Pier Paolo Pasolini, shembulli i intelektualit të angazhuar që në rini

Pier Paolo Pasolini, shembulli i intelektualit të angazhuar që në rini

“Mish dhe qiell” është një përmbledhje me poezi kushtuar kryesisht të rinjve. Përzgjedhja e bërë me kujdes është shumë kuptimplotë për t’i shoqëruar lexuesit dhe veçanërisht të rinjtë në botën e poetit Pier Paolo Pasolini. Përmes tyre del në pah fuqia e tij shprehëse dhe përfytyruese. Boshti rreth të cilit enden të gjitha poezitë është dashuria, si një fjalë kyç drejt zemrës së rinisë, si dhe angazhimi qytetar, si shenjë e një vetëdijeje të pjekur shoqërore. Këto poezi mund të lexohen, të recitohen, të kopjohen, të dhurohen: për të gjithë të rinjtë që, falë një libri, arrijnë të shprehin ndjenjat e tyre më të thella dhe komplekse.


Libri është i pajisur me një indeks të përgjithshëm të veprave të Pasolini-t, në letërsi, kinematografi, teatër etj. “Vizioni im është apokaliptik. Por sikur pranë tij dhe ankthit prej të cilit lind, të mos kisha brenda vetes edhe një element optimizmi, domethënë mendimin se ekziston mundësia për të luftuar kundër gjithë kësaj, nuk do të isha duke folur këtu, mes jush,” është një prej deklaratave më të forta të Pasolinit, me vlerë të gjithkohshme dhe të përbotshme.

Kritika
Pasolini […] ishte një figurë qendrore e kulturës sonë, poet që shenjoi një epokë të tërë, regjisor gjenial, eseist i pashtershëm” – Alberto Moravia

“Në këto poezi, thellësisht shpirtërore, Pasolini shfaq një religjiozitet problematik, ku duke iu drejtuar fjalës së kulluar, nxjerr në pah pa trillime dilemën e brendshme personale që e brengos. Për më tepër, këtu, shfaq gjithë zhgënjimin për një shoqëri të ngrirë nga rregullat dhe hipokrizia. – Nicola Vacca / ZONA DI DISAGIO

Pasolini ishte një artist i ethshëm dhe i shumanshëm, i ngjashëm me Bembo-n (teoricien, kritik dhe poet), me Aretino-n (polemist dhe vargëzues), me Michelangelo-n (piktor, skulptor, shkrimtar), për të mospërmendur Leonardon (të cilin Paul Valery e vendosi mes ‘engjëlve të morfologjisë’). – Valerio Magrelli

Autori

Pier Paolo Pasolini ishte poet, shkrimtar, regjisor, skenarist, dramaturg dhe gazetar, një nga intelektualët dhe artistët italianë më të mëdhenj të shekullit XX. Ai ishte vëzhgues i hollë i ndryshimeve që pësoi shoqëria italiane pas luftës së dytë botërore deri në mes të viteve ’70, si dhe një figurë kontroverse, që nxiti polemika dhe debate të pareshtura për shkak të radikalizmit që shfaqi në gjykimet e veta; një kritik i paepur kundër zakoneve borgjeze dhe shoqërisë së konsumit që sapo kishte nisur të lulëzonte në Italinë e viteve ’60 – ’70.

Fragmente nga libri
Mish dhe qiell
O dashuri amënore,
sfilitëse, me arturinat
e trupave të pushtuar
nga e fshehta e barqeve.
Dhe sjellje të ëmbla
të pandërgjegjshme për aromën
e paturp që qesh
në gjymtyrët e dëlira.
Përshkënditje të rënda
flokësh… shpërfillje
mizore vështrimesh…
përkujdesje të pabesa…
I flashkur nga vaje
fort të ëmbla kthehem te ti
me mishrat përvëlim
buzëqeshjesh shkëlqimtare.
E çmendem në zemër
të natës festive
pas mijëra netësh të tjera
për këtë zjarr palavi.