Një bibliotekë për shkollën Krrabës, bashkohuni edhe ju!

Një bibliotekë për shkollën Krrabës, bashkohuni edhe ju!

Sa libra duhen për të mbushur një bibliotekë? Edhe të gjithë librat e botës nuk do të mjaftonin për të mbushur një bibliotekë, pasi ajo nuk mund të jetë kurrë e kufizuar vetëm në hapësirë. Bibliotekat janë dije, janë burim frymëzimi e këto janë gjithnjë të pakufijshme.

Megjithatë, imagjinoni pak mungesën e saj… e trishtë apo jo? Të tilla janë shumë shkolla në Shqipëri, e një nga më të afërtat me kryeqytetin është ajo e Krrabës. Klubi letrar “Pena e Re”, Republika e Librave, BookLover Albania dhe shumë dashamirës të librave janë bashkuar një nisme të mrekullueshme për të dhuruar romane për të gjithë nxënësit e shkollës së Krrabës. Kjo shkollë përfshin shkollën fillore, nëntëvjeçare dhe atë të mesme, të grupmoshës 6 – 18 vjeç.

Është e vërtetë që lidhja që krijohet me një libër është shumë e fortë, aq sa nuk do mendonit ta “largonit” nga biblioteka juaj por këtë herë nuk duhet ta shihni kështu! Mendoni për të gjithë fëmijët që ashtu si ju, do të gjejnë jetë brenda romanit që ju të dhuroni! Mjafton një titull i vetëm dhe misioni është kryer!

Ishte kënaqësi për në të bëheshim pjesë e kësaj nisme duke mbështetur organizatorët e tij dhe sigurisht duke dhuruar disa libra nga biblioteka jonë personale. Ku ka dashuri dhe pasion për librat ne do të jemi gjithnjë duke dhënë kontributin tonë, sado modest!

Ju keni kohë të dhuroni librat tuaj deri më datë 4 Mars. Për më shumë informacion, bëhuni pjesë e evenit duke klikuar këtu!

Disa nga romanet e dhuruara deri tani