“Për dashurinë dhe demonë të tjerë”, një histori e ndjerë në thellësinë e shpirtit njerëzor

“Për dashurinë dhe demonë të tjerë”, një histori e ndjerë në thellësinë e shpirtit njerëzor

Sa herë që dua të lexoj ‘pa rrezikuar’, kthehem tek shkrimtarët e mi të preferuar, një prej të cilëve është Gabriel Garcia Marquez. “Për dashurinë dhe demonë të tjerë” është një roman i ardhur së fundmi nga Shtëpia Botuese Onufri. Si gjithnjë magjepsës dhe mbresëlënës, Marquez ka shkruar një tjetër kryevepër që do t’i rezistojë kohës.

Sierva Maria, e bija e markezit të Kasaldueros, kafshohet nga një qen dhe menjëherë dyshohet se vajza është pushtuar nga sëmundja e tërbimit. Pavarësisht shenjave të mira të shëndetit të saj, një qytet i mbushur me supersticione dhe besytni nuk është në gjendje të gjykojë me mendje të kthjellët. Ndaj, të gjithë besojnë se vajza është e pushtuar nga demonët. Fryt i një martese pa dashuri, Sierva Maria u rrit mes skllevërve dhe kulturës afrikane, praktikat e të cilëve shpesh ngatërroheshin me ‘pushtimin e demonëve’.

Një prift i ri në moshë i quajtur Kajetano Delaura do të marrë përsipër detyrën e vështirë për të përzënë shpirtin e keq të vajzës, por a gjendet vërtet brenda saj një shpirt i tillë? Një ëndër kuptimplotë do të dëshmojë për lexuesit lidhjen e veçante mes dy të rinjve e do të jetë dëshmi e dashurisë së tyre të dlirë. A do të mund dashuria të bindë një qytet të tërë për pafajësinë e saj?

Romani sjell një histori të ndjerë e të dhimbshme teksa eksploron natyrën njerëzore nën trysninë e shoqërisë së painformuar. Nisur nga titulli, çfarë janë quajtur demonë, janë simbol i emocioneve të çdokujt, shpesh të papranueshme nga dikush tjetër. I vendosur në shekullin e XVIII, romani tregon për një kohë ku kisha del mbi shkencën, dhe dënon atë që mund të jetë lehtësisht e kurueshme. Ai sjell gjithashtu copëza arti, nëpërmjet poezive të De la Vegës, për të na dhënë shpresë deri në rreshtat e fundit, shpresë se ndjenjat ende nuk kanë vdekur dhe se forca e tyre mund të dalë kundër të gjithëve.

“Për dashurinë dhe demonë të tjerë” u shkrua bazuar të dy momente në jetën e shkrimtarit, një ngjarje që ai mbuloi si gazetar dhe një legjende që kishte dëgjuar nga gjyshja e tij. Ndërthurja e të dyjave sjell një nga veprat më të bukura të realizmit magjik, një vepër magjepsëse, e cilësuar si arritje që rrallëherë gjendet në letërsi.

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *