Kronika apo Saga e Forsajtëve – Çfarë shkroi në të vërtetë nobelisti John Galsworthy?

Kronika apo Saga e Forsajtëve – Çfarë shkroi në të vërtetë nobelisti John Galsworthy?

John Galsworthy shkroi rreth viteve 1906 – 1921, atë që më vonë do të bëhej vepra më e famshme e tij, trilogjia “Saga e Forsajtëve”. Në qendër të romanit është familja e Forsajtëve e vendosur në Anglinë e viteve 1886 – 1920. Kjo trilogji u bë e njohur për lexuesin shqiptar nëpërmjet përkthimit të mrekullueshëm të Vedat Kokonës dhe botimin e Shtëpisë Botuese Omsca. 15 vite më vonë nga vonë nga ky botim, vjen për lexuesit një tjetër roman nga Galsworthy këtë herë nën emërtimin “Kronikat e Forsajtëve”. Menjëherë, lexuesit disi të konfuzuar nga termat “sagë” dhe “kronikë” nxituan të mendonin se botimi i ri kishte tjetërsuar atë të mëparshmin.


Çfarë quhet sagë?
Saga është një narrativ që tregon aventurat e një heroi ose një familjeje. Kështu, nobelisti Galsworthy shkroi “Sagën e Forsajtëve” ku në qendër është pikërisht kjo familje. Saga e Galsworthyt përmban 3 vëllime.

Çfarë quhet kronikë?
Kronika është vepër letrare me temë historike në të cilën autori gjatë shtjellimit të ngjarjeve ndjek me përpikmëri rendin kohor. Kështu, Galsworthy shkroi “Kronikat e Forsajtëve” ku ndjek rrjedhën e një sërë familjesh të Anglisë së asaj kohe. Kronikat përbëhen nga tre trilogji, gjithsej 9 libra. Duke ndjekur familjet në të 3 trilogjitë, sidomos në kontekst kohor shumë të detajuar, 9 librat e Galsworthit, nuk janë më thjesht një sagë, ato shndërrohen në kronika.

Kur mori çmimin Nobel në vitin 1932, kronikat nuk kishin përfunduar ende. Librin e fundit të tyre autori e shkroi më 1933. Për këtë arsye u bë i famshëm me “Sagën e Forsajtëve”, që më vonë u kthyen përfundimisht në kronika. Vedat Kokona ka përkthyer trilogjinë e parë, Sagën. Anxhela Çikopano sjell për lexuesit librin “Shoqëruesja” nën botimin e Shtëpisë Botuese Pegi. Ky roman është libri i parë i trilogjisë së tretë dhe ashtu si “Saga e Forsajtëve” është një fragment i Kronikave.

“Shoqëruesja” është romani i shtatë i serisë “Kronikat e Forsajtëve”, e cila përbëhet nga tri trilogji mbi Forsajtët dhe familjet e lidhura me ta. Trilogjia e tretë, “Kapitulli i fundmë”, ndjek familjen Çerëll dhe “Shoqëruesja” është romani i parë i kësaj trilogjie. Romani, pjesë e një vepre madhore të cilës autori i kushtoi tërë jetën, në thelb ka një temë të thjeshtë, atë të të drejtave të individit, e sidomos të një gruaje, për të jetuar e dashuruar.

Në qendër të librit është një vajzë e re, Dini, rreth së cilës, përveç frymës së një moderniteti të ri dhe gjithëpërfshirës, vërtiten histori dashurie. Përqendrimi te familja Çerëll ka sjellë një frymëmarrje të re dhe freski, një ritëm të ri, aq sa trilogjia është tejet e këndshme. Vijojnë të spikasin karakteret e femrave të forta, të mprehta e gjuhëshkathëta, por edhe stili ironik i autorit nobelist anglez, që jo rrallë të bën të vësh buzën në gaz, edhe kur nuk do.

Në vitin 1932, çmimi Nobel për Letërsinë iu dha John Galsworthy-t “për madhështinë e artit të tij të rrëfimit, i cili arrin formën më të dëlirë në Sagën e Forsajtëve”.

Përktheu: Anxhela Cikopano
Nr. i faqeve: 420
Cmimi: 1000 L

Porosit këtu!
#libratqëdua