Njeriu duhet ta njohë absurdin; jo për ta mohuar, por për ta vlerësuar atë

Njeriu duhet ta njohë absurdin; jo për ta mohuar, por për ta vlerësuar atë

Nga Milosz Luani

Absurd. Ab – prej, ndaj; surdus – i shurdhët, i papërgjigjur, i heshtur; me një fjalë “i prejheshtur”, i heshtur ndaj diçkaje; ndaj dikujt, i papërgjigjur ndaj diçkaje, ndaj dikujt; i papërgjigjur ndaj kaosit ekzistencial? I heshtur ndaj tij? E pse? Frikë nga të kuptuarit çfarë? Pyetje, tepër shumë pyetje, tepër pak kohë, tepër pak; vetëm një jetë kohë.


I pabindur ndaj kuptimit etimologjik të fjalës, absurdi është barazuar historikisht me diçka të pakuptimtë, me pakuptimësinë e të përpjekurit të gjejmë një vlerë të prejardhjes, cilado qoftë ajo, është barazvleftësuar me pamundësinë njerëzore të gjejë kuptimin e jetës, në një gjithësi të pakuptimtë, të paqëllimshme e të paarsyeshme. Jo rrallëherë, ai referohet si amalgamë e ekzistencializmit dhe e nihilizmit; rrymave filozofike mbi prejardhjen dhe mbi pranimin se çdo gjë duhet mohuar: nihil verum est. (asgjë s’është e vërtetë)


Nën gjurmët më se të dukshme, të Niçes (nihilizmit) dhe pas takimit vendimtar me Zhan Pol Sartrin (ekzistencializmi), me një trajse të rëndë mbi kurriz të mbushur ndër të tjera me shkresa dhe me një top futbolli, u vu Kamyja që të përshkojë shkretëtirën e stërgjatë të kësaj fjale lodrake, duke u marrë fillimisht, me njohjen e më pas me takimin e njeriut me absurdin. Ashtu siç duhet të ketë bërë dhe Kamyja, një pasdite më se të nxehtë në Algjer mbi një ballkon modest, duhet fillimisht t’i përgjigjemi disa pyetjeve dhe të shpjegojmë disa fjali, në pamje të mundimshme, por në thelb më të thjeshta se ç’duken.


Së pari, a ndodhet, dhe, nëse ndodhet, a takohet absurdi me njeriun e shekullit XXI? Ç’lidhje ka pra, njeriu i shekullit të njëzet e njëjtë, i zënë deri në grykë me mundimshmërinë e me rrjedhën e ashpër të jetës me absurdin; do t’ishte një ndër pyetjet që jo pa vend do të bëheshin. Sigurisht, çdo njeri, sidomos shqiptari i rropatur deri më sot, e merr si të mirëqenë ekzistencën dhe nuk e sheh atë si të paarsyeshme por si një pasqyrë, si një tokë ideale për të hedhur e zënë rrënjë, pra jeton në një formë më të thjeshtuar të absurdit. Ashtu si Sizifi, shqiptari i ri mbart mbi kurriz gurin kushedisavjeçar të vuajtjes, barrën e ekzistencës së tij dhe ecën, drejt atij shkëmbi të pjerrët, në kërkim të lumturisë. Njeriu i sotëm e ka barazuar kuptimin e jetës me lumturinë, madje, ai vepron për ta arritur atë në mënyrë thuajse të pavetëdijshme, thua se, kërkimi i lumturisë në të gjitha rrafshet e saj, ndodhet brenda ADN-së njerëzore, duke u barazuar me fjalën “mbijetesë”. Kështu pra, njeriu i shekullit të mijëvjeçarit të parë dhe jo vetëm ndodhet nën absurdin, ku absurdi është hija e tij që e ndjek kudo, vet ndërtimi i tij, që e çon atë drejt lumturisë, mbijetesës.


