Ish studentët për studentët, e ardhmja jeni ju

Ish studentët për studentët, e ardhmja jeni ju

*Ky është një shkrim nga zemra nga dy ish studente njëra që iku e tjetra që qëndroi. Sot protesojnë të dyja!

‘A ka rini ky vend?’ pyeste Faik Konica tek shkruante më tej, se në Shqipëri ka vetëm shqiptarë të lindur më parë e ca të lindur pastaj dhe jo rini. I mbaj mënd mirë këto vargje e madje i besoja vërtet pasi ishin ende aktuale. Por aktuale deri para disa ditësh. Studentët treguan se ky vend ka rini dhe se forca e tyre është aq e fuqishme sa jo vetëm mund të rrëzojë një VKM por e aftë t’i kthejë vendit dinjitetin e nëpërkëmbur prej vitesh.

Studentë ose jo, të gjithë jemi entuziantë për atë që po ndodh. Kjo situatë dëshmon një ndjenjë që kishte vdekur në këtë vend: Shpresa! Po, sepse shpresa se Shqipëria do bëhët një ditë kishte vdekur, e vetmja shpresë që kishim ishte mundësia për të ikur jashtë vendit.

Pas studimeve Bachelor në Universitetin e Tiranës, vendosa të aplikoja për master jashtë vendit. Sot, studioj në Central Europe University, në Hungari. Vetëm kur shikon një shembull të denjë se si arsimimi dhe sidomos universitetet duhet të jenë e kupton sa pas kemi mbetur. Në Shqipëri mungojnë kushtet minimale për arsimim, mungojne tekstet cilësore, mungon mendimi kritik, mundësitë për të ardhmen. E them me bindje se të gjithë studentët meritojmë më shumë, vazhdoni të protestoni për të drejtat tuaja! Jam me ju! – Klea, Budapest

Tarifat ishin vetëm maja e një ajsbergu, problemet e të cilit nuk kanë të mbaruar. Studentët shqiptarë bëjnë leksione në kushtet më të këqija, pa laboratorë, pa praktika, pa kurrikuka. Thonë se i gjeni nëpër kafenera, po vërtet aty i gjeni. Shumë prej tyre në kafenera lexojnë, mësojnë, kërkojnë një tavolinë me prizë afër, të karikojnë laptopin, të përfundojnë detyrat e kursit.

Kur unë nisa studimet në FEUT në Master Marketing, viti akademik kushtonte rreth 1.2 milion lekë të vjetra. Mesa kam informacion, aq kushton ende. Një shumë e papërballueshme për një familje mesatare në këtë vend. Nisëm disa protesta disa ditore, shumë prej studentëve të asaj kohe mund t’i mbajnë mend por përmasat që mori protesta e tanishme është vërtet emocionuese. Më kujton të vetmen protestë masive e dinjitozë në këtë vend, ajo “Kundër Armëve Kimike”. Ne mundemi! – Ines, Tiranë

Studentët na treguan se nuk janë në gjumë, përkundrazi tashmë as nuk flenë. Nën hundën e tyre nuk ka më pazare me librat, me universitetet, me edukimin. Ata janë të gjallë e janë në jetë, janë në dritë të vërtetë! Së bashku me studentët!