A mund të matet bota pa matematikë?

A mund të matet bota pa matematikë?

Nga Flogerta Krypi

“Në këtë moment ai e kuptoi se asnjë nuk donte të përdorte mendjen. Njerëzit donin qetësinë e tyre. Ata donin të hanin dhe të flinin, dhe donin që të tregoheshe i mirë me ta, por nuk donin të mendonin.”

E nisa qëllimisht artikullin për këtë javë me këtë thënie, pasi lidhja ime me matematikën dhe logjikën është shumë e fortë. Unë kam studiuar financë dhe nuk do e ndërroja profesionin tim me asnjë gjë tjetër në botë. Matematika më ka shtyrë të mendoj dhe t’i besoj logjikës. Kur e lexon këtë thënie nga goja e një matetikani si Gausi, futesh dhe më thellë në mendime.

Ky roman është një magji e gjallë letrare, historike dhe humori, pasi realisht në këtë libër do t’i gjeni të gjitha. Autori me anë të kësaj vepre ka marrë përsipër të paraqesë lehtësisht jetën e dy gjenive që koha ia ka gdhendur emrin në histori. Aleksandër fon Humbold dhe Gausi, dy nga mendjet më gjenieale të Gjermanisë së shekullit të nëntëmbëdhjetë, takohen në një konferencë në Berlin në vitin 1828. Ky takim do t’i japë portret fizik një marrëdhënie miqësore të lindur fillimisht nga aventurat e Humboldit të botuar nëpër gazeta.

Zakonisht kur flitet apo shkruhet për jetët e këtyre gjenive, njerëzit imagjinojnë gjithmonë një jetë të zymtë, zhytur nëpër dhoma pune, moskontakt me njerëzit dhe madje dhe në raste ekstreme, mos pasja e ndjenjave karshi njerëzve, por veç ndaj shkencës ekzakte. Historia e shkruar kaq bukur dhe me humor kaq fin nga Kehlman tregon tërësisht të kundërtën.

Jeta e Gausit që në fëmijëri takohet me matematikën, krejt rastësisht dhe në moshën tetë vjeçare ai arrin që brenda një dite t’i japë zgjidhje librit të aritmetikës, i konsideruar si libri matematikor më i vështirë për brezin e tij. Ndërsa jeta e Humboldit është që në fëmijëri e mbushur me eksperimente nga më të çuditshmet dhe qesharaket. Jeta e tyre zhvillohet fuqishëm në formë paralele dhe tërësisht në drejtime të kudërta.

Gausti një matetikan që lëvron botën e magjishme të gjeometrisë, fizikës dhe austronomisë, me pak udhëtime dhe kontakte me njerëz të rinj, kurse ajo e Humboldit me udhëtime nga më të çmendurat në Amerikën Latine dhe kërkime nëpër Amazonë. Gjenialiteti i tyre shprehet në mënyrën sesi ata e jetojnë jetën, si i duan njerëzit dhe mbi të gjitha nga mesazhet që japin për fenomentet njerëzore të ekzistencës. Dy burra gjenialë që nuk mund t’a jetojnë botën si çdo njeri janë paraqitur aq thjeshtë në këtë libër sa çdokush mund ta lexojë dhe ta shijojë, pa patur frikën se do hasë ngërçe të shkencave ekzakte. Kam nxjerrë aq shumë shprehje nga ky libër, dhe një pjesë të tyre i keni më poshtë. Shijojeni.

Thënie nga libri:

• Humboldi i tha se të shkruarit roman i dukej një rrugë mbretërore për të fiksuar të përkohshmen e të tanishmes, për të ardhmen.
• Njerëzit martohen kur nuk kanë plan për të bërë gjëra të qenësishme në jetë.
• Njeriu nuk mund të lëvizte dot përpara nëse nuk e përcaktonte gjithmonë pozicionin ku ndodhej. Enigmat, sado të vogla të ishin, nuk mund të liheshin buzë rrugës.
• Kur e pyesnin për kujtimet e tij në të kaluarën profesori përgjigjej se diçka e tillë nuk ekzistonte. Kujtimet, thoshte ai, në kundërshtim me gravurat dhe dërgimet postare, nuk kanë datë. Në kujtesën e tyre njerëzit gjejnë gjëra që ngadonjëherë duke u menduar i rreshtojnë në rradhën e duhur.
• Numrat nuk të rrëmbenin prej realitetit, të çonin më afër tij, e bënin atë më të qartë dhe më të dukshëm se kurrë.
• Kjo është mendoi. Duhet të jetosh, pavarësisht se çdo gjë ka mbaruar. Të zotërosh, çdo ditë, çdo orë dhe minutë. Sikur të kishte kuptim.
• Po pse ishte ai i trishtuar? Ndoshta ngaqë pa si i vdiq e ëma. Ngaqë bota të duket aq zhgënjyese kur e kuptoje sa të holla i kishte indet, sa trashë ishin thurur iluzionet rreth saj dhe me çfarë amortizimi ishte qepur pjesa e saj e pasme. Sepse kjo mund të përballohej vetëm në saj të enigmave dhe duke harruar. Sepse nuk mund ta përballosh dot pa gjumin që të shkëput çdo ditë nga realiteti. Të mos mund të hidhje sytë gjetkë ishte trishtim. Të ishe zgjuar ishte trishtim, të konstatosh është dëshpërim. Po pse? Sepse koha ikën gjithnjë.