“Posta” nga Charles Bukowski, një roman për jetën e cila nuk është si nëpër libra

“Posta” nga Charles Bukowski, një roman për jetën e cila nuk është si nëpër libra

Charles Bukowski është një nga shkrimtarët më të diskutuar të letërsisë amerikane. Duket se përballë tij, lexuesi nuk mund të zgjedhë një rrugë të mesme; duhet ta kuptojë e ta dojë ose ta nënçmojë e ta urrejë. I cilësuar si laureat i përshkrimit të jetës së shtresave të ulta amerikane, letërsia e tij na e paraqet botën ashtu siç është në realitet, të zhveshur nga artificat e hiperbolizura. Pikërisht këtu qëndronte gjenialiteti i këtij shkrimtari: Bukowski e shihte realitetin përreth me sytë e të vërtetës duke vënë në qendër të veprave të tij njeriun e zakoshëm që bën gjëra të zakoshme.

“Posta” është romani i parë i shkruar nga Bukowski dhe lidhet me vitet ku vet shkrimtari punoi si një nëpunës poste. Si zakonisht, protagonisti është alteregoja legjendare e tij, Henri Çinaski. Pasi fiton punën e ëndrrave, atë të postierit, Henri përplaset me një ambient pune shumë burokrat e aspak motivues, një realitet të hidhur e zhgënjyes, e përfundon duke shtyrë ditët e një jetë të zymtë e të trishtë.

Edhe pse panorama e romanit nuk të shtyn të nisësh leximin e këtij libri, në fakt është stili i vet autorit ai që të bën të mos e lëshosh nga dora. Me një gjuhë të ashpër dhe deri diku banale, Bukowski sjell humor e satirë duke e kthyer “Postën” në një roman zbavitës. Megjithatë, mesazhet që romani përcjell nuk janë aspak kështu. Përtej alkoolit dhe seksit, ky roman është një zë i fortë i shtypjes së punonjësve dhe mohimit të të drejtave të tyre. Satira e hollë e Bukowskit shërben si një shkundje për lexuesin e jetën pa krye.

“Personazhet e mia rrallë herë evoluojnë, janë shumë të dëmtuar për ta bërë këtë” – është shprehur shkrimtari dhe kështu ndodh edhe me Çinaskin e postës. Ai kalon 12 vjet duke i shërbyer një institucioni të pështirë i cili e trajtoi keq, i degradoi e në fund nuk i dha asgjë.

“Posta” nuk është letërsia me të cilën jemi mësuar, nuk na përcjell ndjenjat që kërkojmë tek një libër e nuk na bën të ëndërrojmë siç mund të na ndodhë shpesh kur lexojmë. Përkundrazi, ai na zgjon si një alarm i orës 5 të mëngjesit, e na shqetëson deri në çoroditje. Është i trishtë por real. Është zbativës por i hidhur. Jo fort i pëlqyeshëm por i vërtetë.