“Tre ujqit e vegjël” – një përrallë për fëmijët dhe një mësim për të rriturit

“Tre ujqit e vegjël” – një përrallë për fëmijët dhe një mësim për të rriturit

E lexova me kënaqësinë që lexojnë fëmijët përrallat, por mora një mësim si të kisha lexuar një roman. Sot, ju shkruajmë për një përrallë të mrekullueshme nga Evjenios Trivizas.

Një përrallë e lashtë, e lexuar “ndryshe” na tregon se muret nuk shërbejnë për të na mbrojtur, se ka kufij që mund të kapërcehen dhe e keqja mund të shndërrohet në të mirë.

Një libër me të vërtetë plot humor, që i referohet përrallës së njohur “Tre derrkucët”. Tashmë, rolet janë ndërruar, ujku s’është më i ligu i përrallave dhe as derrkuci aq i mirë sa herët e tjera. Tre ujq, tashmë në moshën për të jetuar më vete, duan të ndërtojnë shtëpizën e tyre, mirëpo mëma i paralajmëron që të ruhen nga derri i keq dhe dinak, Runi-Runi.

Si në përrallën klasike, ujqit e vegjël, përpiqen tri herë të ndërtojnë një shtëpi të fortë, por për çdo herë, derri i keq ua shkatërron atë. E megjithatë ata do të gjejnë një rrugëdalje, një zgjidhje surprizuese dhe të këndshme.

Ndoshta fëmijët, që njohin historinë e vjetër, mund të çuditen dhe të pyesin “Po derrat nuk janë të fortë si ujqit. Si mund të jetë i rrezikshëm Runi-Runi?” Derri i madh dhe i keq personifikon njeriun e djallëzuar, personazhin që përpiqet, pa asnjë arsye të dukshme, të shkatërrojë e të prishë harenë. Në këtë metaforë, derri është përdorur si
përfaqësues i errësirës që struket shpesh në shpirtin e njeriut, duke na kujtuar vagëllimthi “Fermën e kafshëve” të Oruellit.

Siç do ta lexoni dhe vetë, në fakt, derri një arsye e ka dhe autori ka krijuar një fabul moderne që na lejon të reflektojmë mbi veten dhe mënyrën se si bashkëveprojmë me të tjerët.
Ilustrimet në akuarel të Helen Oxenbury-t plotësojnë në mënyrë të përkryer tekstin e shkruar nga Trivizas.
“Tre ujqit e vegjël” qe një nga librat më të shitur në Sh.B.A. dhe fitoi një sërë çmimesh dhe vlerësimesh letrare. Ai u shpall si një nga librat më të vlerësuar nga Shoqata e Librarëve Amerikanë (ALA Notable Book), libri më i mirë i Revistës së Bibliotekave Shkollore (School Library Journal) dhe fitoi çmimin e artë të përzgjedhjes së prindërve
(Parents’ Choice Gold Award).
Kjo vërtet është një përrallë për fëmijë të moshës 5-9 vjeç, por edhe të rriturit mund të nxjerrim mësimet e tyre nga historia e tre ujqve të vegjël.

Kritika
“…libri më zbavitës i vitit… një libër krejtësisht i veçantë me ilustrime që do të kënaqë gjithë familjen.“
Junior Bookshelf

“…fëmijët do të shkrihen gazit qysh në fillim.“
Kirkus Reviews

“Çdo faqe është plot me nota komike.“
The Times

“Vetëm shkrimtarët më të talentuar mund të prekin një përrallë klasike dhe të krijojnë diçka pothuajse aq argëtuese dhe domethënëse sa origjinali.”
The Economist

Autori
Evjenios Trivizas është sociolog grek dhe shkrimtar për fëmijë, tashmë me mbi 100 libra të shkruar. Ai ka fituar më shumë se njëzet çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, ka qenë finalist për Çmimin ndërkombëtar Hans Christian Andersen, në vitin 2006. Veprat e tij janë përshtatur për skenën, ekranin dhe radion.
Ilustrimet e ngrohta dhe të këndshme të Helen Oxenbury-t kanë magjepsur fëmijë dhe të rritur për shumë e shumë vjet. Versioni i saj i “Lizës në botën e çudirave” ka fituar Çmimin Kate Greenaway, i cili jepet nga vetë librarët për librat me ilustrime.