Përshtypje mbi romanin “Rrëfenja e shërbëtores”

Përshtypje mbi romanin “Rrëfenja e shërbëtores”

Librat, ashtu si njerëzit që hyjnë e dalin nga jeta jonë, lënë diçka pas, një kujtim, një mësim, një dyshim apo një shpresë. Pavarësisht se sa gjatë qëndrojnë me ne, ata nuk mund të harrohen lehtësisht. Nën rreshtat e një libri, shpesh humbet për shkak të dramacitetit të ngjarjeve, për shkak të ngjashmërisë që gjejmë me veten apo për shkak të përballjes me një ngjarje krejtësisht të re, larg çdo imagjinate apo krijimi. E tillë ishte “Rrëfenja e shërbëtores”, një libër i fuqishëm si një zë që buçet pavarësisht viteve.
Romani i Margaret Atwood është një roman distopik. Distopia, e kundërta e utopisë – gjëndjes së përsosur, është gjëndja më e tmerrshme që mund të ekzistojë në një shoqëri: mungesë e të drejtave njerëzore, varfëri, diktaturë etj. Në këtë linjë përfshihet edhe romani “1984” nga George Orwell, “Lojrat e urisë” nga Suzanne Collins, “Divergjentja” nga Veronica Roth etj. Ngjarjet në roman janë të vendosur në një shtet totalitar ku shoqëria dhe kryesisht gratë janë të ndarë në disa klasa dhe njerëzit nuk kanë të drejtë të thonë atë që mendojnë, të zgjedhin punën e tyre, madje as të dashurojnë. Absurditeti arrin deri aty sa grave ju ndalohet të lexojnë.  Në qendër të romanit është Efredit, shërbëtore në shtëpinë e Komandandit, detyra e së cilës është të sjellë në jetë një fëmijë për të shpëtuar kështu veten. Shërbëtoret ishin ajo klasë e shoqërisë të cilat duhet të jepnin pasardhës për pronarët e tyre për të mos kaluar në një klasë tjetër e njohur si Jo-gratë, gratë sterile dhe të martuara.
Krejtësisht pa të drejta, protagonistja jonë na kujton momente nga e kaluara e saj duke reflektuar kështu edukimin e marrë. Ajo ka patur dikur një familje, bashkëshortin dhe vajzën të cilët as nuk i di se ku gjenden. Megjithatë, edhe pse dashuria është një koncept i ndaluar, ajo do të njohë Nikun, shoferin e Komandantit me të cilin do të krijojë një lidhje edhe më të afërt se ç’i lejohet.

Skenat e seksit e protagonistes me Komandantin me prezencën e gruas së këtij të fundit, frika për të biseduar me shërbëtoret e tjera, Muri në të cilën vareshin mëkatarët janë momente nga ky roman të cilat të fiksohen gjatë në mendje, madje të dridhërojnë aq shumë sa do të doje të mos i dije. Lexuesi ndjen rresht pas rreshti ankthin me të cilin personazhet përballen dhe në heshtje revoltohet pasi asgjë nuk ndryshon në regjimin e vendit në të cilin zhvillohen ngjarjet. Personazhet nuk arrijnë të ngrejnë zërin për të thënë disa të vërteta të mëdha. Atyre nuk i lejohen as sendet e mprehta pasi rreziku i vetvrasjes është mëse i lartë. Megjithatë, një shprehje e fuqishme do ju ngulitet mirë në mendje nga ky roman: “Nolite te bastardes carborundorum” (Mos i lini maskarenjtë të ju vënë për fund).
Padyshim që “Rrëfenja e shërbëtores” është një kryevepër botërore dhe kërkon një lexues të përkushtuar dhe të vëmëndshëm ndaj detajeve. Botuar për herë të parë në vitin 1985, vepra është përkthyer në shumë gjuhë duke u kthyer në simbol të manifestimit të feminizmit dhe duke provokuar polemika të shumta.

Fragmente nga libri

  • “Tani të vijmë te falja. Mos u merr me faljen time tani. Ka gjëra më të rëndësishme. Për shëmbull: mbroji të tjerët kur janë shëndoshë e mirë. Mos i lër të vuajnë shumë. Nëse duhet të vdesin, bëji të vdesin shpejt. Madje, ofrohu edhe parajsën. Për këtë të duam. Ferrin e krijojmë vetë.” (drejtuar Perëndisë)
  • “Askush nuk vdes nga mungesa e seksit. Vdesim nga mungesa e dashurisë. Këtu nuk ka njeri që mund të dua. Gjithë njerëzit që mund t’i doja, kanë vdekur ose janë diku gjetkë. Kushedi ku ndodhen apo si i kanë emrat tani. Ka shumë të ngjarë të mos jenë asgjëkund, sikundër jam edhe unë për ta. Edhe unë jam një person i zhdukur.”
  • “Rashë në dashuri, thoshim. Më ka rënë në kokë për të. Ishim gra që binim. Që besonim në rënie, në këtë lëvizje tatëposhtë: sa e këndshme ishte, sikur fluturoje, por në të njëjtën kohë, sa e frikshme, sa ekstreme, sa e pamundur.”

Mbi autoren

Margaret Eleanor Atwood (Ottawa, 18 nëntor 1939) është poete, shkrimtare dhe ambientaliste kanadeze. Ajo ka fituar çmimin Arthur C. Clarke, çmimin e Princit të Asturias për Letërsinë, çmimin prestigjioz Booker Prize (në të cilin ka qenë pesë herë finaliste) dhe dy herë çmimin e Guvernatorit të Përgjithshëm, i cili jepet nga kryeministri kanadez.