Së dyti, pse duhet ta njohë njeriu absurdin, e fundja, pasi ta njohë, ç’të bëjë me të? Siç u hijëzua dhe më lart, njeriu i ri, jeton nën absurdin, duke pranuar ekzistencën si të mirëqenë, pa e pyetur, ndoshta sepse nuk ka kohën ose ndoshta sepse nuk e ka menduar ndonjëherë se kjo mund të mendohet, është mjaftuar pra, në rrokullisjen e gurit nën krahë, pa ditur se ai duke e shtyrë, lodhet e sfilitet më pak. Kështu pra, ai jeton pa pyetur për kuptimin e jetës, fare pa menduar se pse bota ka ardhur në këtë mënyrë. Jeton në këtë ishull duke mos pyetur si u krijua e pse në të ka dhe palma por edhe pemë ananasi, pse ka ullishte dhe shegë e jo pemë mangoje e hurmash arabie, pra, njeriu është i predestinuar për të mos e zbuluar kuptimin e jetës ose të gjithësisë, dhe pikërisht, është kjo pamundësi që e bën vet ekzistencën e njeriut absurde e të pakuptimtë, për ta dhënë më qartë, kjo pakuptimësia i jep kuptim jetës e gjithësisë, kjo gdhendje e vazhdueshme që i bëhet shpjegimit të ekzistencës dhe pranimit të asgjësë, i jep shkasë arritjes së përkryesisë së qenies njerëzore: Njeriu është i sigurt se një ditë do ta ngjisë gurin në majë të shkëmbit, por i paqartë në lidhje me pyetjen: “E pasi ta ngjisë shkëmbin, ç’pastaj?” Si rezultat, njerëzit ndahen në dy grupime kryesore.


Të parët janë optimistët budallenj, shpresëruajtësit e mëdhenj, ata që mendojnë se një ditë me të vërtetë do ta ngjisin këtë gur deri në majë të malit, do ta kuptojnë psen, kuptimin e jetës. Më e bukura e këtyre është që nuk e ngjisin malin gjer në majë, por, gjejnë lumturinë në ngjitje, gjatë ecjes, brenda shpresës së tyre. Shpresa e tyre mund të jetë Zoti, apo lumturia në gjërat e vogla; ata e gjejnë lumturinë te format e shkëmbinjve gjatë udhëtimit, te pjerrësia e malit, te kultivimi i mendjes së tyre apo i trupit të tyre gjatë ngjitjes. Ata mund t’i lavdërojmë edhe duke i quajtur hedonistë.


Së dyti, pakica e shkretë, janë ata që e arrijnë malin, edhe ata shpresëruajtës të mëdhenj derisa arrijnë majën e kur shohin se përtej malit nuk ka asgjë të re, frikësohen e struken, vrapojnë e largohen me gurin në krahë e zbresin sërish në fillim të malit, kësaj radhe të vetëdijshëm se nuk ka asgjë pas majës. Pasojat e kësaj janë disa: ose ndjekin hapin e këtyre të parëve duke gjetur kuptimin e jetës tek vetvetia, te një kuptim personal ose duke u çliruar nga çdo moralitet, duke u bërë absolutisht të lirë, pa moral e pa zinxhirë që e lidhin me ekzistencën. Por duke qenë se njeriu nuk mund të jetë kurrë absolutisht i lirë, pjesa e dytë e këtyre ndëshkohen.


Për të përmbyllur, ekzistenca është e lidhur me njeriun, dhe rrjedhimisht absurdi dhe kërkimi imcak i lumturisë vjen më shumë si një reagim natyror sesa si një mendim emblematik filozofik çastësor. Kështu, ky bashkudhëtim i kërkimit të kuptimit të jetës ose të vlerës së prejardhjes vjen si pasojë e vet absurdit që ndodhet brenda qenies njerëzore. Pra, njeriu nuk e njeh absurdin, njeriu e zbulon atë gjatë udhës së jetës, dhe e vlerëson atë, duke i dhënë kuptimin e tij vetjak e duke plotësuar këtë cikël të pambarimtë absurd që në vetvete, edhe ai vuan për të gjetur kuptim, brenda qenies njerëzore.