Të zgjedhësh librin nga kopertina nuk është gjithmonë gabim!

Të zgjedhësh librin nga kopertina nuk është gjithmonë gabim!

Lexojmë shumë apo pak, shpejt apo ngadalë, kur vjen momenti për të blerë një libër të gjithë bëhemi shumë përzgjedhës. E nisim duke kërkuar një ngjarje frymëzuese, një shkrimtar të madh e në fund syri na shkon tek romani me kopertinën më të veçantë. E gabuar kjo zgjedhje? Kush mund ta thotë?

Një vajzë flokëkuqe në kopertinën e “Mjaltit” më transmetoi menjëherë emocione, e tek lexoja përmbledhjen pas librit, u binda se ky do të ishte romani i radhës.

Ngjarjet vendosen në një fshat të panjohur, i sulmuar nga banorët e tij por i mbrojtur nga bletët magjibërëse. Mjalti është ilaçi që shëron çdo plagë, është zgjimi i dashurisë dhe arsyeja e luftës për pushtet. E gjithë bota me të mirat e të këqijat e saj gjendet në zemrat e banorëve të fshatit e në qëllimet e jetës së tyre.

Tre fëmijë të vegjël duken sikur janë personazhe dytësorë të romanit, por një lexues i kujdesshëm e di që ky është vetëm fillimi i një historie që do të vërë në qendër pikërisht ata. Folisa, një vajzë e çiltër e plot dije do të guxojë të shkelë aty ku askush më parë në fshat nuk guxoi të afrohej. Një i panjohur do të bëhet për të miku më i afërt por ligësia e njerëzve që i rrethojnë është më e madhe se dashuria e dy të rinjve. Ngjarjet do të marrin drejtime të paparashikueshme e më vonë, përsëri një i panjohur do të vijë për të lehtësuar jetën në fshat e për të zgjuar kuriozitetin e të gjithëve.

Dashuria që kthehet në urrejtje, miqtë që kthehen në armiq e antiheronjtë në heronj…gjithçka brenda një libri të vetëm. “Mjalti” është një roman i denjë i realizmit magjik në letërsisë bashkëkohore. I frymëzuar apo jo nga Gabriel Garcia Markez, ky roman të sjell ndër mend “100 vjet vetmi”, duke bashkuar në mënyrë të jashtëzakoshme botën reale me atë magjike.

Personalisht, romane të tilla, që të çojnë kaq larg realitetit të përditshëm e përsëri të sjellin mesazhe të forta nga ai, janë mbresëlënës. Mari N’anette mund të tingëllojë një emër i panjohur për ju, por do ta kujtoni vite më vonë, me dëshirën e madhe për të zbuluar misterin e fshehur pas kësaj shkrimtareje.