Përshtypje mbi romanin “Kaini” – një shuplakë ndaj Biblës

Përshtypje mbi romanin “Kaini” – një shuplakë ndaj Biblës

Përzgjodha të lexoja romanin “Kaini” duke u nisur vetëm nga një fakt: ky roman u shkrua nga Jose Saramago, shkrimtari më i madh i letërsisë portugeze dhe një nga më të mëdhenjtë e letërsisë botërore. Nëse do më duhet të përmendja një shkrimtar me një mendje brilante është padyshim ai. “Verbëria” është një nga romanet e mia të preferuara dhe ndoshta romani për të cilin kam folur më shumë dhe kam sugjeruar më shpesh. (Pa harruar këtu edhe “Kur qau Niçja”) E mahnitur nga rrëfimi i “Verbërisë”, lexova “Le të ulurijnë”, një tjetër roman i mrekullueshëm nga nobelisti portugez, dhe më pas “Kainin”.


Ky roman nis me lindjen e njerëzimit, me Evën dhe Adamin dhe më pas përqëndrohet në historinë e njohur të dy vëllezërve Kaini dhe Abeli. Sipas Biblës, Kaini vrau të vëllanë e tij Abelin për shkak të xhelozisë ndaj tij duke u kthyer kështu në simbol të dashakeqësisë dhe lakmisë. Saramago na sjell këtë histori në një këndvështrim tjetër duke analizuar jetën e Kainit pas vrasjes së vëllait. Udhëtimet e tij na sjellin të tjera histori nga Bibla duke arritur deri tek ndërtimi i arkës së Noes. Kaini i Saramagos është një qenie njerëzore më shumë se sa biblike, ai na vjen më të mirat dhe të këqijat e tij. Përballë tij ështe figura e Perëndisë, e zhveshur nga madhështia e tij hyjnore dhe e ardhur si një qenie egoiste, hakmarrëse dhe mospërfillëse. Ai është dëshmitar i vdekjeve masive, vrasjeve dhe shkatërrimeve dhe përballë këtyre ndodhive rri duarkryq.
“Kaini” është një roman tronditës, i cili tund themelet e raportit mes Perëndisë dhe njerëzimit. Deri ku mund të arrijë Perëndia, sa mundet ai të ndalojë të keqen apo të shtyjë njerëzimin drejt mirësisë? Ndoshta pak; në botë ka gjithnjë padrejtësi, hakmarrje, vdekje. Ndoshta shumë; monedha ka gjithmonë dy anë. Sipas Kainit, Zoti nuk është figura që na është servirur përkundrazi ai nuk bën ndonjë dallim të madh nga djalli. Padyshim që ky roman është shokues për të gjithë, qoftë ata që besojnë në Zot dhe e njohin mirë Biblën, qoftë për pjesën tjetër.
Personalisht, njohuritë e mia mbi Biblën janë relativisht të pakta. Shpesh gjatë leximit të romanit mu desh të kërkoja më shumë mbi figurat biblike të përmendura në roman. Nëse do të dija më shumë mbi ta, tronditja do të ishte më e madhe madje mund të kalonte deri në revoltim pasi romani të fut në kthesa të paimagjinueshme dhe të përplas me të vërteta therëse.


A do ja rekomandoja një besimtari të krishterë këtë roman? Feja nuk është absolutisht përcaktues për të sugjeruar një roman. Lexuesi duhet të jetë gjithmonë mëndjehapur!
A do ja rekomandoja një lexuesi që nuk ka lexuar asnjëherë Saramagon? Niseni me “Verbërinë”, për mua është kryevepra e shkrimtarit.
A është “Kaini” një “libër që dua”? Padyshim që po!