“Një grua në Berlin”, historia e një gruaje të hekurt gjermane

“Një grua në Berlin”, historia e një gruaje të hekurt gjermane

Nga Flogerta Krypi

Unë i dashuroj librat, por mbi të gjitha tek to dashuroj vërtetësinë që mbartin, veçanërisht kur janë pjesë e ndonjë periudhe historike. Librin “Një grua në Berlin” besoj se kam qenë ndër të parat që e kam marrë, sapo është vendosur në vitrinat e librarive, pasi vetë titulli më goditi shumë fort. Një grua në Berlin, ditar 20 prill – 22 qershor 1945, autorja anonime sjell në shqip nga Botimet Onufri.

Ndodh rrallë herë që unë të vrapoj pas një libri prej titullit, por realisht kishte në të periudhën më të errët të njerëzimit, nga janë prodhuar dhe historitë nga magjepseset që kanë shërbyer si subjekte romanesh. Ndryshimi i këtij libri me gjithë të tjerët është se në këtë libër gjendet romani dy mujor i një gruaje që rrëfen se ç’ndodhi me Berlinin kur trupat Sovjetikë hyn në Gjermani dhe lufta po merrte fund.

Kur hapa faqet e para mendova se do të gjej një rrëfim të ndjerë dhe emocionues, siç ndodh zakonisht në libra të tillë për luftën, por në fakt nuk ishte. Mund t’ia kisha kursyer këtë gjë vetes nëse do lexoja parathënien, por i urrej shpjegimet që më jepen për librat, nëse nuk e kam lexuar vetë më parë, pasi më ndikon në lexim. Kështu tek udhëtoja nga faqja në faqe me këtë grua misterioze, që sheh Berlinin e saj që deri para pak ditësh frymonte fitore të shkërrmoqet, unë dërrmohem pas saj. Unë e njoh mirë Berlinin, pasi kam jetuar atje, por të lexosh se ç’kanë bërë në të, të dhemb lëkura, të duket sikur po të shtypin kockat.

Gjermania ishte në prag kapitullimi. Të gjithë botën e kishin kundër, por faturën për këtë luftë e paguan gratë gjermane, të cilat për të thënë të vërtetën dhe e ndërtuan Gjermaninë pas luftës. Hyrja e trupave sovjetikë përshkruhet aq thjeshtë dhe qartë, saqë e dyshova nëse kjo autore anonime, kishte të bënte me letërsinë. Më pas pasi e kisha përfunduar librin, lexova që ajo ishte një gazetare, që nuk lejoi kurrë t’i zbulohej identeti dhe veç pas vdekjes së saj u botuan këto ditar origjinal pa asnjë censurë.

Teksa lufta ishte në përfundim, gratë gjermane u gjendën të vetme dhe të pambrojtura nga prurjet në Berlin. Qyteti ishte kthyer në gërmadhë, nuk gjenin ushqim dhe një pjesë e tyre përdhunoheshin vazhdimisht, madje disa herë në ditë. Një fat të tillë e pati dhe autorja e këtij ditari, që i rrëfen ngjarjet aq ftohtë, aq qartë, pa shtuar apo pa hequr të vërtetën, ashtu siç ajo e shihte, pa mbajtur krahun e askujt. Për dy muaj me rradhë, kjo grua në Berlin i qëndron besnike qytetit të saj dhe të vërtetës. Mes gjithë asaj lufte që po bënin trupat Sovjetikë mbi gratë gjermane, ajo ia doli të mbijetonte. Kur e kam përfunduar këtë libër, realisht kam vuajtur shumë. Marrëdhënia ime me Berlinin gjente një lloj shpjegimi në këtë libër dhe pse në dy kohë kaq të ndryshme.

Të gjithë duhet ta lexojnë këtë libër, jo vetëm ata që duan librat bazuar në ngjarje të vërteta apo histori. Të gjithë duhet të njohin një pjesë tjetër të historisë, të cilët sot nuk e konsiderojnë të rëndësishme. Në fund të fundit sipas botës ato gra gjermane thjesht paguan faturën për një luftë që e nisi shteti i tyre. E megjithatë unë e shoh ndryshe. Libra si ky apo dhe shumë vizita në vende ku Lufta e Dytë Botërore është ende e prekshme, më kanë krijuar një lloj vizioni të qartë për atë çfarë ka ndodhur atëherë dhe po ndodh dhe sot në fakt.
Një grua në Berlin është një ditar i jashtëzakonshëm, ku autorja ka shërbyer thjesht si një lloj sfungjeri, ka thithur çdo gjë dhe e ka nxjerrë jashtë, duke e shkruar, pa shtuar qoftë një ndjesi të vetme personale. Një libër që nuk duhet humbur!