Të njohim dhe të kuptojmë lindjen e trillit gotik në letërsi

Të njohim dhe të kuptojmë lindjen e trillit gotik në letërsi

Nga Joli Lamaj

Stili gotik arkitekturor i mesjetës, madhërisht i errët dhe hyjnor, shërbeu jo vetëm si vlerë kulturore e historike e periudhës mesjetare, por tiparet e shoqërisë njerëzore në mesjetë dhe fryma e mistershme e katedraleve dhe manastirëve do të qenë elementët thelbësorë të trillit gotik. Trilli gotik erdhi si rrymë e veçuar letrare, por i shtrirë përgjatë periudhës së romantizmit. Patjetër ndikimet e romantizmit dallojnë në romane, por duhet përmendur se tiparet karakterizuese të letërsisë gotike do të krijonin një dimension tjetër romantik, tjetër mister dhe shumë më të errët se romani romantik që njihte lexuesi.

Arkitektura me punim të ndërlikuar rrënqethi misterin dhe ngriti sfondin e tregimeve gotike. Mjedisi fizik dhe psikologjik lajmëronte vazhdimisht të panjohurën, supersticionin, pezullimin dhe dashurinë në rrezik. Kombinimi ideal i elementëve shfaqi mbështetjen e autorit në jetën mesjetare, mitet dhe legjendat e errëta të cilat ua vishnin monumentëve të lartë, fesë së krishterë, dhe të fshehtësisë së çrregullt barbare. Trilli gotik letrar, ashtu si dhe i tërë arti mesjetar do të qe larg estetikës klasike.

Sjellja në formën tipike të kësaj rryme shtroi rrugë për shumë autorë të cilët do të silleshin si gotikë më vonë, autorët e parë si Walpole, Radcliffe dhe e famshmja Austen, e cila iu kundërvu me satirë modelit gotik, zgjuan ndër të parët instiktin e misterit dhe fantastikës. Në vazhdim, shumë autorë gjenialë i dedikuan trillit gotik krijim krejtësisht të ri duke i kthyer si vepra të pamposhtshme nga kritika. “Frankenshtajn” i famshëm (Meri Shelli), “Katedralja e Parisit” dhe “Njeriu që qesh” (Viktor Hygo) , “Fantazma e Operas” (Gaston Lëro), “Xhejn Er” (Sharlote Brontë), “Drakula” (Brem Stoker) dhe mbreti i filozofisë së errët shpirtërore, Edgar Alan Po, me pothuaj çdo krijim të tijin. Ai ka ardhur në shqip që në kohën e Fan Nolit dhe ndër punët më të njohura për lexuesin janë “Korbi”, “Tregime të misterit” dhe “Anabel Li”.

Lexuesi duhet të njihet dhe me dramat e Shilerit të cilat perbënë magjinë e romancës së errët. Në Rusi “gotiku” u referohej veprave të hershme të Dostojevskit. Pavarësisht se elementet e Dostojevskit qenë në kuadër realist, nuk mund të shmanget presioni psikologjik i krishtërimit në shpirtin njerëzor, tipar themelor gotik në romanet e Dostojevskit. Pa harruar Gogolin, Pushkinin dhe Lermontovin të cilët udhëhoqën misterin në letërsinë ruse.
Kryeveprat e Markezit me traditën gotike dhe më së shumti realizmin magjik, gjithashtu do të përfshinin rajonin latin me elementet e lartpërmendur.

Strofë e shkëputur nga poezia “Korbi” – Edgar Alan Po

N’odë prapë më të kthyer
Shpirti ndezur, zemra thyer,
Përsëri vjen një trokitje
Pak m’e fortë se më parë.
“Pa dyshim, pa fjalë, thashë,
Dikush është aty jashtë.
Duhet vajtur, duhet parë
Që të zgjidhet ky mister.
Hesht, moj zemër e zhuritur,
Që ta zgjith këtë mister!
Era ësht’ e asgjë më.

Si të dalloni dhe vlerësoni elementët gotikë në tregim?

Elementët gotikë sjellin praninë e:
•Misterit, terrorit dhe pezullimit
•Trillimit
•Prapahedhjes në jetën mesjetare
•Fesë dhe virtytit
•Dashurisë fatale
•Groteskut dhe makabres
•Influencës politike

Lexuesi kupton se tiparet e krijimit gotik mund të gjenden dhe në vepra më të hershme dhe padiskutim në ato të shekullit XVIII, XIX dhe novelat pulp me të njëjtin karakter në shekullin XX. Kjo është dhe arsyeja pse vendi ynë ka nevojë të mirëpresë me seriozitet të tilla vepra, botimi i të cilave duhet të përfaqësojë mirëfilli krijimin e autorit në mënyrë që lexuesi të vlerësojë siç duhet origjinën dhe synimin e trillit. Fuqia e penës mbinjerëzore, shpirti filozofik i autorëve duhet të mos mbytet në shkurtimet e përshtatjet e librave për fëmijë. Imagjinata e gotikut është kalvar historik e psikologjik, tjetër nga ajo që përkap lexuesi fëmijë, që dhe ai duhet të njihet dhe të pershtatet me letërsinë e patransformuar, ashtu sikurse e tentoi që në fillim autori që e shkroi. Megjithatë, kjo e fundit i përket një tjetër teme…

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *