Romani kult i brezit të viteve ’90, si një dëshmi e fortë e getove të drogës

Romani kult i brezit të viteve ’90, si një dëshmi e fortë e getove të drogës

Nga Eni Myrtollari

Ca tipa nuk arrijnë ta kuptojnë humorin skocez!

Shtëpia Botuese DITURIA ka botuar para pak kohësh një prej romaneve që vijnë jo shpesh në historinë e letërsisë: Trainspotting nga Irvine Welsh. I sjellë në shqip nga një përkthyese e re, Lori Nikolla, Trainspotting premton t’i japë lexuesit shqiptar, sidomos të rinjve, një panoramë të getove të drogës së Edinburgut, të përshkuar shpesh deri në hollësitë më të rëndomta e vulgare. Në këtë roman të parë të tijin (tanimë ai është autor dhe skenarist i mirënjohur) Irvine Welshi përqendrohet në anën e errët të natyrës njerëzore dhe tek abuzimi me substancat narkotike.

Për një kohë të gjatë, në fillim të viteve ’90, ka pasur etje për të shkruar për Edinburgun, madje edhe nga shkrimtarë që nuk ishin nga ky qytet. Më 1993, u botua një libër që titullohet Trainspotting, nga një shkrimtar i ri që quhet Irvine Welsh. Romani tregonte historinë e një Edinburgu krejt tjetër, jo me atë shijen neoklasike, por me skemat sociale dhe zgëqet e rrethinave, në një kohë kur Edinburgu nuk ishte më një Akropol i Veriut, por qe shndërruar në kryeqytetin botëror të SIDA-s dhe të drogës. Ky libër ishte një zhvoshkje e mbulesës së vjetër, që fshihte të vërtetën. Tanimë edhe Edinburgu, ashtu si Glasgou, ishte cool, me shumë histori për të rrëfyer. Romani i Welshit tregon historitë e një grupi të droguarish e skemaxhinjsh, në kërkim të parave të lehta të ndihmës sociale, drogës dhe seksit. Që nga ajo kohë, ky u bë roman kult dhe përfaqësues e zëri i një brezi të tërë, aq sa sot është e vështirë të kuptohet Skocia pa Mark Rentonin, Begbin dhe Sik Boin që enden nëpër stacionin qendror të Leithit. Këta janë të rinj të neveritur nga kotësia dhe vrulli i jetës moderne, që duan të rebelohen ndaj atyre që u ofron shoqëria, duke u droguar. Një grup i madh të rinjsh i kohës së Theçerit, të prekur rëndë nga papunësia dhe të përfshirë në vorbullën e ngatërruar “pavarësi/varësi nga Anglia dhe nga mbretëresha” – që nuk e donin dhe nuk e duan dhe aq fort, të themi.

Loja me titullin Trainspotting (nënkupton një njeri që vështron trenat, duke ndjekur me përpikëri oraret e lëvizjes së tyre), është e qëllimtë, e qëlluar dhe e dykuptimtë. Nuk ka më trena në stacionin qendror të Leithit prej dekadash, por fakti që klasa e mesme e Edinburgut arrin të mbijetojë në zallamahinë e qendrës, është një klishe e vjetër sa vetë qyteti.

Edhe struktura e romanit, fragmentare dhe e shkëputur, sa kapitujt ngjajnë si tregime të mëvetësishme, i shkon shumë për shtat natyrës dhe psikologjisë së personazheve. Mark Rentoni, një nga qendrat e romanit, është një drogaxhi në moshë të re, që po mendon ta lërë njëherë e mirë. Edhe shokët e tij në të njëjtën gjendje janë. Jetët e tyre janë të zbrazëta, plot dhunë dhe pa një fije shpresë. Duket sikur rrugëdalja e tyre e vetme është tradhtia, tinëzia dhe vjedhja. Mund të duket gjendje e zymtë, dhe ashtu është në të vërtetë. Megjithatë, romani arrin të nxjerrë sadopak energji dhe mençuri nga këta shpirtra të humbur. Ritmi i romanit mbahet gjallë nga e folura në dialekt, që i bën personazhet të vërtetë. Po të duan, e kur e kërkon rasti, ata mund edhe të flasin në anglishte të pastër. Si për shembull, kur duhet t’i mbushin mendjen gjykatësit se nuk kanë vjedhur libra për të blerë drogë, por ngase e çmojnë mendimin filozofik të Shopenhauerit e të Niçes!

Libri karakterizohet nga batutat e shpejta, humor i zi e i rëndë i skocezëve dhe dialogët e atypëratyshëm. Ata që deri më tani ngrinin në qiell humorin anglez, duhet të lexojnë këtë roman për të kuptuar humorin skocez. Ca tipa nuk arrijnë ta kuptojnë humorin skocez, thotë Mark Rentoni, teksa shkëmben batuta me një kanadeze në tren.

Duke sakrifikuar vijimësinë e rrëfimit, autori parapëlqen të japë këndvështrimet e disa personazheve, njërën pas tjetrës, ndonjëherë duke e bërë lexuesin të mos kuptojë se kush po flet e nëse situata po ndodh muaty. Vetëm drejt fundit të romanit, Welshi bën një përpjekje për të mbledhur copëzat e hapërdara të rrëfimit. Rentoni, nga ana e tij, kupton se sa e kotë dhe e marrë është përhumbja e tij në drogë. Libri i Welshit tronditi, sigurisht, por ai kishte qëllim të dërgonte një mesazh kundër drogës, duke qenë se vetë i kishte shpëtuar varësisë prej saj.