“Leximtari”, një roman i ndjerë që duhet lexuar mes rreshtave

“Leximtari”, një roman i ndjerë që duhet lexuar mes rreshtave

“Leximtari” nga shkrimtari gjerman Bernhard Schlink ka qenë prej kohësh në listën time të librave që doja t’i lexoja. E gjendur çdo ditë mes mijëra librash më ndodh gjithmonë që, papritur, më gjendet në dorë një tjetër libër, dhe pa kuptuar lë për më vonë “listën time”. Megjithatë, u gjenda përsëri përballë romanit të Schlink ndaj vendosa ta merrja me vete në shtëpi.

Në faqet e para të librit lind një histori dashurie, sa fëminore aq edhe e rëndësishme, pasi ishte dashuria e jetës së Mikael, një djaloshi 15 vjeçar. Gruaja pas të cilës ai u dashurua ishte Hana, për të cilën deri në pjesën e dytë të romanit nuk dimë asgjë. Marrëdhënia mes dy personazheve forcohet shumë prej leximit të librave: thuajse çdo ditë Mikaeli lexonte për Hanën, një zakon që nuk do ta harrojë deri në çastet e fundit të jetës së saj. Edhe pse një dashuri mes dy botëve krejt të ndryshme, duket se çdo gjë shkon mirë derisa një ditë, Hana zhduket…

Në pjesën e dytë të romanit, do të ritakohemi me dy personazhet në një sallë gjyqi, shumë vite më vonë. Tashmë, Mikaeli vazhdon studimet për drejtësi ndërsa Hana pret gjykimin e saj mes të akuzuarve për krime ndaj çifutëve në kampet e përqëndrimit. Historia rrokulliset aq shumë sa na vë përballë një shqetësimi social siç është analfabetizmi. Pse Mikaeli duhej gjithmonë të lexonte për Hanën, pse vajzat e zgjedhura prej saj në kamp duhej gjithashtu të lexonin për të?

Mikaeli gjendet përballë një të vërtetë të hidhur, të rëndë por që mund të ndryshojë të ardhmen e Hanës. A duhet ne të luftojmë për të vërtetën e dikujt, kur ata përpiqen ta mbulojnë atë aq shumë vetëm për të mos i treguar botës turpin e tyre më të madh? Deri në ç’masë respektohet krenaria e tjetrit?

“Kur e dimë se çfarë është e mirë për tjetrin, duhet t’ia bëjmë patjetër të qartë. Duhet t’ia lëmë atij fjalën e fundit, duhet të flasim me të dhe jo me dikë tjetër apo prapa kurrizit të tij” – janë fjalët e të atit filozok të Mikaelit.

“Leximtari” është një roman që shkon përtej Holokaustit, përtej krimeve të kohës dhe përtej një historie dashurie. Ai është një himn për krenarinë, për krenarinë që na bën të jemi vetvetja, na shtyn drejt realizimit të qëllimeve tona dhe kthehet në motorrin e jetës. Mikaeli ishte një djalosh në jetën e Hanës dhe i tillë mbeti deri në fund. Ai ishte leximtari i saj dhe i tillë qëndroi gjatë gjithë jetës së saj, pavarësisht largësisë mes tyre.  Dashuria për dije lidhi dy jetë shumë të ndryshme dhe i mbajti ato bashkë, gjithnjë e më të fortë, gjithnjë e më të denjë për njëri-tjetrin.

Sa më shumë të mendoni për Hanën dhe Mikaelin, aq shumë do të mësoni nga zgjedhjet e tyre në jetë!