Parfumi, historia e një vrasësi të krijuar nga shoqëria

Parfumi, historia e një vrasësi të krijuar nga shoqëria

 

Nga Flogerta Krypi

Romani “Parfumi”, i shkrimtarit gjerman, Patrick Suskind, i botuar për herë të parë në vitin 1985 dhe i ekranizuar si libër, është një roman që duhet lexuar të paktën një herë në jetë për të mësuar t’i duam njerëzit që janë ndryshe nga ne. Ky roman i ardhur nën shpiqërimin e Agron Kaiku, nga Shtëpia Botuese Dudaj, shpreh në dyqind e shtatëdhjetë e dy faqe, historinë e një vrasësi dhe pse unë personalisht nuk do e konsideroja të tillë, nëse do të lexohej me kujdes libri.

Zhan Baptist, është një djalë, që u lind në mes të një vaske peshqish, në një treg ku shkëlqente llumi me qëllimin që të vdiste, nga braktisja e së ëmës, por ai nuk vdiq. Në vend të tij vdiq gruaja që i dha jetën dhe e la aty. Ai u rrit ndryshe nga të tjerët, sepse realisht ai ishte një fëmijë me një aftësi të jashtëzakonshme. Ai mund të nuhaste çdo lloj arome, pa e kuptuar që vetë nuk e kishte një të tillë. Braktisja e së ëmës, qe braktisja e parë, e pasuar nga shumë të tjera, si ajo nëpër manastire, mëndeshave, regjësi i lëkurës dhe së fundmi parfumatorit italian Baldinit.

Të gjithë këto njerëz nuk e pranuan asnjëherë si pjesë të jetës së tyre, thjesht sepse nuk kishte aromë. Sapo ato e braktisnin, një vdekje e tmerrshme i vinte menjëherë dhe unë mendoj se këtë gjë autori e ka bërë qëllimisht, për të kuptuar sesi një shoqëri që nuk e pranon atë që është “ndryshe” nga të tjerët e shtyn të shëndërrohet në një vrasës të pamëshirshëm.

I gjykuar nga të gjithë për mos pasjen e një arome Zhan Baptist, shndërrohet në një kërkues të aromës më të veçantë në botë, për trupin e tij. Të gjithë ato që kanë qenë pranë tij e shndërrojnë në vrasës, sepse për të krijuar parfumin më marramëndës në botë, i duhet të vrasë gra. Regjësi i lëkurës i ka mësuar se si mund të rripet një lëkurë gjersa t’i marrësh atë çfarë kërkon, e parfumatori e ka mësuar se si të krijojë një parfum. Urrejtja që ka mbledhur që nga fëmijëria e shtyn të mos ndalë asnjë moment gjersa të arrijë në krijimin e asaj çfarë e mundon më shumë, një aromë.

Është e vërtetë ajo që thuhet, hallka më e fortë e një zinxhiri është dhe pika e tij më e dobët. Zhan Baptisitin nuk e mësoi njeri të donte. Ai qe një përbindësh i krijuar nga shoqëria si shëmbëlltyrë e të keqes së njeriut. Kur arriti të krijonte parfumin që hipnotizoi njeriun, që fare mirë, mund të shihet dhe si magjepsje e njeriut nga qenia e vet, kuptoi se e vetmja gjë që kishte dashur në jetë ishte një copëz dashuri. Në mendje i erdhi vajza e parë që vrau dhe e vetmja gjë që ndjeu ishte se, për të pasur aromë njeriu, mjaftonte të donte njeriun, nuk kishte pse e vriste atë, por qe shumë vonë.

Kur e kam përfunduar rileximin e romanit, një sërë pyetjesh më vërshuan në kokë. A nuk jemi ne njerëzit që i krijojmë këto përbindësha, që në gjenezë, me sjelljet tona dhe distancimin që iu bëjmë? A mos jemi ne realisht përbindëshi që futet si fantazëm në shpirtat e këtyre qenieve të veçuara thjesht sepse kanë diçka ndryshe nga turma?

Unë mendoj se po dhe ky roman e shpalos qartë, një gjë të tillë. Lexoje dhe ti. Mëso të duash atë që është ndryshe, sepse ndoshta një ditë pa e kuptuar mund të jesh ti përgjegjësi se në çfarë shndërrohet “qenia ndryshe”.