A i shërbeu Armëpushimi Primo Levit për të rigjetur njeriun?

A i shërbeu Armëpushimi Primo Levit për të rigjetur njeriun?

Nga Flogerta Krypi

Përpara pak javësh nën përkthimin e kryeredaktores së botimeve Pegi, Aida Baros, erdhi në shqip, libri i shumëpritur “Armëpushimi”. Entuziasti im për këtë libër qe i madh, jo vetëm sepse kisha lexuar “A është vallë njer i”, por edhe sepse e di se, nëse Aida prek një libër me dorë, sjell një mrekulli. Këtë e vërteton veçanërisht romani “Muza e haresë” dhe tashmë romani që kam përzgjedhur për këtë javë në këndin Leximet e Gertës, tek Librat që dua.

Kur kam lexuar “A është vallë njeri” të them të drejtën për tre ditë me rradhë kam bërë një gjumë shumë të keq, për shkak të vërtetave të atij romani, të shkruar me një frymë, për të shkarkuar të gjithë skamën e vuajtjeve të Levit në Aushvic. E megjithatë kur mora “Armëpushimin” për ta lexuar, pata një ngërç akoma më të fortë, sepse nëse “A është vallë njeri” të bën të ndihesh sikur je në ferr me Luçiferin duke u djegur, “Armëpushimi” të bën të ndihesh sikur je në një ferr akulli me Luçiferin ku ti po bëhesh bust prej akulli.

Ftohtësia e këtij libri, shoqëruar me një fije të hollë ironie fine, por mbi të gjitha me një gjuhë aq të zgjedhur dhe strukturë aq preçize sa arrin t’a ndjesh Levin të ndërtojë një formulë kimike me vargjet e këtij libri. I shkruar rreth dymbëdhjetë vite më vonë pasi kishte lënë Aushvicin, shkrimtari duket sikur e ka marrë me qetësi pasqyrimin e udhëtimit të tij odiseik për në atdhe.

Lufta e Dytë Botërore ka përfunduar në teori, por praktika thotë të kundërtën. Ndonëse Levi ia ka dalë të shpëtojë nga kampi për shkak të shumë rrethanava favorizuese, siç i quan ai, si njohja e gjuhës gjermane, kthimi në shtëpi duket sikur nuk do të vijë aq shpejt. Ai së bashku me një sërë të burgosurish udhëtojnë nëpër udhë të pafundme të Europës duke ndjerë urinë, të ftohtin, sëmundjen, gënjeshtrat, pabesitë, por mbi të gjitha, duke ndjerë në lëkurë, se lufta ende nuk ka përfunduar. Levi nuk e beson një gjë të tillë, shprehet herë pas here për situata të caktuara, mbron origjinën e tij hebreje, por dhe vetë avokati i tij ashtu si dhe greku, një ish i burgosur tjetër, i bëjnë të qartë, se ai duhet të mësojë të flasë atë që duhet, sepse luftë ka gjithmonë.

Ky roman duhet lexuar për shumë arsye, por duhet të përgatitni veten mirë për të, si dhe do iu këshilloja të lexonit “A është vallë njeri” si fillim, sepse kështu mund të kuptoni se çfarë i ndodh njeriut kur ka jetuar në ferr dhe ferri i është bërë një lloj jete. Do gjeni mishin e një njeriu që mban një kod dhe një histori të tmerrshme nën dhe mbi lëkurë. Ndër dëshmitë më rrënqethëse të Holokaustit, e vërtetë dhe e frikshme gjer në membrëanën e qelizës tënde, ky roman duhet ruajtur si muzeumet e të vërtetës, që njeriu mos të harrojë se sa ç’njerëzore mund të jetë ana e tij e errët. Primo Levi e ka dëshmuar këtë gjë me jetën e tij, ndaj lexoje dhe ndaje me të tjerët. Njerëzimi nuk duhet të harrojë.

Fragmente nga libri:

Në kohë luftë, për dy gjëra duhet menduar para së gjithash: së pari për këpucët, së dyti për ushqimet; dhe jo anasjellas, siç pandeh vegjëlia: se kush ka këpucë mund të gjezdisë lirshëm për të gjetur ushqim, ama e kundërta s’bëhet.

Po lufta ka mbaruar, – kundërshtova: dhe mendoja vërtet se kishte mbaruar, si shumë të tjerë në ata muaj armëpushimi, në një kuptim shumë më universal se ç’guxoj të mendoj sot.

Luftë është përherë, – m’u përgjigj në mënyrë të paharrueshme Mordo Nahumi.

“Ndjeva që vala e ngrohtë e ndjesisë së lirisë, e të ndierit njeri mes njerëzve, e të ndierit gjallë, po më braktiste. Befas u ndjeva plak, krahëprerë, i drobitur përtej çdo caku njerëzor: lufta s’ka mbaruar, luftë është përherë. Dëgjuesit e mi po largoheshin kokrra-kokrra: duhej ta kishin kuptuar. Netëve të Aushvicit, e kisha ëndërruar diçka të tillë, të gjithë e kishim ëndërruar: që të fisnim e të mos na dëgjonte kush, që të rigjenim lirinë dhe të rrinim vetëm.”

“As na përshëndetën, as na buzëqeshën; dukeshin të trysur, jo vetëm nga mëshira, por edhe nga një ngërç ndjenjash trazuese, që ua vuvoste gojën, dhe ua mbërthente sytë pas asaj skene mortore. Ishte po ai turp që e njihnim mirë, ai turp që na fuste në dhé pas seleksionimeve, apo sa herë që na takonte të shihnim, ose t’i nënshtroheshim vetë, përdhosjes: ai turp që gjermanët s’e njohën kurrë, ai turp që njeriu i drejtë ndien para krimit të kryer nga të tjerët dhe e bren ndërgjegjja që një krimi tillë ekziston, që, në mënyrë të pandreqshme, është bërë pjesë e rendit të kësaj bote, dhe vullneti i mirë i këtij njeriu nuk ka sjellë asnjë dobi ose mbase fare pak, e dëm ka shkuar gjithë mundi për t’u mbrojtur.