Në stendën e Living, aty ku të gjithë i njohin titujt e mezi presin t’i lexojnë!

Në stendën e Living, aty ku të gjithë i njohin titujt e mezi presin t’i lexojnë!

I shihni gjithmonë reklamat e tyre në ekranin e televizorit e mendoni se do të transmetohet ndonjë film i ri? Jo, është akoma më bukur se kaq! Po njiheni me historitë e mrekullueshme të romaneve që shtëpia botuese Living sjell në shqip. Gjithmonë të kujdesshëm në botimet e tyre, Living na nxit gjithmonë dëshirën për të lexuar e për të dhuruar libra. Ne ju njohim me pesë tituj interesantë që i gjeni në panairin e këtij viti!
1. Shantaram- Gregory David Roberts


Lini, një i dënuar që arratiset nga një burg i sigurisë së lartë në Australi, përfundon në rrugët gumëzhitëse të një qyteti që i jep mundësinë të bëhet i padukshëm. Ai dhe Prabakeri, udhërrëfyesi dhe miku i tij besnik, depërtojnë në shoqërinë e fshehtë të Bombeit, të mbushur me lypsarë e mafiozë, prostituta e shenjtorë, gangsterë e aktorë, indianë e mërgimtarë, të cilët kërkojnë në këtë vend të mrekullueshëm, atë që nuk mund ta gjejnë gjetkë.
Rrugëtimi i Linit ndërthuret me luftën, burgun, torturat, vrasjet dhe një sërë tradhtish të mistershme e të përgjakshme. Bazuar në historinë e vërtetë dhe jetën e autorit, ky roman është pa dyshim prezantimi i parë i denjë i një zëri të jashtëzakonshëm në letërsi.
Përktheu: Blendi Lami
Nr. i faqeve: 370
Çmimi: 1200 L
2. E fshehta e shëronjëses- Sabine Ebert


“E fshehta e shëronjëses” është vëllimi i parë i sagës së shëronjëses, një vepër që na përball me personazhe të vërteta dhe imagjinare, me fate të trilluara dhe historike të kohës së perandorit Frederik Barbarosa. Zotërimi i aftësive të rralla, mund të jetë fat… ose disfatë… Në rastin e shëronjëses së re, Martës, e cila mund të shërojë edhe me një prekje të dorës dhe është e aftë të parashikojë ngjarje të rëndësishme për vete dhe për kombin, dhuntia e saj do ta detyrojë të largohet nga kështjella në minutën e fundit. Ajo do të bashkohet me një grup kolonësh të nisur drejt Saksonisë së sotme, një zone ende e pashkelur asokohe.
Përktheu: Sabina Dhrimo
Nr. i faqeve: 465
Çmimi: 1300 L
3. Amelia, vajza që nuk do të ekzistonte- Cathy Gohlke


Në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore, një letër e pazakontë do të çojë drejt një enigme të madhe. Rakela Kramer, vajza e një shkencëtari të mirënjohur, do të njihet me të vërtetën e errët të familjes së saj e gjithashtu, do t’i duhet të përballet me tmerret e luftës për të shpëtuar veten dhe Amelinë, vajzën e vogël që, shumë shpejt, do të kthehet në elementin kyç të përpjekjeve të të gjithëve për të luftuar kundër Hitlerit dhe skemave të tij shfarosëse.
Përktheu: Blendi Lami
Nr. i faqeve: 422
Çmimi: 1300 L
4. Të pafajshmit- Paola Calvetti


Pas një mungese të gjatë, Jakobi kthehet në Firence, në Institutin e të Pafajshmëve, jetimoren ku u rrit, pasi u braktis nga një nënë e mbetur në hije, zbulimi i identitetit të së cilës, me kalimin e viteve, iu kthye në fiksim e nuk e linte të jetonte. Dasha ka lindur në një qytet të vogël në Shqipëri. Pas rënies së regjimit, ajo largohet me anije nga Porti i Durrësit, bashkë me instrumentin e saj, dhe zbarkon në Brindisi më 7 mars 1991, bashkë me mijëra refugjatë. Megjithëse iu desh të shkëpuste lidhjet me vendin e saj, muzika bëri mrekullinë: e mbrojti shpirtin e saj delikat e të fortë nga dhembja.
Gjatë koncertit të Brahmsit, do të ndodhë diçka e paparashikueshme. Muzika kthehet në jehonë të dashurisë dhe të një zbulimi tronditës, që pasohet nga një qetësi magjiplotë, si ajo që mbetet edhe në zemrën e lexuesit.
Përktheu: Romina Kasharaj
Nr. i faqeve: 140
Çmimi: 1000 L

5. Çështja Karavaxho-Daniel Silva


NJË ISH-AGJENT I VRARË, NJË KRYEVEPËR E ZHDUKUR, NJË MISION I RREZIKSHËM
Gabriel Aloni, restaurues veprash arti dhe agjent sekret, ndodhet në Venecia, ku policia italiane i bën një kërkesë të pazakontë. Tregtari i veprave të artit, Xhulian Isherudi, është përballur me një skenë drithëruese krimi dhe po mbahet si i dyshuar. Viktima është një ish-agjent, i cili ruan një të fshehtë; ai është trafkant veprash arti në shërbim të një koleksionuesi misterioz. Për të shpëtuar mikun e tij, Gabrieli duhet të gjurmojë pikturën më të kërkuar në botë: “Lindja e Krishtit me Shën Françeskun dhe Shën Lorencin” nga Karavaxho.
Kjo detyrë e çon Gabrielin në një mision mjaft emocionues nga Marseja në Korsikë, nga Parisi në Gjenevë dhe në fund, në një bankë private në Austri, ku një njeri i rrezikshëm, kujdeset për pasurinë e paligjshme të një prej diktatorëve më mizorë në botë…
Përktheu: Erdi Ibro
Nr. i faqeve: 430
Çmimi: 1400 L

#libratqëdua