Projekti i Sami Frashërit për Shqipërinë e sotme

Projekti i Sami Frashërit për Shqipërinë e sotme

Nga Elion Kollçaku
Nuk e di arsyen, mirëpo librat shqiptarë, kohët e fundit janë më pak të lexuar, sesa librat nga ndërkombëtarët. Normalisht, pa bërë përgjithësime, mirëpo është një dukuri që mund të vërehet lehtësisht. Dhe, është shumë gabim! Librat shqiptarë (sidomos, të shekujve të kaluar), jo vetëm që duhet të lexohen por, edhe të studiohen nga përmbajtja e tyre dhe nga mesazhi i vetë librit.

Qëlloi, që një libër që e kishim si literaturë obligative në fakultet të ishte “Shqipëria Ç’ka qenë, Ç’është e Ç’do të bëhet”, nga Sami Frashëri. Nëse mund ta quaj edhe projekt këtë libër nga ai, pasi ka shumë elemente se si duhej të bëhej Shqipëria, duke i dhënë vulën e një mendimtari, intelektuali e atdhedashësi. Përmes rreshtave të shkruara nga ai, kupton se çfarë do të thotë dashuria për gjuhën, kombin dhe për vendin tënd (atdheun). Kupton se sa shumë e deshi ai, këtë Shqipëri.

Në pjesën e parë të librit, “Shqipëria ç’ka qenë?”, ai e fillon me gjenezën e origjinës tonë. Ai flet për kohën e pellazgëve, të parëve tanë, siç edhe i quan. Duke na konsideruar si ndër kombet e para në botë, ai flet me fjalët më të mira, duke treguar se pellazgët kishin një besë të bukur e vjershëtore. Vazhdon me pjesën ku tregohet se ku shtrihej Iliria, kush ishin ilirë e epiriotët. Duke dëshmuar se ishin një komb i lashtë, i madh, e i shtrirë në një hapësirë të madhe. Mirëpo, në radhë, i tregon anët e errëta të asaj kohe, duke filluar nga pushtime romake. Përmes këtyre pushtimeve, synohej të arrihej asimilimi, dhe të humbte çdo fakt i gjallë për ilirët. Kjo pjesë e errët dhe e dhimbshme, sa përfundon, fillon koha tjetër që sjell të njëjtin fat. Ai e ngrit figurën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, duke e cilësuar si një burrë të pashoq, që gjithë jetën i ka dhënë edhe do t’i japë nder Shqipërisë. Ai e vlerëson lart, sepse ai dha kontribut të madh për vendin e tij, në vendin e tij, se historia ka treguar edhe shumë burra të tjerë me prejardhje shqiptare, me emër të madh, por që kanë kontribuar për vendet që i kanë asimiluar. Gjuha shqipe, edhe pse e pashkruar, jetoi! Ky fakt i dhimbshëm për shqiptarët, ku gjuha e tyre mbeti e pashkruar, dhe nuk ekziston asnjë dëshmi e asaj kohe. Kjo, ndoshta, lidhet më së shumti me mohimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit të shqiptarëve, nga ana e pushtuesve.

Pjesa e dytë e librit, “Ç’është Shqipëria”, flet për një Shqipëri që gjeografikisht është zvogëluar (duke u bazuar nga kufijtë e saj), demografiksht është rritur, por që nuk qeveriset mirë, që është e varfër dhe e paditur. Me pak fjalë, kjo është Shqipëria që përshkruan Sami Frashëri. Rëndësi të madhe i jep, prapë, të shkruarit të gjuhës shqipe, duke e cekur: “Në është ruajtur shqipja kaq mijë vjet pa shkronja, paskëtaj s’mund të ruhet’ edhe shumë kohë, me të qenë që kohët u ndruanë, ndonjë komb s’mund të ronjë i darë e veçan, fqinjët u zgjuanë e po venë mbarë edhe përpiqenë të na rofitinë”. Ky citat, e dëshmon më së miri, se si ishte atëherë Shqipëria (koha e tashme, në lidhje me veprën), ku nuk po bëhej shumë në aspektin e dijes (arsimit), dhe ishte mbetur shumë prapa, pikërisht nga kjo arsye.

Ndërsa, pjesa e fundit, “Ç’do të bëhet Shqipëria?”, shënon projektin e madh e shumë domethënës për Shqipërinë, nga ana e Sami Frashërit. Ai ka përfshirë çdo detaj që do ta bënte Shqipërinë, ashtu siç do të duhej të ishte. Duke konsideruar se shqiptarët janë shumë të zotë ta mbrojnë veten, që e kanë dëshmuar duke i ndihmuar popujt e tjerë, e kjo do të arrihej përmes krijimit të ushtrisë. Pra, ai i paralajmëron shqiptarë të bashkohen e të luftojnë kundër armiqve kryesorë. Si armiq të tyre, ai konsideron pushtuesit e tyre, që i ekskomunikuan, e deshin t’iu humbin identitetin, kulturën e gjuhën e tyre, gjë që nuk ndodhi. Shpëtimin e shqiptarëve, ai e konsideroi se është në vetë duart e tyre, duke lidhur besën burrërisht, e duke kërkuar të drejtat e tyre nga Turqia e Evropa. Sa i përket qëllimeve të shqiptarëve, ai përmend dy kryesoret. Qëllimi i vetëm i shqiptarëve është ta ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombin e tyre. Kurse, qëllimi i dytë është që të shpëtohen shqiptarët nga zgjedha e priftërinjëve grekë, bullgarë e serbë, e të kenë kishën e tyre me priftërinjë shqiptarë. Shpëtimi më i mirë, mund të bëhej nga një qeverisje e mirë. Ai udhëheqësinë ia lë pleqësisë, qeverisë së përgjithshme, kreut të qeverisë dhe ministrisë. Madje, do të krijoheshin shatë ministri: e punëve të brendshme, punëve të jashtme, e ushtrisë dhe e detit, e begatisë, e gjyqërisë, e diturisë (arsimit), e punëve të përgjithshme dhe e besëve (feve). Fundi i këtij projekti mbyllet kështu: “PERËNDIA, E DREJTA, KOMBI, GJUHA! SHQIPËRIA, SHQIPTARIA” Ajo çka na mëson kjo vepër (projekt), është ta duam kombin tonë, gjuhën tonë dhe të ndihmojmë në përparimin e tij. Do të duhej të lexohej sa më shumë, sidomos nga moshatarët e mi, sepse vetëm kështu mësojmë se çfarë do të thotë atdhedashuria!