Rrëfenja e shërbëtores, himni më i bukur që kam lexuar për lirinë e gruas, si qenie dhe jo si një makinë pllenimi

Rrëfenja e shërbëtores, himni më i bukur që kam lexuar për lirinë e gruas, si qenie dhe jo si një makinë pllenimi

Nga Flogerta Krypi

“Ekzistonte më shumë se një lloj lirie, thoshte teta Lidia, liri për dhe liri nga. Në ditët e anarkisë kishte liri për. Tani iu japim liri nga. Mos e nënvlerësoni.”

Zgjodha t’a nis shkrimin tim për këtë roman të jashtëzakonshëm me këtë shprehje pasi mendoj se është thelbi i të gjithë veprës të Margaret Atwood. Përpara se të jap mendimin tim për këtë libër madhështor, dua të falenderoj Botimet Pegi që e kanë sjellë në shqip një thesar letrar dhe jo vetëm, që duhet t’a lexojë çdo grua dhe çdo burrë i vendit tim për të kuptuar dhe vlerësuar rolin e gruas në shoqëri.

Ky është një roman që rrëfehet nëpërmjet Efreditit, një vajze të guximshme për të mos harruar se kush është dhe të bëjë përpjekje të vogla e të mëdha për të rifituar lirinë e të qenurit një qenie që ka të drejta, liri dhe vyrtyte e nuk është krijuar thjesht për të shërbyer si makinë pllenimi dhe për të mbajtur vazhdimësinë e jetës.

Kurrë më parë në jetën time nuk kisha arritur t’a vlerësoja çdo por të qënies time dhe të ndihem krenare që jam lindur vajzë, grua dhe nuk do të ndaloj kurrë së qënuri e vetdijshme për mrekullinë që përfaqëson gjinia ime. Unë nuk jam një feministe e sëmurë, pasi në kohët ku jetojmë besoj se ky term është keqinterpretuar shumë, ama asnjëherë nuk kam pranuar përbuzjen, dhunën, shtypjen, nënshtrimin nga asnjë njeri. Gjithmonë kam luftuar për të qenë e lirë, për të menduar e lirë dhe e painfluencuar nga asnjë pushtet apo sistem.

Në këtë roman, të cilit do t’i rikthehem vazhdimisht, unë zbulova sa pak kam dashur gruan brenda meje dhe sa shpesh kam ndryshuar gjëra nga karakteri im, për t’ju përshtatur shoqërisë maskiliste që gjendet gjithandej, por në Shqipëri është dhe më e theksuar. Efrediti është një shërbëtore që jeton vetëm për të lindur fëmijë dhe nuk ka asnjë të drejtë mendimi, besimi, ndjenje apo dhe trishtimi. Dashuria nuk ekziston për ta sepse e vetmja gjë e shenjtë që kanë janë vezoret dhe këtë e ka përcaktuar një sistem politik, i ngritur nga burra dhe gra që nuk mund të kenë fëmijë.

Në këtë roman Teto Lidia thotë një fjalë që më ka mbajtur peng dhe të mendimeve të mia “Më shumë se nga burrat, duhet të keni frikë nga gratë”. A mos jemi po ne gratë që shtypim njëra tjetrën më shumë se sa burrat? A mos ndoshta ne nuk jemi të afta të lemë histerizmin, zilinë, inatin karshi njëra tjetrës dhe të ngrejmë kokën për çdo përdhunim që na bëhet, fizikisht dhe mendërisht?

Unë jam lindur grua dhe sot më shumë se kurrë jam krenare për qenien time. Ky roman më ndërgjegjësoi dhe më tepër për mënyrën se si unë duhet t’a trajtoj veten, por dhe gratë e tjera. Më bëri të kuptoj për funksionin tim në shoqëri, ku unë nuk jam sjellë në jetë thjesht për të ruajtuar vashdimësinë e ekzistencës, por shumë më shumë se kaq.

Margaret Atwood ka krijuar një roman që meriton të lexohet në çdo cep të botës ku njeriu merr frymë dhe më vjen keq që është përkthyer vetëm në tridhjetë e pesë gjuhë të botës që nga botimi. Ky roman meriton të përkthet në çdo gjuhë që ekziston, të lexohet me zë të lartë në publik, përpara burrave e grave, e kështu mbase njeriu do kuptojë dhe vlerësojë më shumë gruan dhe mos t’i shohin ata thjesht si mbartëse të jetës.

 

Fragmente nga libri

“Tani të vijmë te falja. Mos u merr me faljen time tani. Ka gjëra më të rëndësishme. Për shëmbull: mbroji të tjerët kur janë shëndoshë e mirë. Mos i lër të vuajnë shumë. Nëse duhet të vdesin, bëji të vdesin shpejt. Madje, ofrohu edhe parajsën. Për këtë të duam. Ferrin e krijojmë vetë.”

“Askush nuk vdes nga mungesa e seksit. Vdesim nga mungesa e dashurisë. Këtu nuk ka njeri që mund të dua. Gjithë njerëzit që mund t’i doja, kanë vdekur ose janë diku gjetkë. Kushedi ku ndodhen apo si i kanë emrat tani. Ka shumë të ngjarë të mos jenë asgjëkund, sikundër jam edhe unë për ta. Edhe unë jam një person i zhdukur.”

“Rashë në dashuri, thoshim. Më ka rënë në kokë për të. Ishim gra që binim. Që besonim në rënie, në këtë lëvizje tatëposhtë: sa e këndshme ishte, sikur fluturoje, por në të njëjtën kohë, sa e frikshme, sa ekstreme, sa e pamundur.”

Ekzistonte më shumë se një lloj lirie, thoshte Teto Lidia, liri për dhe liri nga. Në ditët e anarkisë kishte liri për. Tani iu japim liri nga. Mos e nënvlerësoni.

S’ka më të sigurtë se të jesh e vdekur.

Pragu i një shtëpie të re, është një vend ku ndihesh e vetmuar.

Modestia qëndron tek padukshmëria, thoshte Teto Lidia. T’i lejosh të të shohin është njëlloj sikur të të penetrojnë.

Jemi mësuar t’a shohim botën me copëza.

E zakonshmia, thoshte Teto Lidia është ajo me të cilën mësohesh. Nëse diçka nuk iu duket e zakonshme tani, më vonë do t’ju duket. Do të bëhet e zakonshme.

Kam një emër tjetër që nuk e përdor askush tani, sepse është e ndaluar. I them vetes kjo nuk ka rëndësi, emri është si numri i telefonit, i dobishëm vetëm për të tjerët, por kjo që i them vetes është e gabuar sepse kjo ka rëndësi. Këtë emër e mbaj si diçka të fshehtë, si një thesar të cilin do të vijë një ditë e do e nxjerr. E mendoj si të groposur. E rrethon një aureolë, si një hajmali, si një stringël e mbijetuar nga një e shkuar paimagjinueshmërisht e largët.

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *