“Rebeka” një labirint psikologjik mbi skutat më të errëta të xhelozisë

“Rebeka” një labirint psikologjik mbi skutat më të errëta të xhelozisë

Një nga ndjesitë më të bukura kur lexon një libër është njehsimi më një nga personazhet e tij, por ku afron dhe ku largon heroina e romanit “Rebeka” nga Daphne du Maurier me mua apo vajzë rreth të njëzetave? Heroina është 21 vjeç dhe po përjeton emocionet e dashurisë së parë. Ajo është e re, e mbushur me frikërat dhe ndrojtjen e moshës, e pa sprovuar me sfidat e jetës. E fiksuar me të tashmen, me çdo moment e ndodhi, ajo jeton sikur asgjë nuk përseritet. Prandaj ajo do dëshironte të ekzistonte një shpikje për të ruajtur kujtimet në një shishe, si një parfum që nuk do të humbiste kurrë freskinë, aty do ruhej çdo çast e nuk do humbiste kurrë.

Ndoshta po mendoni se heroina quhet Rebeka por jo, në fakt heroinës së librit nuk i njihet emri. Ndoshta sepse ajo kurrë nuk arriti të zinte vendin e Rebekës ose të largonte ndikimin e saj në jetën e saj dhe Maksimit. Maksimi është burri 40 vjeçar që dashurohet dhe martohet me heroinën. Ai njihet me të në Montekarlo e duket se fsheh një sekret të madh. Rebeka është gruaja e parë e Maksimit e cila ka pak kohë që ka ndërruar jetë. Edhe pse nuk jeton më, prezenca e saj ndihet nga çdo personazh.

Ajo ishte gruaja perfekte, kushdo që e njihte e dinte se ajo ishte e mirë në gjithçka. Ajo ishte e bukur, e zgjuar, e shkëlqyer në marrëdhëniet me njerëzit e zonës dhe arriti ta bënte Menderlin vendin më të vizituar dhe të adhuruar. Ndërkohë heroina jonë është krejt e kundërta, dyshuese në çdo gjë që bën dhe e mbushur me pasiguri. Në përpjekje për tu përshtatur me rolin e ri, ajo fillon të shohë Rebekën në çdo gjë që bën, dhe të mendojë se hija e saj nuk ka për t’u zhdukur kurrë. Në çdo veprim ajo ështe një hap mbrapa saj, dhe kjo xhelozi fillon t’i shtohet dita-ditës aq sa arrin të mendojë se në fakt Maksimi nuk e ka dashur kurrë, por çfarë fshihet pas këtyre dyshimeve? Papritur, një ditë heroina jonë kupton të vërtetën dhe zbulon çfarë fshihej pas jetës në dukje perfekte në Menderli.

Dalja e të vërtetës në pah solli për mua momentin më tronditës të romanit duke më bërë të reflektoj mbi pasojat që vijnë nga ndjenja e xhelozisë. Nëse deri tani isha njehsuar në disa veprime me heroinën, ky moment me katapultoi në anën tjetër të medaljes e më njohu më tipare të tjera të saj. Duke fshirë çdo të vërtetë që njihte më parë, ajo lumturohet nga i vetmi fakt se tashmë kishte fituar betejën më të rëndësishme, atë të dashurisë për Maksimin! Por të fitosh një betejë nuk është njësoj si të fitosh luftën, e ndoshta lufta nuk do të mund të fitohej asnjëherë…

Përkthimi i fundit por padyshim i shkëlqyer nga Amik Kasoruho e bëri njohjen time me shkrimtaren Dapne du Maurier akoma më të bukur. Në këtë roman, më pëlqeu stili i të shkruarit veçanërisht përshkrimet të cilat nuk janë kurrë të lodhshme e të bëjnë të përfytyrosh me aq detaje sa të duket sikur je aty me personazhet, dhe të vjen keq që nuk mundet të vizitosh qoftë edhe një herë të vetme në jetë Menderlin e veçanërisht Luginën e Lumturisë. Gjithashtu me analizën e personazheve, autorja na jep një rrëfim të shoqërisë së asaj kohe nëpërmjet pushtetit që kanë burrat dhe gratë.

“Rebeka” është një nga librat më të mirë për fuqinë e xhelozisë dhe përballjen e saj me dashurinë. Siç shkruan “The Guardian”, Maurier dëshiron që mos ta lejë mendjen e lexuesit në prehje, dhe romanet e saj të na përndjekin për shumë kohë. Nëse edhe ju doni një roman të tillë padyshim do ju këshilloja të lexonit “Rebekën”!

1 Koment

  • Bruna Posted September 27, 2017 8:27 am

    Rebeka eshte nje liber shume i bukur, menyra e pershkrimit te natyres, te njerezve dhe te situatave te ben te futesh ne brendesi te librit me personazhet. Rrjedha e ngjarjeve eshte impresionuese.

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *