Në stendën e Dudaj, njihuni me titujt e rinj nga shkrimtarë të jashtëzakoshëm

Në stendën e Dudaj, njihuni me titujt e rinj nga shkrimtarë të jashtëzakoshëm

Padyshim, Dudaj është një nga shtëpitë botuese më të njohura në vend. Gjithmonë e para për të sjellë shkrimtarët më në zë, kjo shtëpi botuese ka prezantuar tek lexuesit shqiptar romane të cilët jemi me fat që i kemi edhe në shqip. “Verbëri” nga Jose Saramago, “Kodi i Da Vinçit” nga Dan Brown, “Klienti” nga John Grisham apo “Turpi” nga Selman Rushdie janë disa nga titujt e jashtëzakonshëm që Dudaj ka sjellë në shqip. Megjithatë ka lajme akoma më të mira! Këtë panair, në stendën mikpritëse të Dudaj vijnë të tjerë shkrimtarë të vlerësuar kudo në botë. Jemi të sigurt që tek mbani në duar një libër, sytë do ju shkojnë tek shumë të tjerë. Merreni me qetësi dhe lexoni më shumë mbi titujt e rinj të kësaj shtëpie botuese.

Pier Paolo Pasolini me dy romanet e tij Djem Jete dhe Një jetë e dhunshme na shpie mbrapsht në kohën e La dolce vita të Federico Fellini-t, ku ca djem harrakatë lagjesh të margjinalizuara e periferike të Romës së viteve 60-të kërkojnë të jetojnë një jetë të pamundur, Pasolini përshkruan me detajet e një mjeshtri të rrallë ndjenjat e pamundësisë, e varfërisë, dëshirave të paplotësuara, e një jete të dhunshme e cila shpesh përfundon në mënyrën më tragjike të mundshme. Por vlera e vërtetë e këtyre librave është se ata mund të lexohen në një paralel të hatashëm edhe në realitetin tonë.

Isabel Allende shkrimtarja aq e dashur për shqiptarët, shkrimtarja që na mësoi të shijojmë realizmin magjik dhe historitë e saj të mrekullueshme, vjen me një libër që nuk është roman, edhe pse ajo çdo libër e shkruan si roman. Quhet Vendi im i imagjinuar-një udhëtim nostalgjik nëpër Kili. Një udhëtim marramendës, ku ajo kthehet pas emigrimit të detyrueshëm pas grushtit të shtetit të Pinoçetit, në fillim me mendje e pastaj me trup. E nëpër faqet e mrekullueshme të këtij libri endet në kujtimet e fëmijërisë, rritjes, maturimit, vuajtjeve e gëzimit. Një atmosferë që të tërheq si magnet e të bën ta fusësh Kilin në vendet që duhen vizituar njëherë në jetë. E pata këtë joshje tek lexoja këtë libër me një pushtet papërballueshmërisht të bukur.

Ken Follett vjen me librin e tij më të rëndësishëm, Shtyllat e Tokës. Një libër që ka çmendur botën, qysh kur ka dalë para disa vitesh e deri më sot, që vazhdon të ndiqet me ethe nga lexuesi që i zhytur mes atyre shumë faqesh histori kërkojnë të dinë si do të vazhdojë. Është në qendër ndërtimi i një katedraleje, ngjarjet zhvillohen në mesjetë, por luftrat që zhvillohen aty, për pushtet, passion, dashuri i duket se i përshtaten fare mirë edhe ditëve tona. Hulumtimi i jashtëzakonshëm historik që autori ka bërë për ta shkruar këtë libër, ndjehet në çdo faqe diturie që ti përfton gjatë leximit.

Historia tërheqëse është vetëm grepi që të zhyt në leximin e librit Gushëkuqi aty brenda ka kaq shumë ftohtësi Norvegjie, një mënyrë të veçantë të të menduari, një figurë e dashur e detektivit Harri Hole me gjithë kompleksitetin e një njeriu të turbulluar, po të drejtë. Ky libër godet fort racizmin e maskuar brenda një sjelljeje të mirësjellë në dukje, po që fsheh shumë urrejtje thellë brenda qenies njerëzore, që mund t’i ketë rrënjët në një të shkuar të errët naziste të një prindi, apo të afërmi, dhe që mbase i ka shtrirë tentakulat edhe në mekanizma të errët të pushtetit politik. Një shkrimtar që të kujton paksa Stieg Larsson dhe idealizmin e tij.

Dhe spanjolli i famshëm Javier Cercas vjen me një roman-jo roman i titulluar Mashtruesi. Trajton një temë aq shumë edhe tonën. Një nga ata libra që flasin për tema të vërteta, dhe që s’ka nevojë të zbukurosh apo të shtosh në fiksion, pasi realiteti e tejkalon fantazinë. Një njeri i quajtur Enrike Marko ka manipuluar krejt të shkuarën e tij duke e quajtur veten një të mbijetuar të Holokaustit. Por këtë gjë e ka bërë kaq mirë, sa perfekte aq edhe naïve, duke arritur të bëhet edhe kryetar i shoqatës të të mbijetuarve. Autori futet aq dhimbshëm brenda lëkurës së këtij njeriu të paskrupullt, duke e zbuluar pak nga pak se si është e mundur të ndodhë kjo gjë, se çfarë ndodh brenda një njeriu mashtrues, deri ku ai gënjen në të vërtetë dhe deri ku i beson gënjeshtrat e veta. Po më e bukura, le të dalim te historia jonë: sa kemi dëgjuar në historinë tonë të paskomunizmit raste xhelatësh që kanë marrë rolin e viktimave. E pra ky libër ta mëson që histori të tilla janë universale.

I mençuri fizikan Carlo Rovelli, me Shtatë leksione të shkurtra për fizikën shkroi këtë libërth për ata si unë, si ty, si ne që nuk iu futëm kurrë në bërthamë shkencës e sidomos fizikës e cila është baza e jetës, misteri i botës, bukuria e saj e pamatë e cila na lë pa frymë. Është një gjuhë e thjeshtë e e kuptueshme që ai përdori duke bërë kësisoj të lexohej ne 40 gjuhë të botës e të dashurohej nga i madh e i vogël, duke humbur mes atyre pak faqeve ku digjet dëshira jonë për dije. Këto leksione të shkurtra, siç i quan mrekullueshmi Rovelli, mëtojnë të na prijnë udhën nëpër etapat e revolucionit që tronditi fizikën e shekullit të XX e vazhdon të na trondisë, duke filluar nga teoria e relativitetit te Ajnshtajnit dhe mekanikës kuantike, e deri në çështjet e hapura si arkitektura e kozmosit, grimcat elementare, gravitetin kuantik, natyrën e kohës dhe të mendjes. Një libër absolutisht ndriçues.

Shkrimtari i shquar Salman Rushdie vjen me librin Klouni Shalimar një roman i shkruar në mënyrën e tij, ngacmuese, stilistike, të një mjeshtri të padiskutueshëm të letërsisë moderne. Ngjarjet zhvillohen në Nju Jork, po emrat e personazheve janë indianë, historitë aty brenda të përbotshme. Një histori që nis me një vrasje, një vajzë që quhet India vritet nga një personazh i çuditshëm i mbiquajtur Klouni Shalimar. Teksa historia lidhet me babanë e saj duket një vrasje politike, por në fakt është një vrasje pasioni, dhe rrënjët gjenden shumë thellë. Salman Rushdie i lidh aq bukur me një mënyrë super të sofistikuar shkrimi që është veç e tij.

Barrington Moore me kryeveprën e tij Origjinat shoqërore të diktaturës dhe të demokracisë, i mbiquajtuar nga shumë lexues, profesorë dhe studiues të shkencave politike dhe historike si libri më i rëndësishëm që do të hedhë bazat e formimit tënd. Ky libër analizon dhe iu jep përgjigje pyetjeve të tilla si: përse disa vende ecën dhe u zhvilluan drejt demokracisë dhe përse disa të tjera drejt totalitarizmit dhe diktaturave. Ku i ka bazat varfëria dhe zhvillimi. Një manual i përkryer që duhet lexuar me laps në dorë.

Austriaku Paulus Hochgatterer, me Ëmbëlsia e jetës na sjell një atmosferë qyteze austriake, disi të veçuar nga bota, ku gjallojnë njerëz krejt të qetë e normalë në dukje, por që në nëndheun e normalitetit fshehin perversione nga më të paimagjinueshmet. Në fakt historia nis me një vrasje, një fëmijë në traumë, dhe pastaj një rendje pas së vërtetës e cila sigurisht nuk është asnjëherë ashtu siç duket. Autori fitues i çmimit europian të letërsisë i ka bërë një skanim të jashtëzonshëm këtij peizazhi provincial dhe shpesh të kujton librat e verdhë të Agatha Christie për nga mënyra sesi është shkruar.

Gianrico Carofiglio dhe libri i tij Rregulli i ekuilibrit. Autori erdhi dhe e promovoi vetë në Shqipëri në ca ditë të trazuara. Flet për një gjykatës të korruptuar, dhe personazh interesant që punon si avokat. Guido Guerrieri me dilemat e një njeriu që nga një anë duhet të mendojë si njeri, si qytetar dhe nga ana tjetër duhet të bëjë punën e vet. Po sa ndërgjegjja do ta lejojë t’i shkojë deri në fund mbrojtjes së një njeriu që duhet të bëjë drejtësi. Një libër shumë i bukur që të bën të mendosh thellë.

Dhe i fundit po jo nga rëndësia, Cornelia Funke shkrimtarja e dashur gjermane për fëmijë e të rinj përmbyll trilogjinë e ngjyrosur me Vdekje si boja, e cila vjen pas të mirënjohurave vepra Zemër si boja e Gjak si boja. Mezi e kishin pritur ata që i kishin lexuar, por mund të jetë një fillim i ri i bukur për ata që s’e kanë lexuar. Janë konsideruar si librat më të bukur për t’u lexuar nga fëmijët tuaj, një udhëtim i mahnitshëm në botën e fantazisë e të librave, ku e mira përplaset me të keqen, ku bota përvijohet me të gjitha ngjyrat e saj.