Librat e mi të pushimeve të zgjedhura (jo) aq rastësisht

Librat e mi të pushimeve të zgjedhura (jo) aq rastësisht

Stina e ngrohtë e verës na sjell jo vetëm diell dhe det, por edhe më shumë kohë për të lexuar. Tek bëjmë gati çantën e plazhit, nuk duhet të harrojmë të marrim me vete edhe një libër për të kaluar ditët tona të qeta në praninë e personazheve të rinj.
Edhe unë nuk mund të nisesha kurrsesi për pushime pa një libër. Duke qenë se do të qëndroja më pak se një javë përzgjodha dy romane të cilat mendova se do të ishin mjaftueshëm por që në fakt nuk më rezultuan aspak kështu! Ndejta pa lexuar pasi i përfundova? Jo aspak, do ju tregoj si e zgjidha edhe këtë problem. Fillimisht, po ndaj me ju dy librat e përzgjedhur prej meje!

“Dhoma” nga Emma Donoghue
Nëse nuk e keni parë filmin, mos e shihni pa lexuar librin. Unë ende se kam parë, edhe pse është vlerësuar shumë nga kritika, madje i solli aktores protagoniste Brie Larson trofeun si “Aktorja më e mirë” nga Academy Aëards. Megjithatë, le të kthehemi tek libri!
Xhek dhe mamaja e tij jetojnë prej vitesh brenda një dhomë e cila për ta është e gjithë bota. E rrëmbyer tek shkontë në shkollë, protagonistja e njohur si Maja (Ma – shkurtim i Mami, kështu e thërriste i biri) nuk pa më kurrë dritën e diellin. Ajo përdhunohej vazhdimisht nga rrëmbyesi i saj i cili prej vitesh e mbante të mbyllur në këtë dhomë. Maja u pëpoq me të gjitha mënyrat për të dalë nga aty, deri sa në jetë erdhi Xheku. Tashmë, heroi është ai, i cili do të ndërmarrë misionin në dukje i pamundur, për të shpëtuar veten dhe të ëmën.

“Gruaja” nga Jhumpa Lahiri
E thënë me pak fjalë, ky roman është historia e dy vëllezërve dhe e një gruaje të përbashkët në jetët e tyre! Do të mendoni se është një histori klishe e dy vëllezërve që dashurohen me të njëjtën grua por në fakt nuk është kështu, është një histori që shkon përtej saj. Nëpërmjet këtij libri, do të njihemi me personazhe sa ambiciozë, aq edhe me zemër të madhe, mendjehapur dhe të emancipuar.
Subashi dhe Udajani ngjajnë si dy pika uji por ata janë dy karaktere krejtësisht të ndryshme. Subashi nis karrierën e tij në SHBA ndërkohë që Udajani rebel, del kundër padrejtësive në vend deri sa këto të fundit i marrin jetën. Kur kthehet në shtëpinë e prindërve, Subashi njihet me Gaurin, bashkëshorten e vëllait të ndjerë e cila është në pritje të një fëmije. Ai sheh tek ajo një grua të fortë e të pavarur, ndaj e merr me vete në SHBA. A do të jetë Gauri një nënë e përkushtuar apo lufta e saj për të qenë një grua e arrirë në karrierë do të jetë më e fortë? “Gruaja” është një roman plot mesazhe, ndjenja e emocione, është një histori braktisjesh, arratisjesh dhe rikthimesh.

Të dy romanet e lartpërmendura ishin shumë tërheqës dhe të bënin mos t’i lëshoje nga dora. I përfundova më shpejt se ç’kisha menduar, edhe pse e dija se mund të kaloja disa ditë pa lexuar. Megjithatë, tërëisht “pushim” nuk mund të rrija dhe shpejt e gjeta zgjidhjen! Do mendoni se mora një libër nëpërmjet postës, meqë Librat që dua e ofrojnë këtë? Në fakt jo!

Në shëtitoren e Himarës u ndala pranë disa stendave me libra dhe sytë më zunë tabelën “Libra me Qira”. Çdo gjë ishte shumë e thjeshtë! Ti merrje librin dhe paguaje për aq ditë sa e mbaje atë! Një shërbim që në Tiranë nuk e kam hasur por ideale për pushuesit në zona turistike. Zgjodha “Kukulla” nga Ismail Kadare, një roman të cilin e përfundova brenda ditës.

“Kukulla” – Ismail Kadare

Më lejoni t’u them dy fjalë edhe për këtë roman. “Kukulla” është një elegji për nënën e shkrimtarit, është ajo që bashkon të gjithë familjen me pafajsinë e saj. Nëna e Kadares është një nënë, figura e së cilës mund të themi se ka thyer tabu në letërsi. Nëse ndër shekuj, nëna ka qenë modeli i idealizuar e madje i ngritur në piedestal, kësaj here ajo na vjen me tipare shumë reale, sa çdokush gjen aty edhe nënën e tij. Romani ka në thelb një histori që lexuesi shqiptar e ndjen shumë pranë me familjen e tij, dëgjon të vërteta që në çdo fis ndodhin dhe përjeton emocione universale si çdo marrëdhënie nënë-bijë.

Këto ishin tre romanet që më shoqëruan gjatë ditëve të mia të pushimit. Unë mendoj se çdokush duhet të ketë gjithmonë një libër në kokën e krevatit apo në çantën që merr me vete çdo mëngjes. Ndaj mos mendoni gjatë cilat libra do merrni për pushime. Zgjidhni ato që mendoni se janë më të përshtatshme. Është e pamundur të mos lexoni përsëri kur të ktheheni pushimet – një tjetër roman do ju presë!