Lakmia, urrejtja e pashpirt dhe dashuria e vërtetë te “Tregtari i Venedikut” nga Shekspiri

Lakmia, urrejtja e pashpirt dhe dashuria e vërtetë te “Tregtari i Venedikut” nga Shekspiri

Nga Elion Kollçaku

“Tregtarin e Venedikut”, për herë të parë e kam parë si komedi të luajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës. E pashë, para se të lexoja vetë dramën nga Shekspiri. Mirëpo, shfaqja teatrale ndikoi shumë që ta merrja e ta lexoja, dhe të shihja së afërmi çdo detaj të përshkruar nga Shekspiri.
Kur lexon Shekspirin, humb në botën e secilit personazh, qoftë ai i rëndësishëm apo me shumë pak rëndësi. Tregtari i Venedikut” s’ka shumë personazhe, gjithsej njëzet, pa përfshirë senatorët e Venedikut dhe nënpunësit e gjyqit. Je në botën e Basanit, i cili për të fituar zemrën e Porcies, e cila është trashëgimtare e Belmontit, merr rrugën “e rrezikshme” deri te kutitë. Porcia, kishte amanet nga babai, që zemrën t’ia falë vetëm atij që gjen kutinë në të cilën ndodhet piktura e Porcies. Nuk kishte të drejtë të zgjidhte atë që donte, por vetëm atë që do të gjente kutinë e duhur. Basani duhet të zgjedhë mes kutisë së artë, kutisë së argjendtë dhe të plumbit. A duhet të zgjedh Basani, kutinë e artë, e cila në mbishkrim ka: “Kush më zgjedh mua, fiton ç’do shumëkush”? apo atë të argjendtë: “Kush më zgjedh mua, fiton sa meriton.” Apo të zgjedh kutinë e fundit, atë të plumbit: “Kush më zgjedh mua, i rrezikon të gjitha.”
Njërën kuti, duhet të zgjedhë, por ka kundërshtarë që do të vijnë para tij, si Princi i Marokut e Princi i Aragonit.
Por, që të mbërrijë deri te Porcia, Basani nuk do ta ketë të lehtë. Ai duhet të marrë hua nga Antoni, tregtar i njohur, që momentalisht nuk kishte mundësi t’i huazonte tre mijë dukate. Mirëpo, i kërkoi që në emër të tij, të shkonte e të kërkonte hua nga Shajloku, hebre i përbetuar. Ai pranon t’ia japë huanë, por në qoftë se Antoni nuk ia kthen shumën në kohën e caktuar, si kompensim nuk do të pranojë para, por një funt mish nga vetë Antoni. Shajloku, do t’ia merrte funtin e mishit, nga pjesa afër zemrës.
Shajloku është shembulli më i mirë i njeriut me plot urrejtje, dhe me mungesë të kompromisit. E vetmja anë e mirë e tij si personazh, është huaja që ia jep Basanit, në emër të Antonit. Nga ana tjetër, zhvillohet dashuria e Jesikës, vajzës së Shejlokut, hebre, si dhe Lorencit, djalë katolik. Fatkeqësi për Shajlokun është humbja e vajzës, që i iku me katolikun, dhe humbja e tre mijë dukateve. E plaga iu ashpërësua edhe më shumë, kur mori vesh për rënien e anijes së Antonit, por e gëzoi njëkohësisht, për atë funt mish nga krahërori i tij që donte ta merrte.
Por, si do të përfundojë gjithë kjo ngjarje?
A do të bashkohen Basani me Porcien? A do t’ia qëllojë Basani, kutinë e saktë? A do të marrë funtin e mishit nga Antoni, Shajloku? Si do të përfundojë gjyqi? A do të pamundësohet dashuria mes Jesikës, hebreje, dhe Lorencit, katolik? Të gjitha këto përgjigje ua mundëson drama e Shekspirit, “Tregtari i Venedikut”, që do t’iu mësojë shumë gjëra, njëkohësisht. Do të kuptoni se ç’është miqësia e sinqertë, dashuria e vërtetë, urrejtja e pashpirt, drejtësia e vonuar dhe realiteti i hidhur. Lexojeni, sepse çdo rresht ia vlen!