“Vajza e dikurshme”, një triller psikologjik mbi fatin e dy grave në një vorbull vdekjeje dhe mashtrimi

“Vajza e dikurshme”, një triller psikologjik mbi fatin e dy grave në një vorbull vdekjeje dhe mashtrimi

E dëshpëruar për të gjetur një vend për të jetuar, Ema përfundon në shtëpinë e rrugës “Folgejt”. Shtëpia është vërtet një mrekulli: dizajn minimalist, ku ndërthuren xhami, guri i lëmuar dhe tavanet e varura. Por, arkitekti i mistershëm që e ka ndërtuar, ngulmon se banorët duhet të jetojnë sipas disa rregullave të rrepta. Shtëpia është ndërtuar me qëllimin e vetëm që t’i ndryshojë banorët e saj, dhe ashtu ndodh…
Pas një tragjedie vetjake, Xhejni ka nevojë t’ia nisë nga e para, dhe rruga “Folgejt” duket vendi i përkryer. Pak pasi vendoset në shtëpinë e re, merr vesh për fatin e Emës, qiraxheshës së parë. Në historinë që i shfaqet pak nga pak, ka shumë zona të errëta. Teksa përpiqet të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra, befas e shkuara nis të marrë jetë. Një triller psikologjik magjepsës, një nga librat më të shitur të vitit dhe i përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës, “Vajza e dikurshme” ndërthur fatin, në dukje të mbarë, të një gruaje me fundin e mistershëm të një tjetre, në një kaleidoskop hipokrizie, mashtrimi dhe vdekjeje.

“Jeni të lutur të bëni një listë të çdo gjëje që është thelbësore për ju.” Kjo kërkesë e çuditshme dhe e bezdisshme do të jetë nisja e një rrugëtimi me pasoja shkatërrimtare.

Kritika

Një triller psikologjik gozhdues… Me saktësi dhe elegancë, Delaney zhvesh personazhet nga sekretet e tyre, pak nga pak, derisa del në shesh e vërteta e kulluar dhe pa zbukurime. – Publishers Weekly

“Vajza e dikurshme” ka një ritëm të shpejtë… Delaney servir pyetje të lidhura me etikën në faqe të veçanta, përgjatë gjithë librit… Gjetja më gjeniale: nuk na jepen përgjigjet e asnjërës prej grave. – The New York Times

Do t’ju bëhet fiksim ky roman rrëqethës për një grua që gjen shtëpinë e ëndrrave…derisa zbulon fatin e mistershëm të banores së mëparshme. – Cosmopolitan

JP Delaney është pseudonimi i autorit Anthony Capella, i lindur në Ugandë, më 1962. Studimet e larta i ka kryer në Kolegjin St. Peter, në Oksford, ku u diplomua për letërsi angleze. Romanet e tij janë përkthyer në më shumë se nëntëmbëdhjetë gjuhë dhe janë përdorur si skenarë filmash të suksesshëm.

Fragment nga romani

Në fund të fundit, mendoj, njerëzit kur flasin përdorin vazhdimisht të njëjtat fraza dhe forma gjuhësore. Të njëjtën barsoletë ua tregojmë njerëzve të ndryshëm, madje ndonjëherë ua përsërisim atyre që ua kemi treguar më parë, dhe do herë përdorim të njëjtat fjalë. E kush nuk bie në përsëritje, herë pas here? A nuk janë “nevoja për përsëritje” dhe “rikrijimi i së shkuarës”, fjalë të mëdha akademike që thonë vetëm se të gjithë jemi krijesa të zakonit?

Shto koment

Email-i juaj nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *