Përshtypje mbi librin “Ura e Mbretit Shën Luigj”

Përshtypje mbi librin “Ura e Mbretit Shën Luigj”

“Ura e Mbretit Shën Luigj” është një vepër klasike, fituese e çmimit Pulitzer 1928.

Ngjarja që përshkruhet në roman ngjall kureshtjen e lexuesit që në faqet e tij të para. Një urë e ndërtuar shekuj më parë shëmbet duke marrë jetën e pesë banorëve të Perusë që po kalonin aty. A ishte kjo një rastësi, diçka e përgatitur nga fati apo kishte një lidhje llogjike pse kjo ngjarje rrëmbeu pikërisht këto pesë jetë?

Këto pyetje e munduan për vite Atë Xhuniperin, priftin franceskian i cili vendos të mësojë çdo gjë mbi jetën e pesë personave që u zhdukën bashkë me urën e mistershme. Romani është i ndarë në 5 pjesë ku secila i përket një personazhi. Tek lexojmë romanin, kuptojmë se personazhet ishin të lidhur me njëri tjetrin në momente të caktuara të jetës së tyre. Tematika të ndryshme trajtohet në këtë roman, ku më e rëndësishmja është ajo e dashurisë në shumë dimensionet e saj, dashuria për prindërit, dashuria për vëllanë, dashuria për punën etj.

Vepra, pa dyshim, është shkruar nga një mendje brilante e kohës i cili ngriti pikëpyetje për atë ç’ka është e paparashikuar nga vet ne në jetën tonë, por ndoshta e parashikuar nga një fuqi e mbinatyrshme, si fati apo Zoti. Vet romani, e sheh jetën dhe vdekjen të lidhur nga dashuria, siç jepet edhe në fragmentin e mëposhtëm:

“… dashuria do të jetë e mjaftueshme; të gjitha impulset e dashurisë do të kthehen te dashuria që i krijoi. Madje, edhe kujtesa nuk është e domosdoshme për dashurinë. Ka një tokë të të gjallëve dhe një tokë të të vdekurve dhe dashuria është ura, e vetmja mbijetesë, i vetmi kuptim.”