Të vjedhësh libra është i vetmi krim, të cilin ta fal Zoti!

Të vjedhësh libra është i vetmi krim, të cilin ta fal Zoti!

 

Nga Flogerta Krypi

“Të vjedhësh libra, është i vetmi mëkat, që të fal Zoti.” Kjo është shprehja që i them shpesh vetes dhe pse unë nuk jam një hajdute librash, por kjo më lindi si thënie pasi përfundova së lexuari një nga të paktat romane “best seller” që kam lexuar dhe ia ka vlejtur njëqind për qind. Bëhet fjalë për romanin “Hajdutja e librave” të shkrimtarit Markus Zusak, sjellë në shqip nga Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”.

Ky roman është një libër për të gjitha moshat, pasi dhe vetë historia ka në qendër një vajzë të vogël, nëntë vjeçe të quajtur Lizel. E gjetur pa familje në Luftën e Dytë Botërore, ajo përfundon e adoptuar nga një familje e re, e cila i jap mundësinë të ketë një jetë të sigurtë, ndërkohë që e gjithë bota është në rrezik. Nuk mund të them se është plotësisht e sigurtë, ama jeta e saj merr një kthesë që as ajo vetë nuk do e kishte imagjinuar.

Në pjesën e bodrumit të shtëpisë, tek fshihet dhe një djalë hebre, Lizel mëson të shkruajë dhe të lexojë. Kjo gjë e bën Lizelin të eksplorojë në botë tërësisht të re dhe të panjohur për të, por të mbushur me supriza. Aq e fuqishme bëhet lidhja e saj me librat, saqë në një kohë, kur ato digjeshin në zjarre në mes të fshatit, ajo futet në shtëpinë e komandatit të zonës dhe vjedh libra. Magjia që përjeton gjatë leximit, duket sikur ia lehtëson dhimbjen për humbjet që ka pësuar në jetë. E megjithatë gjërat nuk shkojnë gjithmonë ashtu siç ne i kemi menduar apo planifikuar.

Gjëja që më është dukur më e veçantë në të gjithë romanin është se rrëfimtari i këtij libri është “vdekja”. Autori ka ditur t’a rrëfejë këtë histori me plot mjeshtri, duke e bërë një libër të paharruar që vjen nga Lufta e Dytë Botërore.

Ky është një libër për librat, për jetën, për miqësinë e vërtetë dhe mbi të gjitha për nevojën e mos humbjes së njerëzores brenda nesh.

Fragmente:

Nëpër mure dukeshin të shkarravitura fjalët me të cilat ishte praktikuar, kishin një pamje fëmijërore dhe të ëmbël. Dukej sikur shihnin hebreun e fshehur dhe vajzën që e zuri gjumi me dorën në supin e tij.Merrnin frymë.Mushkëritë gjermane dhe hebreje.Mbështetur pas murit, si një njollë e bukur te këmbët e Lizel Memingerit, qëndronte i fjetur edhe ” Njeriu që më rri mbi kokë.

Ai kishte frikë nga puthja e hajdutes së librave. Vërtetë duhet t’a ketë dashur shumë. Duhet t’a ketë dashur fort. Aq fort saqë nuk i kërkoi më kurrë buzët e saj dhe shkoi në varr pa to.

Nuk bëra dot asgjë tjetër veçse të kthehesha nga Lizel Memingeri dhe t’i thosha të vetmen të vërtetë që e di me siguri. Ia thashë hajdutes së librave dhe tani po jua them edhe juve.
Një shënim i fundit nga tregimtarja:”Njerëzit më përndjekin”

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *