër e ta kthejmë atë në një koncept matematikor? Në fakt, po!

“Indeksi mesatar i lumturisë” është një nga romanet më të bukur që kam lexuar, që nga mesazhet që përcjell deri tek stili i shkrimtarit. Ai është dramatik por shumë origjinal, është i dhimbshëm por na bën gjithashtu të buzëqeshim, e në fund të reflektojmë e të shohim çdo gjë rreth nesh në një tjetër këndvështrim. Në rreshtat e këtij romani do të nisni një udhëtim të mrekullueshëm të zbulimit të vetes nëpërmjet një shpirti të bukur por të pafat si ai i Danielit.

 

Disa fragmente nga romani

…lumturia nuk mund të jetë kurrë përmbyllje. Po e mendove lumturinë si qëllimin final, mund edhe të marrosesh brenda pak kohësh.

Këtu-ja dhe Tani-ja nuk kanë fund asnjëherë, ndaj bëjmë një luftë që nuk mund ta zgjidhim, pasi kënaqemi me pak, sepse duam gjithnjë e më shumë.

Unë nuk kam frikë, Almodovar, pasi ende besoj që jeta është ashtu siç ka qenë gjithmonë. Pavarësisht gjithçkaje, ditët e kësaj bote ende kanë dritë dhe ërrësira e natës ende vazhdon të na trembë. Dhe ne, ende jemi këtu, Almodovar.

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *