Këtë Shën Valentin, vendosni dashurinë mbi gjithçka!

Këtë Shën Valentin, vendosni dashurinë mbi gjithçka!

E keni menduar dhuratën që do të zgjidhni për personin tuaj të zemrës në këtë Shën Valentin? E pranojmë keni dhe disa ditë kohë por pse ta lini për momentin e fundit? Botimet Pegi ju sjellin një roman i cili që në titull i shpeshton rrahjet e zemrës. Një histori dashurie ngacmuese për të na kujtuar emocionet e fshehura, por jo të harruara, të drithërimave të para.

Grei është një djalë i ngrysur, durimpak dhe i tërhequr. Dilani është një vajzë kureshtare, gjithmonë në lëvizje, gjithmonë në kërkim të një risie, krejt e kundërta e tij. Për herë të parë, Greit i bie në sy Dilani teksa ajo është shtrirë barkas në oborrin e universitetit, me xhinse të vjetra e këpucë të dala mode, me një aparat fotografik në dorë, duke u përqendruar te diçka që askush tjetër nuk arrin ta shohë. I ka zënë rrugën Greit, ndaj ai është i detyruar t’i flasë. Si pa e kuptuar, ajo ka hyrë në jetën e tij, duke vendosur në mënyrë pothuajse autoritare ta kalojnë pasditen bashkë. Dilani nuk është si vajzat e tjera që ka njohur Grei. Ajo është shpirtërisht dhe mendërisht e hapur, tërësisht vetvetja, e pandikuar nga mendimet e të tjerëve. Fillimisht, pyetjet e saj të çuditshme dhe energjia e pashtershme e bezdisin Grein, por shumë shpejt ai do ta ndiejë veten më të hapur dhe kureshtar ndaj kësaj vajze “të çmendur”. E rrëfyer nga pikëpamjet e dy personazheve, historia e Dilanit dhe Greit do të shpaloset gradualisht, së bashku me sekretet më të thella të këtyre dy adoleshentëve.

Kritika

Ky roman përcjell bukur ekstazën e thellë të dashurisë së parë; ringjall çastin kur dy të dashuruarit kuptojnë se ky është vetëm fillimi i jetës, e cila nuk do të rrjedhë njësoj për të gjithë.
Newsday.com

Do të dashuroheni me këtë libër… I ngjan librave të Nicholas Sparks, por me pak më shumë cinizëm dhe sarkazëm.
Seventeen.com

Grei dhe Dilani janë dy personazhe tërheqëse që do t’u hyjnë në zemër lexuesve në kërkim të një historie të bukur dashurie, në prag të botës pas-shkollore.
School Library Journal

… lexuesit do ta pyesin veten, nëse është vërtet dashuri apo vetëm një lojë e komplikuar.
Kirkus Review

Fragmente nga libri

1) Të përpiqesh të përshtatesh është mënyra më e mirë për të kaluar pa u vënë re. Njeriu u mbetet në mend të tjerëve vetëm atëherë kur merr guximin të shkojë kundër rrymës.

2) … vetë jeta është një histori. Jemi ne që kemi fuqinë ta shndërrojmë në një romancë alla Harlequin, në një labirint të fshehtash apo në një kujtim. Jemi ne, ata që zgjedhim nëse ajo do t’i përngjajë një broshure me pak faqe apo do të jetë një telenovelë.

3) Jeta është shumë e shkurtër për ta shpërdoruar në shoqërinë e njerëzve që nuk të ngrenë moralin, që nuk të frymëzojnë – herët a vonë, tipa të tillë t’i shterin fuqitë.

4) Kur e gjithë bota jote merr trajtën e një njeriu, si mund të pranosh ta nxjerrësh nga jeta jote? Si mund ta lësh të të ikë nga duart dikush, që ti e di shumë mirë se nuk do ta harrosh kurrë?

5) – Pra, ky është çelësi i lumturisë? Të mos e marrësh jetën seriozisht?- e pyes.

– Jo, jetën merre seriozisht. Në fund të fundit është një gjë e pashmangshme. Sekreti është të mos e marrësh veten seriozisht. Hidhi gjërat pas krahëve. Mos e vrit mendjen fare për atë që mund të mendojnë të tjerët për ty. Madje dil edhe jashtë parashikimeve të tyre; kjo është mënyra më e goditur për t’i mbajtur ata tërë kohën sy e veshë.

Autorja

Katie Kacvinsky shkruan kryesisht romane për adoleshentët dhe të rinjtë. Veprat e saj kanë marrë vlerësime të rëndësishme në YALSA Awards, ndërsa “Dashuria mbi gjithçka” ka qenë një nga finalistët e çmimit Oregon Book Award. Ajo jeton në Uiskonsin me familjen e saj.

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *