Rrugëtimi nga Shkrimtari i verbër tek Qyteti ngjyrë gri i Kristi Spahiut

Rrugëtimi nga Shkrimtari i verbër tek Qyteti ngjyrë gri i Kristi Spahiut

Nga Flogerta Krypi
Brenda një periudhe relativisht të shkurtër autori i ri Kristi Spahiu u prezantua në tregun e gjërë të letërsisë shqiptare me dy romane të cilat u pritën shumë mirë nga lexuesi. Shkrimtari i verbër është një roman plot dhimbje njerëzore dhe sfida të brendshme që lëvrohen nëpër kapituj si pjesë e një trupi të vetëm, ndonëse dhimbja i përket të gjithëve. Ekziston një moment në jetën e shkrimtarit të verbër që pasohet nga një sërë ngjarjesh të lidhura drejtpërdrejtë me njeriun që i ndryshoi jetën Vernit. Ky fëmija – burrë, i kufizuar nga bota e tij e depërtueshme nga të tjerët, vendos përpara se të ikë drejt paqes së përjetshme t’i besojë këtij shkrimtari mënyrën se si ai ndjen botën.

 

kristi spahiu shkrimtar i verber
Në romanin e parë Kristi gjeti rrugën e drejtpërdrejtë për të qenë në zemrën e lexuesit duke shpalosur ndjenja të fuqishme si mirënjohja, dashuria, egoizmi i kufizuar dhe besimi tek humanzmi si vlera më e madhe e një njeriu. Shkrimtari i verbër shërbeu si një gur i sigurtë drejt letërsisë së pastër dhe plotësuese karshi çdo lloj lexuesi. Në këtë roman duke qartë guximi i Kristit për të patur një stil të unifikuar që e dallon lehtësisht nga autorët e tjera. Një nga gjërat që të lë përshtypje më së shumti tek Kristi është njëtrajtshmëria dhe logjika që pason çdo paragraf. Kjo e bën dhe më përfshirës të gjithë romanin.


Në më pak se një vit Kristi rishfaq veten me romanin Qyteti ngjyrë gri, por këtë herë merr guximin të krijojë një mozaik ngjarjesh duke e zhveshur të gjithë njeriun. Në këtë roman ai merr guximin të largojë ndjenjat e fuqishme dhe t’i bëjë personazhet e tij më të prekshëm dhe të gabuar. Historia e një djali guximtar si Aleksandri, një shkrimtar i cili me penën e tij, por jo vetëm, sfidon një realitet të ngujuar në Qytetin ngjyrë gri. Ashtu si dhe në romanin e parë Kristi nuk e lë jashtë elementin e dashurisë së fuqishme dhe gjithëpërfshirëse. Ai e trajton dashurinë si një element që duhet të jetë pjesë e armëve të çdo indvidi që synon të ndryshojë pak nga realiteti i tij.
Qyteti ngjyrë gri përmbledh një sërë personazhesh të ndryshëm që bashkërenditen për të krijuar atë imazhin e përkryer të një qyteti që duket sikur nuk ekziston më. Të gjithë fajësojnë qytetin për gjëndjen e mjerë të jetës, por askush për asnjë moment nuk kthen sytë nga vetja dhe kontributi kaq i vakët që japin. Nëse tek Shkrimtari i verbër Kristi vendos në qendër ndjenjën sublime të njeriut për njeriun tek ky roman ai i jep përparësi idealeve të njeriut, jo për veten, por për dhënësen e jetës. Në fund të fundit a nuk tregon mirëmbajtja e një qyteti një pjesë të mirë të karaktërit tonë?
Të dy romanet e Spahiut i cilësoj si të nevojshme për t’u lexuar veçanërisht nga brezat e rinj dhe pse romanet e tij janë për çdo moshë. Do të shërbejnë si shtylla për rimarrjen e vlerave njerëzore që çdo ditë po humbasin luftën karshi vlerës materiale. Dy romane plot jetë që nuk do t’iu zhgënjejnë dhe do t’iu rikthejnë tek letërsia e mirë shqiptare që duhet lexuar dhe promovuar.

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *