“Tigri i bardhë”, një roman i errët por që na përplas të vërtetën në fytyrë

“Tigri i bardhë”, një roman i errët por që na përplas të vërtetën në fytyrë

Balram Halwai është një personazh që na vjen nga letërsia bashkëkohore indiane, një personazh i rrallë, i cili nga shërbëtor u shndërrua në një sipërmarrës të suksesshëm… sepse ai ishte Tigri i bardhë, i cilësuar kështu, që kur ishte ende fëmijë. Nëse mendoni se kjo është një histori e jashtëzakoshme suksesi, të jeni të sigurt se nuk është aspak si historitë e suksesit, që keni lexuar më parë. Kjo është historia e një sipërmarrësi, por njëkohësisht edhe e një krimineli, jeta e të cilit merr një kthesë të jashtëzakoshme kur ai njeh jetën në qytet dhe bëhet i vetëdijshëm për mirëqënien, pasurinë dhe pushtetin rreth tij.

Ngjarjet zhvillohen në Indinë moderne, e cila me gjithë zhvillimet e bëra, vazhdon të ketë në zemër të saj një shoqëri të errët, të korruptuar, të pamëshirshme, e të paskupull. Balrami është vetëm një shofer i thjeshtë nga fshati, i bindur ndaj padronit të tij por me qëllime për të dalë nga kafazi ku shoqëria e kishte futur.

Ai nis të tregojë historinë e jetës së tij, në një letër të gjatë drejtuar kryeministrit kinez, i cili do të vizitojë së shpejti Indinë. Në këtë letër-roman, ai rrëfen me sinqeritet të plotë, se si me gjakftohtësi vrau padronin e tij dhe jo vetëm që nuk u dënua për këtë, nuk u pendua kurrë, por madje pranon se ishte suksesi më i madh në jetën e tij. Vrasja e bëri atë ‘njeri’ dhe për këtë çdo gjë është e justifikueshme.

Rrëfimi i mrekullueshëm i shkrimtarit Aravid Adiga na fut në qorrsokake, nga ku mendojmë se heroi-antihero, Balram Halwai nuk do të dalë kurrë, por ja që ai jo vetëm që ja del të shpëtojë, por madje na bind se rruga e ndjekur prej tij, aq e pamoralshme, në thelb është e drejtë. Ndërkaq, lexuesi pyet veten: A mund të justifikohet një vrasje?

“A je njeri apo djall? Asnjëri, them unë. Unë jam zgjuar, dhe ju të tjerët jeni ende në gjumë, dhe ky është i vetmi ndryshim mes nesh.” Këto janë fjalët e Balramit, dhe ne e urrejmë, e mëshirojmë, e urrejmë përsëri… por sado që këto ndjenja i zënë vend njëra-tjetrës, ne përsëri mbetemi pa frymë nga ky personazh.

“Tigri i bardhë” është një portretizim i vërtetë i vendeve të Botës së Tretë, i zhveshur nga çdo zbukurim, pa asnjë grimë ëmbëlsie, por aq impresionues dhe aq tërheqës sa të ngjall frikë dhe ankth. Kjo është lufta e madhe e ditëve të sotme, mes të pasurve dhe të varfërve, mes pushtetit dhe luftës për ekzistencë. Me këtë roman, shkrimtari Aravind Adiga shkaktoi një valë kritikash në vendlindjen e tij, por u shpërblye gjithashtu me çmimin “The man booker prize” në vitin 2008.