Në pritje të Man Booker Prize – Botimet në shqip dhe kandidaturat për këtë vit

Në pritje të Man Booker Prize – Botimet në shqip dhe kandidaturat për këtë vit

Çmimi “Booker Prize” është një ndër çmimet më të vlerësuara në fushën e letërsisë. Ky çmim jepet për romanin më të mirë të shkruar në gjuhën angleze, publikuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë. Që nga viti 1969, kur ky çmim u dha për herë të parë, e deri më sot, Book Prize ka një ndikim të madh tek lexuesit, duke dëshmuar një vepër të një cilësie të lartë.

Ndryshe nga çmimi Nobel, Man Booker Prize i akordohet vetëm një vepre të caktuar, dhe jo gjithë krijmtarisë së shkrimtarit. Shumë nga romanet e vlerësuar me këtë çmim janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Njihuni me këto romane!

“Fëmijët e mesnatës” – Selman Rushdie, 1981

Ky roman është njëkohësisht një sagë familjare e mahnitshme dhe një evokim mbresëlënës i një vendi të madh dhe popullit të tij: një mishërim brilant i komedisë njerëzore universale. “Fëmijët e Mesnatës” dallon si një vepër epokale dhe një realizim brilant i një prej zërave të mëdhenj letrar të kohës sonë.

“Jeta dhe koha e Majkell K.” – J.M.Coetzee, 1983

Një roman plot me skena të trishtuara, nëpër të cilin ndonjëherë regëtijnë shpresa dhe drita. “Jeta dhe koha e Majkëll K.” është një histori mbijetese dhe izolimi e individit, i cili lufton i vetmuar në mesin e një shoqërie që s’i ofron atij asgjë.

“Dita e mbetur” – Kazuo Ishiguro, 1989

Një rrëfim i qetë dhe i shtruar mbi mungesën e kurajës për të bërë zgjedhjet, që mund të vënë në rrezik jetën e kontrolluar dhe të planifikuar, për ne, nga të tjerë. “Dita  e  mbetur” mbetet një  prej veprave letrare më të njohura dhe të respektuara në Angli. Ndër të tjera, ky roman është përfshirë në listën e përpiluar nga gazeta The Guardian, “Libra pa të cilët nuk mund të jetohet”.

“Turpi” – J.M.Coetzee, 1999

I konsideruar një nga romanet më të mira të dhjetëvjeçarit të fundit, “Turpi” nis me historinë e dashurisë së profesorit, David Luri me studentet e tij. Kjo dashuri e zjarrtë bëhet shkak që ai të tërhiqet nga puna në universitet dhe të zhvendoset tek e bija, e cila jeton në një fermë. Bashkëjetesa e tyre do të bëhet pre e një sulmi të egër dhe të poshtër, sulm që “ndreq” njëherë e mirë marrëdhëniet e tyre të cunguara.

“Jeta e Pi-së” – Yann Martel, 2002

Një udhëtim i jashtëzakonshëm, i tmerrshëm e plot frymëzim, ironik dhe i dhunshëm, që na çon shumë më larg nga ç’mund të rrokë përfytyrimi. Dhe zbulojmë, që po ajo histori mund të ngjasojë me një mijë të tjera. Histori, që ringjall besimin te magjia dhe fuqia e fjalëve. I trumbetuar si një klasik i ri nga kritika, Jeta e Pisë është një libër unik, që luhatet mrekullisht midis realizmit dhe magjisë, me tharmin e një romani aventure dhe të një përralle surreale, që papritur përshkohet nga një shpirt katil e mizor.

“Tigri i bardhë” – Aravind Adiga, 2008

Ky roman vjen në formën e një serie letrash të shkruara natën vonë nga Balrami, drejtuar Ëen Jiabao-s, kryetarit të Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, ku i përshkruan ngritjen e tij të menjëhershme nga origjina shumë e ulët e deri në pozicionin aktual si sipërmarrës në Bangalore, si dhe pikëpamjet e tij për sistemin e kastës indiane dhe korrupsionin politik.

“Enigma e një fundi” – Julian Barnes, 2011

Sa shpesh e tregojmë historinë e jetës sonë? Sa shpesh e rregullojmë , e zbukurojmë, i heqim ndonjë copëz të padëshiruar aty-këtu? Dhe, sa më shumë rrojmë, aq më të paktë bëhen ata që mund të na kundërshtojnë historinë, të na kujtojnë se jeta jonë nuk është jeta jonë, nuk është historia që kemi treguar për jetën tonë, që u tregojmë të tjerëve, por –kryesisht- edhe vetes. Plot me ide filozofike… e megjithatë, arrin të të intrigojë mirëfilli, sikur të ishte një histori psikologjike me detektivë.

“Të ndriturit” – Eleanor Catton, 2013

Ky është një libër i cili të largon përtej gjërave të rutinës së përditshme, të heq mënjanë, të mbledh dhe të lë të ndihesh sikur ke kaluar fundjavën me një gjeni.

Man Booker Prize, për këtë vit, do të shpallet më 14 tetor. Kandidaturat janë:

Margaret Atwood – The Testaments

Lucy Ellmann – Ducks, Newburyport

Bernardine Evaristo – Girl, Ëoman, Other

Chigozie Obioma – An Orchestra of Minorities

Salman Rushdie – Quichotte

Elif Shafak – 10 Minutes 38 Seconds in This Strange World

Dy janë shkrimtarët që konsiderohen si pretendentë të fuqishëm, Atwood dhe Rushdie. Të dy këta autorë e kanë marrë edhe më parë këtë çmim. Lucy Ellman është e vetmja amerikane në garë ndërkohë që, për herë të parë pas 4 vitesh, në top 5 është një shkrimtar nga Afrika, nigeriani Chigozie Obioma. Elif Shafak, shkrimtarja e njohur turke, është një tjetër kandidate kryesore, libri i së cilës është quajtur ‘vepër e një imagjinate të pakufijshme’. Pa harruar edhe Bernadine Evaristo, e cila sjell një roman, për të cilin shkruhet se duhet lexuar ‘me zë të lartë’.