Pesë librat që nuk duhet t’i humbisni këtë vit nga shtëpia botuese Pegi në panair!

Pesë librat që nuk duhet t’i humbisni këtë vit nga shtëpia botuese Pegi në panair!

Për çdo lexues, Panairi i librit është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit ku shtepitë botuese bashkohen për të prezantuar botimet e një viti pune. Që në fëmijëri, e kemi pritur panairin gjithmonë më shumë dëshirë sepse e shihnim si një mundësi për tu njohur më shumë tituj të cilat në një librari të vetme vështirë të gjenden. Megjithatë, duke qenë se panairi vizitohet nga shumë lexues, mire është që të bëni një listë paraprake se çfarë doni të blini në mënyrë që të mos përfundoni duke bërë blerje të nxituara. Për këtë arsye, ne kemi vendosur t’ju vijmë në ndihmë duke ju njohur me titujt më të rinj të disa prej shtëpive botuese por dhe me tituj që ja vlejnë të jenë në biblotekën tuaj. Është e pamundur të vizitoni panairin e të mos ndaleni në stendën e Pegit, një nga shtëpitë botuese më cilësore dhe që sjell botime të shumëpritura nga lexuesit. Ne ju njohim me pesë librat që nuk duhet t’i humbisni këtë vit nga kjo shtëpi botuese!
1. Histori arratie e qëndrese- Elena Ferrante


Të gjithë ju që keni lexuar “Mikesha Gjeniale” dhe “Mbiemri i ri” jam e sigurt se mezi po e prisni vëllimin e tretë të sagës napoletane. Në këtë vëllim, Elena dhe Lila janë tashmë gra. Lila është martuar, ka lindur një fëmijë dhe është ndarë nga bashkëshorti i saj abuzues. Elena është larguar nga lagja e fëmijërisë, është diplomuar dhe ka botuar një roman të suksësshëm, ngjarje që i kanë hapur dyert e salloneve intelektuale e mondane. Të dyja gratë janë përplasur me muret e burgut që do t’i kishte mbajtur të ndrydhura në një jetë varfërie, injorance dhe nënshtrimi. Më në fund, atyre po u ofrohen mundësitë e mëdha, toka e premtuar e emancipimit femëror. E megjithatë, fantazmat e së shkuarës nuk janë larguar, hendeqet nuk janë mbushur dhe ndryshimet i kanë rrënjët ende të njoma.
Përktheu: Agim Doksani
Nr. i faqeve: 430
Çmimi: 1200 L
2. Posta- Charles Bukowski


“Posta”, romani i parë i Charles Bukowski-t, një ish-nëpunësi të rëndomtë poste, u botua më 1971 dhe tronditi fort Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç do të ndodhte për pothuajse gjithë prozën e tij, protagonisti është alteregoja legjendare e Bukowski-t, Henri Çinaski. Ai lufton për të arritur punën e ëndrrave, atë të postierit, por parajsa që ai priste, i mohohet vrazhdësisht nga realiteti. Thellësisht i zhgënjuer nga rutina e përditshmë dhe nga rregullorete ngurta të makinës burokratike, Çinaski ngushëllohet duke i mbytur frustrimet e veta në gotën e uiskit dhe duke gjetur strehë në krahët e butë të grave më të vetmuara se ai. Mes dehjeve të bujshme, basteve të guximshme në garat me kuaj dhe netëve në motele,Çinaski do të largohet përfundimisht nga posta pas dymbëdhjetë vjetësh, i pështirosur nga ai institucon i madh që, në fund të fundit, është vetë jeta.
Përktheu: Iris Sojli
Nr. i faqeve: 194
Çmimi: 800 L
3. Femrat- Charles Bukowski


Që prej nëntorit 2017, të drejtat e botimit të romanit “Femrat” të Charles Bukowski-t i zotëron Botime Pegi. I përkthyer nga Virgjil Muçi, vjen me një botim të redaktuar dhe të përmirësuar për t’iu afruar sa më shumë gjuhës dhe frymës së autorit. Kjo është shfaqja më e sinqertë e një shpirti të plagosur, në kërkim të përhershëm të ndjenjës, i paaftë për t’i mohuar kurrgjë çdokujt që duket vagëllimthi femërore. Bukowski rrëfen haptas dhe pa asnjë nënkuptim një pasion magjepsës të tij: gratë dhe aventurat e tij të dashurisë, të vërtëta apo të sajuara qofshin. Kërkimi i tij nuk resht para asgjëje, ndoshta sepse dashuria dhe lufta mes sekseve janë mjeti më i sigurt për shkrimtarin amerikan për të ruajtur lidhjet me realitetin.
Nr. i faqeve: 412
Çmimi: 1000 L
4- Zemra vërtitëse- Donald Ryan


Në një fshat të humbur irlandez, menjëherë pas krizës së rëndë ekonomike, fillojnë të dalin në sipërfaqe tensione të rrezikshme. Njëzet e një zëra unik bashkohen për të shpalosur një përrallë të vetme dhe origjinale ku ngjarjet zhvillohen rreth falimentimit të një ndërrmarrjeje ndërtimi. Lidhje dashurie, tradhti, raporte familjare të shkatërruara, një vrasje dhe një rrëmbim gjejnë hapësire po aq të natyrshme sa dhe veprimet e diktuara nga dashuria, nga shpirti i solidaritetit, nga dinjiteti dhe respekti.
Përktheu: Sokol Çunga
Nr. i faqeve: 152
Çmimi: 600 L
5- Dhunë e dhunti (mirësia vjen në muzg)- Enit Karafili Steiner


Maksi dhe Toska janë dy vëllezër binjakë, të shpërngulur në Amerikë, në Lalaland, në kërkim të lumturisë dhe Tokës së Premtuar. Maksi, një shpirt artist, bohem e kokëkrisur, dhe Toska, i matur, akademik e filozof, përbëjnë dy anët e një peshore që kanë nevojë të domosdoshme për njëri-tjetrin për të ruajtur ekuilibrin. Të lidhur ngushtë, jo vetëm përmes kapilarëve të hollë të gjakut, fëmijërisë dhe ëndrrave të tyre, përjetësisht të pandashme, mes tyre futet shpirti i një gruaje. Tesa, “e marra mish e thua e të vëllait”, do të trondisë marrëdhënien e tyre, duke i larguar, por edhe duke i ngërthyer keqaz me njëri-tjetrin. “Vala” e fatalitetit do t’i rrëmbejë në vorbullën e vet të tria qeniet, sidomos pas një aksidenti tragjik që do të pësojë Maksi, duke i mbajtur pezull mes “dhunës e dhuntisë”.
Nr. i faqeve: 160
Çmimi: 700 L

#libratqëdua