Psikoanaliza e mendjes kriminale në veprën e Dostojevskit

Psikoanaliza e mendjes kriminale në veprën e Dostojevskit

Nga Joli Lamaj

Fjodor Dostojevski, autori i jashtëzakonshëm që vendosi në krye të veprës së tij jetën e kulturën ruse të shekullit të XIX. Vepra me volum dhe karakter enciklopedik shquan një analizë të qënies njerëzore dhe besimit të saj, ruan mirfilli tiparet e psikoanalizes së mendjes nën presionin politik, shoqëror dhe padyshim (tipar ky i rëndësishem i idealit të autorit) fetar.
Shqyrtimi teorik i tre fushave kryesore në jetën e rusit të shekullit XIX u bë përmes krimit dhe potencialit së mendjes për të kuptuar rreth idealit të tij, bindjeve dhe besimit. Vepra përfshin psikoanalizë të pastër që studiuesit e quajtën paraardhëse të ekspertizës së Niçes, ajo gjithashtu sjell vazhdimisht në qendër njeriun ekzistencialist (element që parapriu tiparet e ekzistencialistit të famshëm të shekullit XX), veçse ai i Dostojevskit qe aktiv, i dilemës ekzistenciale dhe i tronditur përballë padrejtësisë.
Si nga ana filozofike ashtu dhe letrare, autori ngre marrëdhenie dinamike për të përcjellë raportet e moralit me etikën, besimit dhe ateizimit, dashurisë dhe tradhtisë, idealit dhe radikalit politik. Katër romanet kryesorë ku dilema e shoqërisë kundrejt modernizimit të Rusisë, drama e moralitetit të qenies, vullnetit të lirë dhe shpirtit të regjur rus janë Krim dhe ndëshkim (1866), Idioti (1869), Djajtë (1872) dhe Vëllezërit Karamazovë (1880).

Krim dhe ndëshkim

Krim dhe ndëshkim është kryrevepra e Dostojevskit, romani me të cilin autori nisi të identifikojë qartazi aftësitë brilante të “psikiatrit letrar” dhe filozofit të shpirtit njerëzor. Heroi i romanit, i cili vjen në formë anti-heroi (tipar i letersisë ruse të shekullit 18), vuan padrejtësinë e shtetit dhe shoqërisë kundrejt mirëqenies vetjake. Parimet e heroit kanë karakter revolucionar dhe vihen në fuqi përmjet aktit kriminal.
Nxitja ndaj krimit qe parimtare dhe strategjike kundrejt sistemit të padrejtë, bindjeve individuale të studentit me vlera juridike (vlen të përmendet), dhe dilemes së mbarënjohur metafizike së tij nëse ishte njeri i zakonshëm apo i jashtëzakonshëm.
Artikull i veti ky që shquante idhullizimin e personazhit ndaj figures së Napoleonit. Duke imagjinuar figurën e lartë historike gjatë leximit arrijmë të kuptojmë synimin e revolucionit së Raskolnikovit, njeriun jo parazitar apo të nënshtruar ndaj fatit. Sikurse Napoleoni, Rodja duhet të mbetej i patronditur pas aktit për të vërtetuar artikullin e tij…, artikull i cili u kthye në provën më të bindshme të hetimit paskriminal.
“…gjakderdhja është në emër te ndërgjegjes.”

Idioti


Idioti (Princ Mishkini) është personazhi i veshur e i ngopur me cilësitë e virtytshme. Idealisti naiv dhe optimisti i krishterë përbëjnë idiotin që ironikisht i epitetizuar nga shoqëria harbute, përfituese dhe mëkatare nuk dorëzon parimet e tij.
Simbol i shoqërisë ruse është mikpritja e Mishkinit dhe marrëdhënia e tij me karakteret e tjerë, raporti i princit me realitetin është pasqyra që kërkon reflektim filozofik të idealit dhe kriset nga shoqëria duke e manipuluar dhe shkatërruar njëherë e mirë si njeriun e sinqertë dhe fjalët e tij të urta.
Në roman përqëndrohen:
-ideali i njerëzimit
-bukuria shpirtërore dhe fizike
-paraja
Trekëndëshi i dashurisë fatale formohet mes Princ Mishkinit, Nastasia Filipovnës dhe Rrogozhinit, nga ku lexuesi njihet dhe intrigohet me motivin e errësirës dhe dritës që përkapen në përshkrimet fizike të elementëve rrethues.
“ E bukura do të shpëtoje botën.”

Djajtë


Në romanin Djajtë ravijëzohet tema e imoralitetit arrogant, Nikollai vazhdimisht mbron aftësitë e tij qeverisëse dhe devijimin shpirtëror ndaj çdo pasioni degradues që mund ta thërrasë. Arroganca e personazhit është faktori kyç i krimit, dhe bindjes së tij politike. Ateizmi i plotë është më i respektuar se indiferenca, kështu thotë Tifoni. Romani i nënshtrohet së njëjtës ideologji sikurse dhe tek ‘‘Krim dhe ndëshkim’’, revolucioni nuk mund të vijë pa thyerje të moralit. Ky revolucion në Rusi erdhi me termin nihilizëm, dhe ky roman cilesohet si anti-nihilist.

“A mund të besoj tek djajtë, pa besuar në Zot?”

Vëllezërit Karamazovë


Romani i ndarë në dy vëllime tenton deri në përfundim t’u përgjigjet pyetjeve që kanë tronditur vazhdimisht mendjen njerëzore, si ekzistenca e Zotit, kuptimi i jetës dhe shpjegimi i vetë natyrës njerëzore. Ndryshe nga ç’mund të dimë për karakteristikat e personazheve të romaneve lartpërmendur, në këtë roman autori rreket të formojë te lexuesi një rrugë simbolike në sajë të cilësive të personazheve (kryesisht atyre kryesorë). Thënë thjeshtë, tre vëllezërit dhe babai i tyre janë natyra krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra, të tre përgjegjës për ngritjen e stoikëve filozofikë të qenies që sjell autori. Motivi i krimit dhe drejtësisë, besimit dhe dyshimit, përgjegjësise prindërore dhe zhveshja ndaj saj ruan brenda moralin e nënkuptuar që synon te përcjellë autori.
Simbolika e fortë dhe tiparet e një tragjedie e bëjnë veprën shumë komplekse, autori vazhdimisht i jep trajtat e tragjedisë duke e unifikuar atë me sjellje dhe çështjen që tronditi tërë Rusinë, çështjen Karamazoviane. Njeriu Karamazovian.
Emri i Karamazovit përbaltet edhe më shumë pas krimit në roman, vëllimi i dytë i nënshtrohet hetimit të ngjarjes dhe vendosjes së drejtësisë duke zbuluar sekrete, dhe natyrën enigmatike të personazheve. Romani zbulon rusen ideale, gruaja me bukurinë fatale dhe tërësisht e pavarur.
Elementi autobiografik i sëmundjes epileptike është pergjegjëse për shpalosjen e elementëve filozofikë që vijnë nga tronditja e mendjes njerëzore, element i pranishëm në tërë veprat e Dostojevskit.

“Të vertetën, të vërtetën e kulluar po ju them: në qoftë se kokrra e grurit, që bie në tokë, nuk vdes, ajo do të mbetej vetmitare, nëse ajo vdes, atëherë ajo do të japë shumë kokrra.”

#libratqëdua