Mirë se erdhe në botën magjike të Antonio Bablikut

Mirë se erdhe në botën magjike të Antonio Bablikut

Nga Flogerta Krypi

Brezi im ka patur nderin që të rritet me librat magjikë të Harry Potter. Ata krijuan një lloj standardi tjetër në letërsinë për fëmijë dhe u shtri gjërësisht në të gjitha moshat. Shqipëria po rrit një talent të tillë, që është frymëzuar nga këto libra për të ndërtuar botën e tij e magjike. Ky djalosh njëzet e një vjeçar me emrin Antonio Babliku, ka sjellë në panairin e librin romanin e parë të sagës prej tetë vëllimesh “Magjia universale” nën titullin Akujt. Ky është dhe momenti ku unë rashë në kontakt me këtë penëshkrues kaq të veçantë dhe ndërmora përsipër të ndjek rrugëtimin e tij në letërinë shqipe.

Romani “Akujt” u soll në treg nga shtëpia botuese Dituria pak ditë përpara hapjes së panairit dhe pati një shtrirje të mirë mes lexuesëve të këtij zhaneri. Këtë e them me siguri të plotë sepse ky libër gjendej në stendën time dhe e kam referuar tek lexuesi me kënaqësinë më të madhe. Gjëja e parë që më bëri përshtypje sapo e hapa librin ishte parathënia e autorit dhe nuk më vjen turp ta pranoj që u përlota nga ai rrëfim i sinqertë që më ktheu në fëmijërinë time. “Magjia është aty, por njerëzit nuk e shohin” shprehet Antonio në parathënien e librit dhe në fakt ka shumë të drejtë. Libri i tij është produkt i kësaj magjie që nisi për herë të parë në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare.

Në prolog ai shpalos frikën dhe besimin e tij në të njëjtën kohë kështu: “Duke qenë ëndërrimtari, besova se do e merrja magjine kur te isha 13 vjeç. E dija se nuk do ndodhte, por vazhdova të ëndërroja gjithsesi. Të ëndërrosh nuk të lëndon. Përveçse kur zgjohesh. Dhe unë u zgjova. U zgjova dhe kuptova që magjia nuk ishte aty, magjia nuk ishte tek unë. Kështu, për ta patur në njëfarë mënyre pranë magjinë, vazhdova të krijoja histori dhe t’i shkruaja; ato histori me vëllain dhe motrën magjike. Shkrova çdo ide, dhe një histori e madhe u krijua dhe vazhdoi të ndërtohej derisa vendosa t’i jepja më shumë jetë dhe ta ndaja me botën. Tani, teksa shoh pas, kuptoj se e kam patur magjinë. E kisha kur mbusha 13 vjeç. E kisha edhe më parë, kur isha 12. Ato histori, ato çastet kur kapja një stilolaps, ato çastet kur lija stilolapsin të puthte një fletë boshe; ato ishin magjia ime … këto janë magjia ime. Kuptova se duke patur magji, ëndrrat e mia nuk do ishin më ëndrra, por do merrnin jetë.”

Tek shfleton librin nga kapitulli në kapitull dhe njihesh me personazhet e veçantë, plot dimensione dhe unikalitet brenda vetes reflekton shumë për përditshmërinë tënde. Aty njihesh me mënyrën sesi Roberti përcepton tradhtinë si një nevojë për të mësuar për realitetin. Aty takohesh me dashurinë e motrës për vëllain dhe e anasjellta, e mbi të gjitha fatin e përcaktuar për të triumfuar mbi të keqen. A nuk është kjo luftë e jona dhe sot? A nuk na duket ndonjëherë që njerëzit janë shpesh vampirë që nuhasin ëndrrat tona dhe vijnë për t’i shkatërruar? Në këto faqe që lindin në qytetin magjik të Lejkvillit merr rrugë një betejë e fuqishme për të dominuar nga disa dhe për të mbijetuar tek disa të tjerë.

Unë në këtë roman gjeta shpirtin tim të humbur dhe magjinë që nuk e shihja dot më. Jam mbushur plot me shpresë që kjo pjesë e letërsisë shqipe, sot po krijon nxënësit e saj më të mirë dhe shpejt mund të marrë rrugën drejt letërsisë europiane, pasi ky djaloshi magjik ka botuar disa libra në Amazon, në formatin e-book.

Personalisht këtë libër e sugjeroj fort tek lexuesit për të zhvilluar imagjinatën, si dhe për të gjetur magjinë brenda tyre që nuk e shohin dot më. Unë do të jem gjithmonë në rresht të parë për të duartrokitur këtë autor shqiptar që meriton të jetë pjesë e bibliotekës tuaj.

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *